` . Përgjimet dhe fundi i vullnetit politik - TV-SHENJA

Përgjimet dhe fundi i vullnetit politik

Publikimi i përgjimeve, mbase mund të duket qëllimmirë, për të shkundur vetëdijen dhe revoltën e qytetarëve ndaj shtresës aktuale politike, por megjithatë më tepër se revoltë, ato po krijojnë një gjendje humori, një gatishmëri për thashetheme e muhabetesh, duke i vënë në spikamë të përgjuarit si yje komedish

Shkruan: Latif Mustafa

Ditëve të fundit opinioni publik shqiptar dhe më gjerë në Republikën e Maqedonisë së Veriut është ballafaquar me publikimin e përgjimeve të bisedave telefonike të politikanëve shqiptarë, kryesisht të atyre të Bashkimit Demokratik për Integrim. Ngaqë publikimi i përgjimeve në këtë shtet është ndaluar me ligj, përpos në raste kur gjykata jep leje speciale, ato, megjithatë, kanë arritur të penetrojnë në publikun e gjerë dhe të shpalosin disa gjëra shtesë, krahasuar me publikimin e “bombave” Zaevit. Në atë kohë politikanët shqiptarë shumë pak prekeshin nga publikimi i përgjimeve të kryeministrit të tanishëm, ZoranZaev, ngaqë kalkulimet matematikore për koalicion mund t’i rrezikonin pushtetet e ardhshme. Praktika të ngjashme të përgjimeve dhe publikimeve të tyre ka pasur edhe në Shqipëri dhe Kosovë, të cilat – përkundër Maqedonisë – janë shoqëruar me protesta masive dhe kriza të thella politike, ngjashëm siç kemi këto ditë me gjendjen e rënduar në Shqipëri.

Publikimet e përgjimeve të tanishme postohen në rrjete sociale dhe kanale të tjera nga personi i ashtuquajtur “El Cheka” ose, siç njihet në opinion, djaloshi me emrin Sheqerim Ahmeti nga fshati Tuhin i Kërçovës me vendndodhje në SHBA. Këto përgjime janë të llahtarshme, ngaqë në to dëgjohet për rrjetin dhe metodat e punësimit në shtet, kontrollimin e medieve dhe të gjyqësorit, si dhe biseda private rreth rasteve të montuara politike. Këto të fundit pritet të ndikojnë thellësisht në ecurinë dhe procedurat gjyqësore, të ngritura ndaj të gjykuarve të rastit “Monstra” dhe të gjykuarve të “Grupit të Kumanovës”.  Një gjë që nuk u morr vesh kurrë dhe që ta ngrinë gjakun është burimi i këtyre përgjimeve: kush përgjon dhe kush i shpërndan këto përgjime.

Ajo që na bën më shumë përshtypje dhe që përpiqemi ta shprehim në analizën tonë është efekti psikik dhe social që ngjallin këto përgjime dhe si ato priten, interpretohen dhe si lëvizin masat e gjëra publike në raport me politikën dhe çështjet publike. Një dimension tjetër shumë i rëndësishëm është edhe imponimi i mekanizmave adoptues psikosocialë ndaj vëzhgimit dhe përgjimit konstant, që i kanoset shoqërisë. Këto mekanizma adaptues, ditë e më tepër, e etablojnë dhe fuqizojnë “gjithpërfshishmërinë” dhe kudogjendjen e një pushteti të butë dhe determinues në veprimet e qytetarit, me ç’rast adaptimi nënkupton gjendjen e të jetuarit në një paranojë normale drithëruese.

Sa i përket analizës së përgjimeve, ato duhet analizuar në dy aspekte. Aspekti i parë i analizës është përmbajtja e fjalimeve dhe bisedave që bëhen dhe implikimet institucionale që mund t’i ngarkojnë këto biseda. Ndërkaq aspekti i dytë ka të bëjë me hamendjen, gjegjësisht me pyetjen se pse këto publikime bëhen në këtë periudhë kohore, kujt ia adresojnë mesazhin: publikut dhe masave të thjeshta votuese, prokurorisë speciale, establishmentit ndërkombëtar apo e tërë kjo është tërësisht personale dhe nuk i prek interesat e publikut? Mirëpo, që të dyja aspektet e përmendura kanë një dinamikë të ndërvarur, të cilat mund të kenë një efekt të fuqishëm institucional dhe publik, por edhe mund ta plandosin dhe shtrijnë për toke gjithë faktorin qytetar. Të gjitha këto efekte të mundshme mund të përmblidhen si në vazhdim.

Publikimi i këtyre përgjimeve, para së gjithash, në mënyrë të pashoqe ia shpalos publikut metodat dhe praktikat e sundimit të pushtetit të kaluar. Për më tepër, ato i nxjerrin në sipërfaqe metodat klasike të kontrollit dhe manipulimit politik. Këto metoda të kontrollit dhe sundimit po shtrihen në masat e gjera publike përmes pushtetit politik të inkriminuar, medieve të korruptuara dhe oligarkëve biznesorë. Që të tria përpiqen ta riprodhojnë vetveten, për mos të ardhur në shprehje tjetri. Riprodhimi i korrupsionit, blerja dhe zhvatja e votuesve, si dhe krijimi i një klientele të fuqishme votuesish, siguron një barrierë të fuqishme për individët dhe grupet e pastra, të cilat përpiqen t’i japin politikës dhe jo të marrin nga ajo. Riciklimi i korrupsionit e pengon ardhjen në shprehje të të mirit.

Publikimi i përgjimeve, mbase mund të duket qëllimmirë, për të shkundur vetëdijen dhe revoltën e qytetarëve ndaj shtresës aktuale politike, por megjithatë më tepër se revoltë, ato po krijojnë një gjendje humori, një gatishmëri për thashetheme e muhabetesh, duke i vënë në spikamë të përgjuarit si yje komedish. Shamata, qesëndisjet dhe të qeshurat në përgjime e  tërheqin vëmendjen më tepër se sa përmbajtja e bisedave në ato bisedime. Ngaqë humori është diçka i pavullnetshëm dhe e qeshura është e pavetëdijshme, dëgjimi i bisedave të përgjimeve dhe kureshtja ndaj tyre i përngjet më shumë dëgjimit të thashethemeve të lagjes sesa ndonjë materiali për reagim politik. Shmangja e vëmendjes politike kundrejt humorit është evidente dhe e rrezikshme.

Në një formë krejt të heshtur, këto përgjime po bëjnë disiplinimin e qytetarit, duke e tëhuajsuar atë nga liria e veprimit politik dhe nga përgjegjësisë qytetare ndaj detyimeve politike. Thënë ndryshe, publikimet e lemerisin dhe ia fusin tmerrin në damar qytetarit rreth paprekshmërisë dhe superioritetit të shtresës politike në raport me ligjin. Ata janë mbi ligjin. Të qenit e dikujt mbi ligjin me imazhin e paprekshmërisë krijon impotencë, neglizhencë dhe, mbi të gjitha, është një hipokrizi e shumëfishtë. Pjesërisht edhe revoltë, por jo revoltë politike, por revoltë e braktisjes dhe ikjes nga ky vend i pashpresë, i ngufatur nga krimi, kontrolli dhe politika e stërkequr. Ajo që e bën më të rëndë dhe dëshpëruese situatën është mosreagimi i faktorit ndërkombëtar në vend, si mbështetësit e vetëm të faktorit të lirë qytetar.

Mos të harrojmë se pushteti i sotëm politik është aty ku është vetëm në saje të publikimit të përgjimeve të atëhershme, të cilat shquheshin si “bombat” e Zaevit dhe lansoheshin nga selia e LSDM-së. Një moral të tillë të publikimit të përgjimeve, si mjet politik, për herë të parë e ka futur partia e tanishme në pushtet. Me një fjalë, tharmi i Maqedonisë Veriore ka filluar me “publikime përgjimesh”. Dhe, normalisht, kjo e ka hapur rrugën për publikimin e përgjimeve të tjera si metodë legjitime për rrëzimin e pushtetit politik. Por, në anën tjetër kjo koniunkturë klandestinizmi e ka gjunjëzuar qytetarin ndaj panoptikonitorvellian, si të pafuqishëm, të pavlerë dhe, në çdo hap, të kontrollueshëm. Qytetari e percepton lehtësisht rëndesën e pushtetit vetëreferencial, autokratik, depërtues në çdo skute përmes dispozitivëve dhe shtypës përmes tentakulave të fuqisë dhe mekanizmave të veprimit.

Reagimet për protesta dhe rebelim vijnë në një moment kur është humbur beteja e moralit politik nga klientela politike. Me një fjalë, thirrjet për protesta, sado me vend që mund të jenë, ato mund të i shërbejnë një inxhinieringu më të madh, me ç’rast të pushtetshmit e përgjuar, që nuk u bëhet fare vonë për pushtetin, besojnë fortë në pathyeshmërinë e klientelës ndaj çdo morali(zmi) politik, gjegjësisht, kur tani më janë harxhuar të gjitha narracionet për mobilizim politik, qoftë ai kombtar, multietnik apo fetar. Në fund fare, klientela vendos për pushtetin, në këtë rast të punësuarit e partisë.

Këto publikime përgjimesh po e shpërfaqin edhe fundizmin e vullnetit politik në Maqedoninë e Veriut. Më 9 maj të vitit 2016 u organizua protesta më e madhe shqiptare në Republikën e Maqedonisë. Por, masiviteti i një proteste të tillë vinte nga një koordinim i grupeve të ndryshme qytetare dhe mbështetjen e fuqishme në organizimin dhe sponsorizimin e saj, që i dha atëherë Lëvizja Besa. Me një fjalë, protesta qytetare është një koncept i vdekur: edhe atë e mbytën organizata e huaja përmes vullnetarizmit të paguar. Ndërkaq koncepti i protestës politike, që mbështetet nga partitë politike, për interesa dhe qëllime politike, akoma është i gjallë si instrument dhe mund të riaktivizohet varësisht nga “rizbulimi” i interesit politik, që partitë politike mund ta kenë. Në të kundërtën, vullneti politik qytetar pa edukim të mirëfilltë politik nuk mund të ngjallë interesim për ndryshimet e mëdha politike.

Publikimi i përgjimeve të ndryshme ka filluar të bëhet një praktikë e dëmshme në raport me vullnetin politik në mungesë të gjykatave dhe ligjit. Përgjigjem e tilla janë bërë mainstrem-i i një inxhineringu të stimulimit të apatisë dhe inferioritetit shoqërore, duke krijuar një superioritet të pushtetit, pjesë e të cilit pa dyshim janë edhe vetë publikuesit. Si shoqëri të cilët mëtojmë ta përmirësojmë debatin në hapësirën publike dhe, përmes debatit dhe artikulimit, shprehjes dhe demonstrimit kolektiv, ta ngremë nivelin e vetëdijesimit politik, nuk duhet toleruar interferimin e përgjimeve të tilla. Një inxhiniering i tillë mund të përballet në dy mënyra, po ashtu të ndërvarura, me aktivitete të nënrenditura dhe empati reciproke. Mënyra e parë është hartimi i një plani të mirëmenduar, të strukturuar dhe agjitativ për ambiciet politike, organizimin shoqëror dhe realizimin e shtetit, plan ky i cili në formë të një agjitimi edukativ dhe emancipues që krijon në sinergji dhe amalgamë të re politike në vend. Një plan i tillë do të mund të realizohej nga një grup intelektualësh, të cilët janë të dekolonizuar nga vullnetarizmi i paguar dhe shoqëritë civile mafioze destruktive. Mënyra e dytë është protesta dhe mobilizimi popullor nga partitë politike, të cilat synojnë të vullnetojnë politikisht dhe ta mbartin mbi supe, të paktën, fatin e votuesve të vet dhe të shoqërisë, në përgjithësi. Koordinimi i këtyre dy mënyrave, që është punë e rëndë dhe kërkon sakrificë dhe vetëmohim do ta parandalonte katastrofën e fundizmit të vullnetit politik, si mënyrë e vetme e mobilizim social për çështjet publike. Në të kundërtën, hipokrizia dhe indiferenca shoqërore do ta marrë kahun dhe normaliteti do të përshkruhej veç në suaza të impotencës dhe indiferencës politike.