` . Përcillet për në banesën e fundit vogëlushja Lutfiu (VIDEO) - TV-SHENJA

Përcillet për në banesën e fundit vogëlushja Lutfiu (VIDEO)

“Këtu është vendi ku dje u shua jeta e vogëlushes  4 vjeçare Semia Lutfiut, e cila ishte duke lozur me fëmijët e tjerë të lagjes dhe në një moment doli në rrugë për ta marruar topin që i kishte rënë dhe në po të njëjtin moment ajo u përplas nga një makinë dhe menjëherë u dërgua në spital pa vetëdije, mirëpo vetëm disa orë më vonë nga pamundësia që t’i përballoj plagët e marra, ajo ndërroi jetë”.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se pas aksidentit të djeshëm personi me iniciale B.B është privuar nga liria për shkak të dyshimeve se ka bërë veprën penale “vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”.

“Më datë 18.04.2017 në orën 13:30 në Shkup, në rrugën “Cvetan Dimov” ka ndodhur një aksident trafiku në të cilin makina “Mercedes”, me targa të Shkupit, e drejtuar nga B.B (62) nga Shkupi, ka goditur një këmbësorë- vajzë katër vjeçare nga fshati Moranë. Në aksidentin fëmija ka marrë lëndime trupor dhe me makinë tjetër është dërguar në Spitalin e Qytetit, ku pas ndihmës së ofruar, në orën 21.30 ka humbur jetën. Personi B.B. është ndalur në Stacionin Policor në Bit Pazar, ndërsa më 19.04.2017 do të nxirret para gjykatësit përgjegjës”, kanë thënë nga MPB.

Edhe qytetarët e intervistuar nga televizioni Shenja bëjnë apel për vozitësit që të jenë shumë të kujdesshëm, sidomos nëpër lagjet që janë shumë të ngjeshura, si ajo e Çairçanës.

“Fajtor është shoferi, nëse vozit shpejtë ndodh edhe ajo, por nuk bën ashtu, të vozitësh aq shpejtë…Këto të rinjtë që vozisin, vozisin shumë shpejtë, ndërsa më herët nuk kanë vozitur kështu”, tha një qytetar.

“Të jenë më të kujdesshëm, sepse e mira dhe e keqja shumë shpejtë vijnë. Do kisha thënë që të jenë më të kujdesshëm dhe më të sjellshëm”, deklaroi një qytetar.

“Sa më shumë të kenë kujdes, sepse me të vërtet nuk kanë kujdes. Vozitësit për momentin nuk kanë kujdes, por duhet të kenë vëmendje të madhe”, u shpreh një qytetar.

Ata gjithashtu porosisin që të respektohen rregullat dhe shenjat e komunikacionit, sepse kjo nuk është ngjarja e vetme që ka ndodhur, por të tilla raste kanë ndodhur edhe më herët.
“Të kenë më shumë kujdes, sidomos këtu tek ne nuk respektohen rregullat e komunikacionit, shumë është rrezik. Është ngjarje që ka ndodhur edhe më herët, ka ndodhur edhe në Haraçin, Hasanbeg, Shkup, është për të ardhur keq por nuk kemi çfarë të bëjmë”, tha një qytetar.

“Shumë pakujdesi e madhe, sidomos rinia. Pak rregullat duhet të jenë më të qarta, shenjat duhet që t’i respektojnë”, tha një qytetar.

Ndërkaq, përcjellja e vogëlushes për në shtëpinë e përjetshme bëhet sot pas namazit të iqindisë.

Emine Ismaili /SHENJA/

Përcillet për në banesën e fundit vogëlushja… by tvshenjaofficial

 

 

Postime të Ngjajshme