` . Përgjimet si “bomba molotov” e revolucionit opozitar - TV-SHENJA

Përgjimet si “bomba molotov” e revolucionit opozitar

Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, R.M., ka shkruar në shtyp kohët e fundit për një praktikë të ulët regjistrimesh të fshehta të bisedave që bëheshin në paradhomën e zyrës së Enver Hoxhës, nga sekretari i tij personal H.K. Edhe punonjës të aparatit të Komitetit Qendror lemeriseshin kur thirreshin për biseda në zyrë. Disa kishin idenë se mbi tryezën e punës së sekretarit të Enverit herë kishte një tavëll duhani, herë dy. Kur vinin re se kishte dy tavlla, e kuptonin se biseda do të regjistrohej në fshehtësi, pasi njëra tavëll ishte pajisje përgjuese

Shkruan: Abdi BALETA, Tiranë

Fjalët “përgjim” dhe “revolucion” nuk i kemi ndeshur asnjëherë, si këto muajt e fundit, të ndërthurura ngushtë në ligjërimin politik të partive revolucionare të “Aleancës për mos-hyrjen në zgjedhjet e 30 qershor 2019” në Shqipëri. “Aleanca” ka 6 muaj që bën aksione masive në Tiranë e në rrethe të tjera, ku përdorën si armë politike edhe “bombat molotov” të mirëfillta dhe regjistrime e filmime përgjimi si një “bombë propagandistike”. Është rikthyer atmosfera e rëndë që u krijua gjatë rebelimit të armatosur të vitit 1997 ku, me propagandë më shumë se me armë, u kurdis djegia e Shqipërisë. Atëherë si shkas për revoltë socialistët përmendnin se qeveria demokratike kishte manipuluar e vjedhur zgjedhjet e 26 majit 1996. Në fushatën e tanishme të opozitarizmit të dhunshëm përdoret argumenti se “qeveria e krimit” i ka fituar zgjedhjet e vitit2017, duke blerë votat me paratë e drogës. Pra, përdorimi i kallashnikovëve në vitin 1997 dhe i “bombave molotov” është shoqëruar nga socialistët atëherë e nga opozitarët demokratë e lësëistë tani me zhurmën e “bombave propagandistike”. Socialistët atëherë, ku bënte pjesë dhe grupimi politik i Ilir Metës, dhe demokratët sot, ku bën pjesë dhe Lëvizja Socialiste e Ilir Metës dhe e Monika Kryemadhit, aksionet për marrjen e pushtetit me dhunë i kanë justifikuar me pretendimin se nuk u kishte mbetur rrugë tjetër, përveç revolucionit, meqenëse nën pushtetin e Berishës atëherë dhe të Ramës sot nuk mund të bëhen zgjedhje të lira.

Më datën 8 qershor 2019, që ishte caktuar si dita e “betejës finale” për përmbysjen Ramës, në gazetën “Dita” u botua një shkrim shumë alarmues i analistit të njohur amerikan për çështjet ballkanike e shqiptare, Janush Bugajski, nën titullin “Shqipëria në prag të katastrofës”. Po atë pasdite kryetari i shtetit shqiptar, Ilir Meta, me solemnitet politik e folklorik të paparë bëri gjestin “shpëtimtar”, duke nënshkruar para teleshikuesve një “dekret” për anulimin e dekretit të tij të mëparshëm, me të cilin kishte caktuar 30 qershorin 2019 si ditën e zgjedhjeve lokale. Këtë hap Presidenti i Republikës e përligji me kujdesin e tij për të shmangur më të keqen, konfrontimin e dhunshëm dhe luftën civile midis palëve kundërshtare, opozitës jashtë-parlamentare dhe pushtetit të socialistëve. Opozita menjëherë brohoriti “Fitore” dhe e zbuti disi intensitetin e dhunës atë mbrëmje. Por, fjalët e Metës dolën blof, sepse intensiteti i përplasjeve në vend që të ulej u shtua më pas. Qeveria e parlamenti e hodhën poshtë si antikushtetues dekretin e ri të Metës dhe njoftuan se do të nisnin procedurat për shkarkimin e tij, të cilat janë në vazhdim. Kryetari i shtetit u vu kështu objektivisht në rolin e prijësit pushtetar të opozitës. Kriza mori përmasë të re, sepse pushteti shtetëror u nda edhe institucionalisht. Pas kësaj filluan aksionet revolucionare në bashkitë e drejtuara nga opozita, ku u sulmuan mjediset e Komisioneve Zgjedhore Zonale (KZA) dhe u shkatërruan materialet zgjedhore. U bë kështu një hap real në frymën e paralajmërimeve të Bugajskit. U krijua një pamje trishtuese sikur shteti unitar shqiptar mori një çarje të thellë: nga njëra anë, ai shtet që qeveriset nga qeveria qendrore dhe, nga ana tjetër, një shtet paralel, që qeveriset nga“bashkitë e rebeluara”. Hija e “Zajednicës” sikur e preku Shqipërinë! U krijua pamja e zymtë se po shkohej në terren drejt “Republikës së re”, që e pat shpallur Lulzim Basha në vitin 2017 dhe që po njihte për pushtet të saj qendror vetëm Presidentin Meta dhe jo qeverinë e Ramës. Hëpërhë duket e pabesueshme që Bugajski më 8 qershor të ketë parandjerë (mos, o Zot, sugjeruar) një zhvillim të tillë, që na kujton edhe shpalljen e Republikës së Jugut në Vlorë më 1997.

Fjala revolucion, e përdorur në ligjërimin politik nuk ka nevojë për sqarim. Por, është rasti të vëmë në dukje se deri tani kemi qenë mësuar që këtë fjalë ta ndeshim në kombinime si: “revolucioni borgjez francez (1789)”; “revolucion demokratiko-borgjez”; “revolucioni bolshevik socialist i tetorit në Rusi (1917)”; “revolucioni kulturor kinez (vitet 1960)”. Ky revolucioni, që po thuhet se duhet bërë në Shqipëri, nuk përkon me asnjë nga këto kategori, por mbetet që edhe atij t’i gjendet një emër nga ata që e kanë shpallur. Deri atëherë le ta emërtojmë“revolucion opozitar përgjimor”, si varianti më i ri i luftërave për pushtet, që janë zhvilluar në Shqipëri dhe që janë cilësuar “revolucion”, por që kanë qenë më shumë grushte shteti ose rebelime të armatosura. Por, edhe ky “revolucion allasojçe” ka precedentë në Shqipëri, madje është i katërti sipas radhës në kohë. Në vitin 1924 ndodhën dy përplasjet më të mëdha të armatosura në luftën për pushtet. 1) U bë“revolucioni demokratiko-borgjez fanolist” (që në fakt ishte grusht shteti ushtarak dhe një dhe rebelim i armatosur civil), me pretekstin se ishin manipuluar zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese, të mbajtura në dhjetor të vitit 1923. 2) Në dhjetor të vitit 1924 forcat politiko-ushtarake, të drejtuara nga ish-Kryeministri Ahmet Zogu rimorën me forcë pushtetin, duke e emërtuar këtë veprim “Triumfi i Legalitetit” (siç ishte në fakt). Ky veprim i vendosur politik e ushtarak u njoh si i ligjshëm nga bota demokratike (siç njihet dhe sot qeveria që është në Tiranë) dhe u përmbyll me thirrjen e Asamblesë Kushteuese të zgjedhur, që zgjodhi Ahmet Zogun si kryetar shteti, fillimisht si president republike parlamentare, pastaj si monark i një Monarkie Kushtetuese.

Këto zhvillime, pas dy episodesh të rënda lufte civile, i siguruan Shqipërisë stabilitet shtetëror e pushtetor deri në prill të vitit 1939, kur vendi u pushtua me agresion të hapur ushtarak nga Italia fashiste (edhe në vitin 2019 Shqipëria më shumë se për gjithçka ka nevojë për stabilitet shtetëror e pushtetor). Partia Komuniste, qysh gjatë Luftës Nacional-Çlirimtaresh, e ktheu këtë luftë në “revolucion popullor” (pra, luftë civile) për të vendosur një pushtet diktatorial monist komunist deri në vitin 1991. Zgjedhjet e para pluraliste, më 31 mars 1991, dhe zgjedhjet e parakohshme, më 22 mars 1992, shënuan fillimin e periudhës së tranzicionit të Shqipërisë drejt demokracisë, pas rrëzimit të regjimit diktatorial komunist. Por, në këtë rast nuk është folur për ndonjë “revolucion” me emër speciifik. Periudha e tranzicionit demokratik qe shumë e shkurtër, sepse Partia Socialiste opozitare dhe Partia Demokratike në pushtet ia vunë njëkohësisht minat demokracisë zgjedhore në Shqipëri, duke manipuluar zgjedhjet e 26 majit. Qysh prej asaj dite nuk ka funksionuar më demokracia zgjedhore në Shqipëri (kot flitet tani më 2019 për rikthim të zgjedhjeve të lira e të drejta). Në vitin 1997 Partia Socialiste i përsëriti ngjarjet e qershorit të vitit 1924. Në Shqipëri u rivendos me rebelim vendor e intervencion ushtarak të jashtëm sundimi i revanshizmit socialist-komunist (që paturpësisht është cilësuar edhe si “revolucion demokratik i vonuar”).

Qeverisja revanshiste komuniste u rrëzua në shtator të vitit 1998 nga revolta popullore pas vrasjes së liderit demokrat Azem Hajdari. Por, Sali Berisha dhe PD-ja nuk patën guxim ta kthenin këtë në një “triumf të ri të legalitetit” në historinë politike të Shqipërisë dhe qeveria revanshiste socialiste e rimori pushtetin. Tani, në vitin 2019 “Aleanca për mbrojtjen e demokracisë (një imitim i keq i “Komiteteve të shpëtimit publik” në Jug në Shqipërisë në pranverën e vitit 1997) betohet të bëjë “revolucionin opozitar” me pretendimin se ia kanë vjedhur votat më 2016 në Dibër dhe më 2017 në pjesë të tjera të Shqipërisë. Këtë lloj “revolucioni opozitar” pretendoi se kishte të drejtë ta bënte edhe Partia Socialiste, kur ishte në opozitë në janar të vitit 2011, por u ndesh në rezistencën e policisë të komanduar nga qeveria Berisha–Basha, që në fakt e kryen detyrën për ta ruajtur shtetin, ndonëse për fat të keq mbetën katër të vrarë në bulevard. Ja si është shkuar historia e dhimbshme dhe tejet e dëmshme e përdhunimit të demokracisë zgjedhore, me revolucione të stisura dhe propaganda mashtruese në shtetin shqiptar.

Tani Shqipëria ka shkuar në një derexhe, sa analistë të huaj ta shpallin vend në prag të katastrofës. Ata analistë nuk e vënë re se kjo po ndodh, sepse e gjithë politika shqiptare sot, si ajo që hiqet e djathtë dhe ajo e majtë klasike ose e moderuar, lundron vetëm në filozofinë politike dhe stereotipat e nolizmit. Ndërkaq “revolucionarët opozitarë” e quajnë të mjaftueshëm justifikimin se vendi mund të hidhet në erë, se ata zotërojnë një arsenal të tërë “bombash të përgjimeve”.

Termi “përgjime” nuk ka nevojë për shpjegim. Fjalorët terminologjikë e trajtojnë mjaftueshëm e kuptueshëm për këdo. Unë parapëlqej ta përdor këtu një kuptim krejt të thjeshtëzuar: përgjim do të thotë regjistrim me zë ose me pamje, me dashje ose spontanisht të një fakti ose ndodhije, që mund të jetë edhe një fjalë e thënë ose një bisedë e bërë. Përgjimi trajtohet si ves njerëzor i dënueshëm nga pikëpamja etike e morale, si punë e ligë dhe e pistë, por edhe si veprimtari e dobishme, si armë për të bërë punëra të mira, të rëndësishme e të dobishme etj., etj.. Pra, e mira dhe keqja nuk qëndrojnë tek vetë “akti i përgjimit” si i tillë, por tek motivet dhe përdorimi i përgjimit nga përgjuesit dhe nga ata që i përdorin përgjuesit, qofshin këta njerëz ose mjete mekanike. Kështu, ndaj dukurisë së përgjimit nuk kemi përse të reagojmë vetëm me përbuzje dhe me frikë, por ta vlerësojmë si duhet. Është lehtësuese kur në sajë të përgjimit zbulohen krime, komplote, parandalohen luftëra ose arrihet qetësimi i situatave të rënda. Pra, përgjimi mund të jetë herë bekim e herë mallkim. Qysh në vegjëli na është dhënë mësimi moralo-fetar se njeriu nuk duhet të bëjë keq, nuk duhet të mendojë e flasë keq, sepse edhe ligësinë që nuk e vë re njeri, e sheh Zoti. Tani jetojmë në një kohë kur ky mësim moralo-fetar na vjen edhe mbi baza shkencore. Përgjimi është bërë një dukuri aq e përgjithësuar në sajë të përparimeve teknologjike, sa askush nuk mbrohet dot më prej tij. Jeta private, sikurse ka qenë e konceptuar deri sot, nuk ekziston më. Mbrojtja ligjore e privatësisë është hipokrizi. Mjafton të kujtojmë se kur fillohen çështje penale për zbulim krimesh, menjëherë merren nga kompanitë e telefonisë tabulatet e regjistrimit të të gjitha bisedave të personave të caktuar. Sot vlen të mbahet parasysh më shumë se kurrë proverbi i lashtë kinez “Nëse do që një gjë të mos e marrë vesh kush, atëherë mos e bëj atë gjë”. Edhe fjala që del nga goja nuk mbetet sekret, Tani, kërkimet bëhen që njeriut t’i lexohen edhe mendimet që përpunon në kokë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që rregullat e moralit e të etikës që dënojnë ligësinë në përgjime të shpërfillen përfundimisht e të hiqet dorë nga mbrojtja ligjore prej keqpërdorimit të përgjimeve.

Problemi më shqetësues për shqiptarët në këtë drejtim sot është bërë përdorimi i përgjimeve si armë e luftës politike. Keqpërdorimi i përgjimeve për politikë në Shqipëri mori përmasa shqetësuese, sidomos pas frymëzimit të opozitës shqiptare nga “lufta e përgjimeve”, që u zhvillua në Maqedoni për ta rrëzuar qeverinë VMRO-DPMNE dhe sjellë në fuqi qeverisjen e opozitës LSDM. Por, edhe më herët shqiptarët janë përballur me dukurinë e përgjimeve si armë politike. Qysh në kohën e komunizmit tmerri i shqiptarëve ishin bërë përgjimet nga agjentët e Sigurimit të Shtetit. Qysh në atë kohë përdoreshin mjete mekanike për përgjime. Madje, ish-Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, R.M., ka shkruar në shtyp kohët e fundit për një praktikë të ulët regjistrimesh të fshehta të bisedave që bëheshin në paradhomën e zyrës së Enver Hoxhës, nga sekretari i tij personal H.K. Edhe punonjës të aparatit të Komitetit Qendror lemeriseshin kur thirreshin për biseda në zyrë. Disa kishin idenë se mbi tryezën e punës së sekretarit të Enverit herë kishte një tavëll duhani, herë dy. Kur vinin re se kishte dy tavlla, e kuptonin se biseda do të regjistrohej në fshehtësi, pasi njëra tavëll ishte pajisje përgjuese. Psikoza e dyshimit se ishim të përgjuar na ka ndjekur gjithë jetën, jo vetëm në komunizëm, por dhe në “demokraci”. Madje, në demokraci na kanë përgjuar më shumë e më poshtërsisht se në komunizëm. Në komunizëm e dinim se na përgjonte shteti kryesisht që të kultivonte “kulturën e frikësimit” nëpërmjet armës së përgjiimit. Në demokraci na kanë përgjuar shteti, partitë, kundërshtarët politikë, spiunazhe e huaja, individë, gazetarë e reporterë, që duan të zbaviten, njerëz pa cipë e pa moral, harrakatë të çdo kategorie që duan të zbaviten etj.. Dhe, e gjitha kjo përbën arsenalin e mjeteve që përdoret për ta rrënjosur në shoqëri “kulturën e denigrimit”politik nëpëmjet trillimit. Kjo kulturë e “denigrimit politik” ka marrë përmasa veçanërisht të neveritshme e të rrezikshme në publicistikë, gazetari, gjinitë e humorit, thashethemet e kafeneve. Kultura e “denigrimit propagandistik” në demokraci është bërë më dëmprurëse se “kultura e frikësimit”, nëpërmjet përgjimit sigurims në komunizëm.

Prandaj, këto 3 vitet e fundit në Shqipëri arma e përgjimit (nëpërmjet regjistrimit të bisedave sidomos) ka gjetur një përdorim shumë të gjerë. Publikut i serviren gjithfarë regjistrimesh zanore e pamore, për gjithfarë ndodhish, nga gjithfarë mekanizmash. Por, këtë ditë më shumë tërheqin vëmendjen “regjistrimet zanore”, që publikon një gazetë gjermane “BILD” dhe një gazetar i saj, që po kërkon lavdi të veçantë personale e sensacionale, si i besuari dhe i përzgjedhuri të botojë disa përgjime që i kanë bërë para ca vitesh prokurorët shqiptarë për “blerjen e votave” në Shqipëri, por që prokuroria asnjëherë nuk ka konkluduar rreth tyre. Këto regjistrime janë kthyer në një armë kërcënuese si ‘bombë molotov propagandistike” për të ndezur flakët e “revolucionit opozitar” në Shqipëri, për të vendosur të ardhmen politike të Shqipërisë dhe të integrimit të saj në BE. “Bomba molotov e përgjimeve” ka si objektiv parësor imediat të mos lejohet mbajtja e zgjedhjeve vendore, më 30 qershor 2019. Këtij shkrimi i vjen radha të botohet në korrik dhe nuk mund ta dimë më 22 qershor sesi do të përfundojnë betejat finale midis “opozitës partiake-bashkiake” dhe pushetit qeveritar e policor qendror. Dimë vetëm se në mbrëmjen e 21 qershorit nuk u zhvillua ajo beteja e madhe vendimtare, që ishte paralajmëruar nga opozita. Besojmë se duhet të ketë një të vërtetë në zërat e përhapur se faktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë kanë dhënë mesazhin më të fortë se në mbrëmjen e 21 qershorit në vend të “finales së revolucionit opozitar”, “Aleanca kundër zgjedhjeve” duhej të bënte shëtitje më të qetë e më të shkurtër në kohë në bulevardin e Tiranës.

Por, qysh tani mundtë japin gjykimin se “përgjimi e regjistrimi i bisedave” (që për aq sa janë publikuar nuk tregojnë asgjë të veçantë në fakt sa për t’u shqetësuar aq shumë dhe shtypi gjerman) do të përdoret përsëri si arma kryesore e vazhdimit të “revolucionit opozitar-bashkiak” që të detyrohet Kryeministri Rama që në mos para, atëherë pas 30 qershorit të ulet të bëjë dialog me opozitën, veçse kësaj radhe dialog mbi parime, e jo për pazare, si në maj të vitit 20017 në takimin e mesnatës Rama-Basha. Por, për këtë puna pret dhe pak. Rama ka theksuar disa herë se po i lutet Bashës si Romeo e Xhulieta të takohen e të rivendosin “dashurinë”. Deri tani përgjigjja opozitare ka qenë “O ne, o kryeministri”. Në një “psikozë revolucionare”, si kjo e Shqipërisë, kot të përmenden Romeo e Xhulieta. Më mirë të kërkojmë diçka nga “revolucioni francez i vitit 1789”, kur politikani që humbte debatin në Koventë nisej drejt gijotinës. Në një shënim timin të vitit 1990, kur Ramiz Alia deklaronte se populli shqiptar ishte i papërgatitur për demokraci lexoj sot: “Në gjyqin e Dantonit njëri shprehu dyshimin në fajësinë e tij. Një tjetër tha: ‘po kush është më i dobishëm për Republikën, Dantoni apo Robespeierri?’ I lëkunduri u përgjigj: ‘Robespeieri’. Tjetri shtoi: ‘Atëherë, Dantoni duhet çuar në gijotinë’.” ( Revista “Obshetvjenije nauki” e Akademisë së Shkencave të Bashkimit Sovjetik, nr.4/1990, f.124). Nuk e dimë se kush mund të jetë më i dobishëm për republikën sot në Shqipëri, por e dimë se nuk kemi Robespier (që quhej ndryshe “i pakorruptueshmi”). Dhe, kemi mjaft Dantonë, që dinë si bëhet dallaverja politike me vendas e të huaj. Dimë se në Shqipëri tani po bëhet fjalë për dy republika, njëra unitare (Rama) dhe tjetra – e veçanta, “opozitaro-bashkiakja” (Meta, Berisha Basha, Kryemadhi). Dimë se tani e para kërkon shkarkimin e Metës nga posti i presidentit, ndërsa e dyta ka kërkesë të panegociueshme “Rama ik”. Dimë se në Francë i pari që u çua në gijotinë ishte Dantoi, që i tha Robespierit “pas meje do të vish dhe ti” dhe vërtet pak më vonë e çuan dhe këtë. Fatmirësisht, në Shqipëri gijotina është vetëm politike, po edhe atë nuk ka ndër mend ta përdorë kush, madje as ata që ngulin këmbë për reformën në drejtësi. Dimë që për të mirën e Republikës së Shqipërisë e nevojshme është që të ndodhë si në Francë në kohën e revolucionit: në gijotinën politike dhe ndëshkimin ligjor të kalojnë të gjithë politikanët që mbajnë përgjegjësi për “Krizëbërjen 30-vjeçare”. Nuk i shërbehet Shqipërisë me lutje dashnorësh të pafatë, si të Romeos së pushtetit nën ballkonin e Xhulietës së opozitës, sikurse përpiqet e përgjërohet Rama. Nëse kryeministri magjepset nga Shekspiri, mund të përmendim se Romeo thoshte: “Nga grindja e vjetër lind një ndeshje re”. Kështu ka ngjarë në politikën shqiptare shumë herë pas pajtimeve të bujshme mashtruese të politikanëve me bekimin e ndërkombëtarëve.

Tek Shekpspiri mund të lexohen edhe këto vargje: “Kur priftërinjtë (sot politikanët, shënimi im A.B.) bëjnë atë që predikojnë/ Kur mejhanexhiu s’i hedh ujë verës/ kur rrobaqepësi nuk i fsheh copat/ kur s’dëgjohen të urtët po kodoshët/ kur çdo padi gjykohet drejt/ kur njerëzi ts’kanë borxhe/ kur shpifja s’gjen vend në gjuhë/ kur s’ka më vjedhës nëpër turma/ kur fajdexhinjtë flakin arin/ kur të paudhët ngrehin kisha/ ATËHERË BOTËS I VJEN FUNDI” (nga “Mbreti Lir”). Ne ende kemi të drejtë të gëzohemi se Shqipëria nuk e paska fundin të shpejtë. Për këtë kanë meritë politikanët që po e mbajnë mbërthyer në gjithfarë krizash. Nuk besoj se nga kjo gjendje mund të na nxjerrë edhe revolucioni i shpallur disa herë për kauzën e madhe të kthimit të votës së lirë popullit shqiptar, që si pikënisje ka një videoregjistrim të një skene të pështirë seksuale në vitin 2016. Kryebashkiakut socialist të Dibrës, me emrin Shukri, burrë i martuar e me fëmijë të rritur, i kishte rënë në kokë të kishte marrëdhënie intime me një vajzë të re, duke i premtuar një punë në bashki. Kryebashkiaku u videoregjistrua në poza delikate, në një dhomë moteli, në rrethinat e Tiranës. Ai përfundoi në burg pas këtij skandali. Por, u deshën bërë zgjedhje për ta zëvendësuar, një vit para zgjedhjeve parlamentare. Ky rast u trajtua nga dy kampet rivale PS-LSI, në pushtet, dhe Partia Demokratike, në opozitë, si rast për të matur forcat par zgjedhjeve parlamentare. Mobilizimi ishte i madh nga të dyja palët. Fituan socialistët. PD-ja shpërtheu fushatën e akuzave se ia kishin rrëmbyer me blerje votat, që duhej të shkonin për të. Prokuroria nisi regjistrimin e përgjimeve që sot po mahnisin shtypin gjerman. Kështu, për qejfet e kryebashkiakut Shukri sot vihet në hall Europa dhe nuk dihet se si do të marrë puna e revolucionit opozitar në Shqipëri.

Mësimi është: kujdes nga përgjimet, kujdes me përgjimet! Kjo është derexheja ku ka mbërritur politika në Shqipëri.