` . Përfaqësuesja e OSBE-së: Arritja e censusit është e rëndësishme - TV-SHENJA

Përfaqësuesja e OSBE-së: Arritja e censusit është e rëndësishme

Përveç vëzhguesve vendor, procesin e votimit po e mbikqyrin edhe vëzhgues të jashtëm. Në Shkollën Fillore “Naim Frasheri”, qëndroi shefja e Misionit të Vëzhgimit të OSBE-ODHR, Korin Jonker e cila tha se në Maqedoninë e Veriut i kanë ftuar autoritetet, për të parë nëse procesi zgjedhor do të zhvillohet në pajtim me standardet ndërkombëtare. Ekipi ka ardhur që nga mesi i muajit mars dhe do të qëndrojnë deri në mesin e muajit maj. Sa i përket daljes së qytetarëve, ajo më tej tha se është shumë herët të flitet për konkluzione, pasi votimi zhvillohet në gjithësej rreth 4000 vendvotime të Republikës, mirëpo rikujtoi se nëse nuk arrihet cenzusi, zgjedhjet do të duhet të përsëriten.

“ODHR edhe në zgjedhjet e mëhershme ka potencuar çështjen e cenzusit, për shkak se nëse nuk arrihet, atëherë zgjedhjet do duhet të përsëriten. Konkluzione lidhur me këtë do duhet të presim deri në mbrëmje ose deri në mesnatë, ose më saktë lidhur me këtë çështje do të ju njoftojmë në preskonferencën e cila do të mbahet nesër”, ka deklaruar Jonker. Emine Ismaili /SHENJA/