` . Perëndia e suksesit – TV SHENJA

Perëndia e suksesit

Jemi miq të atij suksesi që nuk e cenon dinjitetin e qenies njerëzore. Miq të atij suksesi që nuk dërrmon shpirtin njerëzor me skllavëri të fanitjeve të jetesës së lirë. Jemi miq të atij suksesi që pranon jetën njerëzore me të gjitha dimensionet, por duke ushqyer me forcë dashurinë e thellë për mbizotërim të së mirës.

Shkruan: Nuredin NAZARKO, Korçë

Nga urimet më të dëgjuara. Gjithmonë e më shpesh veshi po na e zë. Urimi për sukses rehat nuk po na lë. Gjumin po na e trazon. Rehat vështirë se flemë. Natë e ditë si të jemi të suksesshëm mendojmë. Ëndrrat po na i shqetëson. Lëngun e tyre jetësor po e than. Ndërhyn vend e pa vend. Në çdo moment na turbullon. Të ëndërrojmë edhe me sy hapur si mundësi nuk e përjashtojmë. Kështu pothuajse çdo ditë po na kalon. Gjithsesi për suksesin nuk dyshojmë.

Me këtë panoramë në xhep rendim në çdo ditë pune. Gdhihemi e ngrysemi me dëshirën për sukses. Pikturat më të bukura për këtë po i pikturojmë. Meloditë më të ëmbla për këtë po i kompozojmë. Për këtë rropatemi. Për këtë djersitim. Për këtë shtrydhim energjitë. Deri në pikën e fundit duhen shtrydhur. Punojmë me dy turne. Punojmë mbi orar. Rendim në të katër anët. Mezi arrijmë të shohim pjesëtarët e familjes. Fëmijët rriten me këtë model. Po iu injektohet kjo ndjesi. Çdo ditë mësojnë sesi të jenë të suksesshëm. Iu thuhen apo lexojnë historira suksesi sesi njerëz që e nisin nga hiçi sot janë pasanikët e botës. Liderët e politikës. Udhëheqësit e shteteve. Presidentët e kompanive të mëdha të biznesit. Shkencëtarët e mëdhenj të botës. Artistët e mëdhenj të skenës. Këngëtarët e famshëm me miliona klikime e miliona në xhep. Me të tilla histori mëkohemi. I marrim edhe si model inspirimi. Kushedi sesa të rinj apo të reja janë ngashënjyer nga të tilla histori. Kushedi sesa net kanë ëndërruar një të tillë sukses. Ku ta dish, mbase dhe sot e kësaj dite vazhdojnë të ëndërrojnë. Tekefundit e pse të mos ëndërrojnë? Më së paku të kënaqen aty ku ky sukses është i mundur.

Me të tilla ndjesi nxiten përfytyrimet për një atë ardhme ndryshe. Dhe, sipas projektit që zien ndër deje orientohet dhe jeta e njeriut, kanalizohen energjitë e tij. Të etur për sukses. Të prirë drejt sfidave më torturuese për të qenë të tillë. Të gatshëm për të ndërmarrë kapërcime shkretëtirash. Çmenduri që të befasojnë. Të lënë pa fjalë. Të shastisin. Të tromaksin me guximin prej të marri. Ndonjëherë kuturisje që të mbërthejnë. Dhe, ka jo pak syresh që admirojnë të tillë syresh. Iu bëjnë jehonë. Iu ngrenë piedestale. Iu ngrenë përmendore. Çmenden pas tyre. Vajtojnë pse nuk u la një autograf. Dëshpërohen e trishtohen pse nuk janë si ata, të suksesshmit. Shfryjnë e turfullojnë që fati i ka çuar në të tjera dyer të jetës. Rebelohen ndaj paracaktimit. Janë gati t’i çojnë në dreq gjithësa rrugën e këtij suksesi nuk e shohin si perëndi, madje dhe prindërit e tyre.

Tallen! Fyejnë! Pështyjnë! Telendisin! Po kë kështu?

Gjithësa nuk janë puthadorë të kësaj perëndie artificiale suksesi. Gjithësa nuk frymojnë me të tilla modele. Gjithësa nuk duan të jetojnë me këtë sukses të shtirur. Gjithësa nuk duan të vendosin lule në statujën e kësaj perëndie. Gjithësa nuk duan të bëjnë kurban jetën e tyre në altarin e përzhitur me flije shpirtrash qenie njerëzoresh të perëndisë së suksesit.

Nuk jemi kundër suksesit. Afërmendsh të ishim kundërshtarë të tij. Ndryshe do të ishim miq të dështimit. Ne jemi miq të suksesit. Jemi ithtarë të suksesit. Nuk jemi ithtarë të perëndisë së shtirur të suksesit. Jemi kundër kësaj perëndie. Jemi kundër statujës së kësaj perëndie që ka ngritur mbretërinë e saj në zemrat e shumë syresh. Jemi kundër kësaj perëndie që është duke i torturuar ithtarët e saj me pagjumësi. Jemi kundër kësaj perëndie që po i zhgyen ithtarët e saj në lloj-lloj baltovinash, llucrash e kënetash. Jemi kundër kësaj perëndie të rremë që fanitet në sytë dhe zemrat e ithtarëve me pamje shkundulluese. Jemi kundër kësaj perëndie të rreme që me ulërimën e saj kërkon të tregohet madhështore. Jemi kundër kësaj perëndie të rreme që shter energjitë e qenies njerëzore në përpjekje për një të ardhme që nuk vjen kurrë. Jemi kundër kësaj perëndie të rreme që ëmbëlson ëndrrat rinore për sukses me argëtime dehëse. Jemi kundër kësaj perëndie të rreme suksesi, që pasi i shtrydh deri në fund energjitë jetësore të qenieve njerëzore, thur me këto qenie të zhubrosura stolinë e radhës.

Jemi ithtarë të suksesit. Jemi miq të suksesit. Jemi armiq të dështimit.

Jemi miq të atij suksesi që nuk e cenon dinjitetin e qenies njerëzore. Miq të atij suksesi që nuk dërrmon shpirtin njerëzor me skllavëri të fanitjeve të jetesës së lirë. Jemi miq të atij suksesi që pranon jetën njerëzore me të gjitha dimensionet, por duke ushqyer me forcë dashurinë e thellë për mbizotërim të së mirës. Jemi miq të atij suksesi që trondit shpirtin njerëzor në thellësitë e tij dhe e vendos në lëvizje drejt dhënies jetë, jetës. Jemi miq të atij suksesi që nuk shteron në kufijtë e gjërave të zhdukshme dhe të paqëndrueshme. Jemi miq të atij suksesi që edhe kur je i panjohur sërish je madhështor. Jemi miq të atij suksesi që edhe kur të mungon ushqimi zemra jote është e çliruar. Jemi miq të atij suksesi që edhe kur gjithë bota të përbuz ti je mik i nderuar në një sofër tjetër. Jemi miq të atij suksesi që edhe kur të mposhtin fuqitë e së keqes në ndonjë moment, ti nuk harron derën ku duhet trokitur. Aty ku nderohet shpirti njerëzor aty jemi. Aty ku dinjiteti i qenies njerëzore është fron aty jemi. Aty ku përulja përnderuese e shpirtit prek thellësinë e tij, aty jemi. Ky është modeli i suksesit që ndjekim.

Jemi miq të atij suksesi që të bën të kuptosh drejt statusin, qenie në botë.

Postime të Ngjajshme