` . Përfundon takimi Bushati-Kotzias në Korçë – TV-SHENJA

Përfundon takimi Bushati-Kotzias në Korçë

Ka përfunduar në qytetin e Korçës takimi mes ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati dhe homologut të tij të Greqisë, Nikos Kotzias, i cili shënoi dhe raundin e dytë të bisedimeve mbi çështjet e hapura të karakterit historik, aktual dhe për perspektivën e marrëdhënieve mes dy vendeve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Takimi filloi të premten dhe për tre ditë me radhë Bushati dhe Kotzias, si dhe delegacionet shoqëruese kanë zhvilluar bisedime, ku mësohet se janë fokusuar në disa çështje, që lidhen me të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, lëvizjen pa pengesa drejt Greqisë të qytetarëve me origjinë nga Çamëria, si dhe çështje të tjera.

Në një njoftim të përbashkët për mediat të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë dhe Ministrisë së Jashtme të Greqisë, theksohet se të dyja ekipet bënë përparim thelbësor drejt arritjes së zgjidhjeve të qëndrueshme dhe afatgjata për çështjet e pazgjidhura mes dy vendeve.

“Në vijim të takimit që u zhvillua në Kretë nëntorin e kaluar, të dyja ekipet bënë përparim thelbësor drejt arritjes së zgjidhjeve të qëndrueshme dhe afatgjata për çështjet e pazgjidhura, në përfitim reciprok të të dy vendeve dhe qytetarëve të tyre, në përputhje me vlerat dhe normat evropiane. Diskutimet u zhvilluan në një atmosferë miqësore dhe konstruktive. Të dyja palët përsëritën angazhimin e tyre për të ndjekur më tej dialogun në të gjitha nivelet në muajt në vijim”, theksohet ndër të tjera në njoftim.

Takim i Korçës u zhvillua në vazhdën e takimeve periodike të zhvilluara në nivel diplomatik dy vitet e fundit. Bisedimet në Korçë u mbajtën dy muaj pas takimit dypalësh në Kretë, ku ministrat Bushati dhe Kotzias u takuan të asistuar nga ekipet negociatore.