` . Përfundon procesi i votimit në veri të Kosovës - TV-SHENJA

Përfundon procesi i votimit në veri të Kosovës

Në katër komunat veriore të Kosovës, në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, sot janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e këtyre komunave.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë dhe se votimi ka rrjedhur normalisht.

Vendvotimet janë hapur nga ora 7:00, kurse nga ora 19:00 ka filluar mbyllja e tyre, kur edhe ka nisur numërimi i votave.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka tha gjatë konferencave te saj për media se procesi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat veriore kaloi mirë dhe pa ndonjë problem.

“Deri në ora 15:00 të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 18.729 apo 32,3 për qind të qytetarëve me të drejtë votë në katër komunat”, tha Daka.

Ajo tha se gjatë votimeve, disa komisionerë e kishin të paqartë se me cilat dokumente identifikimi duhet të votojnë qytetarët, duke shtuar se tashmë u është bërë e qartë atyre se dokumentet valide janë ato të Republikës së Kosovës

Zgjedhjet në veri janë vëzhguar edhe nga koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim (DnV).

Ky koalicion ka njoftuar se në bazë të të dhënave të tyre në terren, deri në orën 16:00 kanë votuar 35 për qind të qytetarëve me të drejtë vote.

Në mesin e parregullsive, thuhet në njoftimin e DNV-ë, është raportuar votimi me dokumente të Serbisë, votimet familjare, raste të votimit jashtë kabinave si dhe tentimet për të votuar më shumë se një herë.

DnV ka raportuar për 23 votime familjare, për gjashtë ankesa në lidhje me listen e votuesve, pastaj në pesë raste janë raportuar votime jashtë kabinës së votimit dhe dy raste të tentimit për të votuar dy herë.

Besim Hoti, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, i tha Radios Evropa e Lirë se që nga bartja e kutive të votimit në orën 3:00 të mëngjesit, nuk është shënuar asnjë incident.

Në zgjedhjet për kryetarë të këtyre komunave janë kandidatët nga Lista Serbe, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Bazuar në renditjen e KQZ-së, në garë për kryetar të Leposaviqit janë Fisnik Veseli nga Lëvizja Vetëvendosje, Shaqir Hetemi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Zoran Todiq nga Lista Serbe.