` . Përgjimet - TV-SHENJA

Përgjimet

EDITORIAL

Shkruan:  Latif Mustafa 

Publiku shqiptar, gati tashmë një dekadë, po ballafaqohet me fenomenin e përgjimeve. Publikimi i përgjimeve, mbase një gjë e re në shoqërinë shqiptare, megjithatë ka shkaktuar pakënaqësi dhe revoltë shoqërore, por pa ndonjë përkthim në rezultat politik të ndryshimit. Një ndryshim i tillë ka qenë pothuajse i pamundur, ngaqë këto përgjime jo rrallë herë kanë dëshmuar se shoqëritë tona janë të korruptuara në mënyre sistemike dhe jo në formë parciale dhe të përkohshme.

Në fund të vitit 2011 u publikua video-përgjimi i zëvendëskryeministrit të atëhershëm në Shqipëri, Ilir Meta, dhe ish ministrit të Ekonomisë, Dritan Priftit, që të dy nga LSI-ja. Publikimi i këtij përgjimi u cilësua si skandal korrupsioni, ngaqë në video shihej qartë se kishte aferë korrupsioni, por – si shumë raste të tjera – edhe ky rast mbeti nën hije të përpjekje të vakëta ligjore. Dritan Prifti u bë ndjerë para dy viteve në Tiranë, pak muaj para se Ilir Meta të zgjidhej president i shtetit. Ndërkaq tash kemi publikim të përgjimeve nga gazeta gjermane “Bild”, ku emetohen biseda për blerjen e votave dhe manipulimin e rezultateve zgjedhore në periudhën gjersa Edi Rama është kryeministër i shtetit.

Një rast tjetër të përgjimeve që pat bërë bujë në publikun kosovar është edhe e ashtuquajtura afera “Dosja e Shefave”, ku asokohe shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, dëgjohej duke biseduar me udhëheqësit e partisë, përfshirë edhe Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin. Të gjitha bisedat, përpos të tjerash, kishin të bëjnë  me sistemimin e individëve në vende të ndryshme të punës, përfshirë administratën, policinë dhe gjykatën, kjo në periudhën kur kryeministër i shtetit ishte Hashim Thaçi. Sot, pas sa vitesh, Kadri Veseli është kryetar i Kuvendit dhe Hashim Thaçi është President i shtetit.

Përgjimet e vitit 2015 në Maqedoni shënojnë një etapë të re politike. Përpos faktit që u konsideruan si më skandalozet, ato u shoqëruan me protesta masive dhe të vazhdueshme deri në momentin e një marrëveshjeje të re në mes pozitës dhe opozitës, që u quajt Marrëveshja e Pëzhinës. Në ato “bomba”, përpos skandaleve korruptive të politikanëve maqedonas, u dëgjuan edhe biseda për afera të mëdha korruptive, afera seksuale, shantazh, punësime pa konkurs dhe uzurpim të pronës. Të gjithë të përgjuarit sot mbajnë poste të rëndësishme politike. Ndërkaq muajve të fundit kemi publikime të reja të përgjimeve, të ashtuquajturat “bombat e El Çekës”, të cilat zbulojnë skandale edhe më të mëdha të politikanëve shqiptarë dhe biseda të tjera, të cilat mund ta ndërrojnë rrjedhën e gjykimeve të grupit të Kumanovës dhe grupit “Monstra”.

Nga të gjithë shembujt e lartcekur konstatojmë një vijimësi të fuqizimit të faktorit politik shqiptar, të cilët kanë qenë nën ombrellën e përgjimeve. Aq më tepër që publikimi i këtyre përgjimeve deri më tani nuk ka ndikuar negativisht në pushtetin e këtyre politikanëve, pikërisht në periudhën kur pritet që këto publikimi dhe dalja në shesh e këtyre përgjimeve të shkaktojë tërmet protestash. Kjo dëshmon, në një farë forme, për “imunizimin” dhe transformimin e pandjeshëm të moralit politik shqiptar, me ç’rast krimi dhe korrupsioni është bërë pjesë e normaliteti publik dhe votuesi shqiptar është bashkëpjesëmarrës në krim, andaj krejt në heshtje dha pa çarë kokën e han turpin me bukë. Ndërkaq sa u përket politikanëve, ata thjesht e kanë mishëruar thënien e Niçes se: “Ajo që nuk na vret, na bën më të fortë!”. Sa herë që përpiqen “t’i vrasin” përmes përgjimeve, ata veç më të fortë bëhen. Dhe, kjo ndodh për tri arsye të thjeshta: moralistët janë dorëzuar, klientelistët janë shtuar, gjykatat dhe prokuroritë janë korruptuar dhe faktori ndërkombëtar është shurdhuar!