` . Përmbytet varka me muslimanë nga Arakani, humbin jetën 2 fëmijë - TV-SHENJA

Përmbytet varka me muslimanë nga Arakani, humbin jetën 2 fëmijë

Një varkë që transportonte muslimanë Rohingya që iknin nga Mianmari nga dhuna e ushtrisë dhe budistëve radikalë në Arakan është përmbytur në lumin Naf në kufirin me Bangladeshin, duke lënë dy fëmijë të vdekur, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Një varkë me Rohingya u përmbys duke hyrë në Bangladesh nga Mianmari. Ishin 18 pasagjerë në bord. Ende ka 11 të zhdukur”, thuhet në gazetën e Bangladeshit, Prothom Alo, duke cituar Fazlul Haque, një zyrtar të qeverisë lokale.

Një anëtar i administratës lokale i cili dha emrin e tij si Minuddin tha për AA se banorët vendas kanë njoftuar policinë për dy trupa të pajetë që lundronin në lumin Naf. Trupat e fëmijëve Rohingya u gjetën më vonë nga policia.

Sipas gazetës, nga 29 gushti deri më 11 shtator, gjithsej 20 anije kanë janë përmbytur, ndërsa janë gjetur 96 trupa të pajetë, 53 prej të cilëve fëmijë.

Që nga 25 gushti, më shumë se 370 mijë muslimanë Rohingya kanë kaluar në Bangladesh nga shteti perëndimor Arakan në Mianmar, ka njoftuar OKB-ja.

Refugjatët janë duke ikur nga një operacion i ri i sigurisë në të cilin ata kanë thënë se forcat e sigurisë dhe turmat budiste kanë vrarë meshkuj, gra dhe fëmijë, kanë plaçkitur shtëpitë dhe kanë djegur fshatrat e muslimanëve Rohingya.

Sipas qeverisë së Bangladeshit, rreth tre mijë Rohingya janë vrarë nga sulmet e ushtrisë dhe budistëve radikalë.

Postime të Ngjajshme