` . Përkujtohet 16-vjetori i Masakrës së Lubetenit (Video) – TV-SHENJA

Përkujtohet 16-vjetori i Masakrës së Lubetenit (Video)

Banorët e Lubetenit përkujtuan sot 16-vjetorin e masakrës së Lubetenit, kur në vitin 2001 u vranë 10 civilë shqiptarë, ndër to edhe fëmijë. Në përkujtim të 12 gushtit, familjarët bënë homazhe dhe vendosën lule në varrezat e viktimave.

Në mëngjesin e 12 gushtit të vitit 2001, forcat maqedonase të sigurisë vranë 10 civilë shqiptar. Atë mëngjes u zhvillua operacioni i ndërhyrjes së njësiteve policore – ushtarake në fshat, ku vranë dhjetë civilë shqiptarë, në mesin e tyre edhe fëmija 6-vjeçar Erxhan Aliu. Civilë të vranë ishin: Dalip Murati, Muharrem Ramadani, Memet Memeti, Rami Jusufi, Xhelal Bajrami, Kadri Jashari, Bajram Jashari, Sulejman Bajrami dhe Atulla Qaili.

Në këtë aksion të policisë po ashtu u dogjën 14 shtëpi të fshatit, ndërsa u arrestuan dhe keqtrajtuan mbi 100 banorë të tjerë. Arsyetimi për operacionin ishte se në fshat ishin të pranishëm pjesëtarë të UÇK-së.

Rasti i Lubotenit ishte një ndër rastet e vetme që u proceduan dhe u gjykuan nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte, me ç’rast për krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë në Hagë u dënua ish-pjesëtari i lartë i forcave të sigurisë maqedonase, Johan Tarçullovski, i cili tani është deputet në Kuvendin e Maqedonisë. Ndërsa, i akuzuari i parë, ish-ministri i Brendshëm, Lube Boshkovski u lirua nga akuza.

Johan Tarçullovski u dënua nga Gjykata e Hagës me 12 vjet burg për vrasje, thyerje të ligjeve të luftës, torturë dhe shkatërrim të pasurisë, por ai tanimë ndodhet në liri pas mbajtjes së 8 viteve burg.

Mefail Ismaili /SHENJA/

Masakra e Lubotenit by tvshenjaofficial