` . Përballë një fundi pa fund - TV-SHENJA

Përballë një fundi pa fund

Faktori i parë mbrapshtues, që është në anën e rrënimit politik kolektiv dhe që këtë trajektore politike kolektive të shqiptarëve këtu e ka shoqëruar që nga fillesa e saj, është vënia nën kontroll, bile jo aq të mbuluar, e strukturimit politik, e organizimit politik shqiptar nga ana e establishmentit politiko-shtetëror maqedonas.

Shkruan: Nijazi MUHAMEDI, Tetovë

Trajektorja e mobilizimit socio-politik të shqiptarëve në Maqedoni tash ndodhet përballë një fundi pa fund, përballë një rrëzome politike të madhe. Në fakt, këtë trajektore nga fillesa e saj (1990 dhe gjer më sot, më 2017) e kanë ndjekur në hope fatalitetet e rrëzimeve politike. Përballë tyre gjithherë është vënë rifillimi.

Historia politike e kësaj trajektoreje të mobilizimit politik shqiptar këtu është bërë një histori rivaliteti ndërmjet fatalitetit të rrëzimit dhe fatalitetit kundërvënës ndaj saj, fatalitetit të rifillimit. Nga një lexim aktual, i paanshëm i zhvillimeve politike shqiptare të kësaj vere, mund të nxirret përfundimi se kjo rrëzomë, në fakt, mund të dalë edhe më fatalja, sepse ajo tash mund ta mbyllë për gjatë kohë shtegun e një mundësie për rifillim politik, ngaqë edhe faktorët politikë dhe jashtëpolitikë, që kësaj trajektoreje i kanë dhënë një rrëmbesë drejt fundit të pafund të saj, nuk janë të pakë dhe kjo do t’i bëjë më të vështirësuara edhe përpjekjet për të dalë prej saj përmes një rifillimi politik kolektiv. Rrëmbesa që ka vënë përpara këtë trajektore drejt fundit të pafund të saj, që do të ndodhë në vjeshtë, me zgjedhjet e pritshme vendore, sikundër tregojnë të gjitha shenjat e saj, nuk mund të ndalet, por edhe vullneti politik kolektiv për t’iu kundërvënë këtij fataliteti nuk guxon të përkundet në plogështinë e tij, sikundër lë përshtypjen se përkundet, ose sikundër ia kanë projektuar edhe këtë plogështi si fatalitet.

Shenja më e qartë se një popull është i destinuar të jetë i gjallë politikisht është vullneti dhe forca e atij vullneti për t’i shembur fatalitetet që i përplasen në rrjedhën e ecjes së tij politike, sikundër është ky fatalitet që e ndoqi gjer më tash e që synon ta ndjekë për paskëtaj trajektoren politike të shqiptarëve në Maqedoni. Së këndejmi, kjo verë dhe kjo vjeshtë (politike) shqiptarët ne Maqedoni i ka vënë përballë një fundi të vështirë pa fund dhe përballë një imperativi të pashtyeshëm kombëtar për të reaguar, për të mos e pranuar këtë fatalitet rrënues për fatin e tyre politik tash e paskëtaj.

Rrëmbesa drejt këtij fundi pa fund, ta themi dhe një herë, është e papërballshme. Janë shumë faktorë që e kanë fuqizuar për gjatë kohë dhe kjo lyp një vetëmohim social-politik kolektiv të fuqishëm e të vendosur për ta përballur dhe kapërcyer përmes një rifillimi të ri, si e vetmja strategji efektive kundërvënëse, përmes së cilës janë kapërcyer rrëzimet në hope të deritashme. Ndërkaq, për ta shembur përfundimisht fatalitetin e zhagitjes kolektive nëpër rezyme politike të projektuara nga ana përballë, duhet hamendësuar edhe një strategji kolektive afatgjate për një rifillim politik kolektiv, që do të jetë i parrëzueshëm në përhershmërinë e tij.

Cilat janë shenjat e faktorët mbi ta cilat analisti i vëmendshëm i këtyre zhvillimeve politike të prapësuara për fatin politik të shqiptarëve këtu mund të nxjerrë konstatimin se kjo do të mund të jetë një fund pa fund, një rrëzomë e madhe nënshtrimi, nga e cila dalja kolektive prej saj ka të ngjarë të jetë shumë e vështirësuar, shumë e penguar?

Faktori i parë mbrapshtues, që është në anën e rrënimit politik kolektiv dhe që këtë trajektore politike kolektive të shqiptarëve këtu e ka shoqëruar që nga fillesa e saj, është vënia nën kontroll, bile jo aq të mbuluar, e strukturimit politik, e organizimit politik shqiptar nga ana e establishmentit politiko-shtetëror maqedonas. Kjo vënie nën kontroll të strukturimit politik është e lidhur pashmangshmërisht edhe me vënien nën kontroll edhe të artikulimit të opsioneve politike dhe të aksionit politik si themele dhe arsye të emergjencës së tyre në fushën politike dhe arsye për të legjitimuar mbetjen dhe evoluimin në arenën politike të përfaqësimit të elektoratit të tyre. Impakti regresiv i kontrollit kësodore në jetën politike të shqiptarëve këtu sajoi një babiloni politike opsionesh “kolektive” të cunguara politikisht, të gërryera në substancën e tyre politike, që janë mbajtur gjallë përmes një manipulimi dhe instrumentalizimi politik vetëm në rrafshin e një retorike boshe e “të potershme” kolektive, pra edhe joefektive për t’i dhënë një kuptim dhe legjitimitet real projektit dhe veprimit të tyre politik. Kjo, mandej, u pasua edhe me fragmentimin e projektuar të “spektrit të klonuar politik dhe fiktiv” të shqiptarëve nga establishment maqedonas, duke e vërdallisur këtë “spektër të kontrolluar” nëpër kënetën e një boshësie politike rrënuese, por edhe të turpshme. Impakti i mbrapshtë i një kontrolli kësodore u manifestua në lodhjen e gjatë dhe të padurueshme politike kolektive të shqiptarëve këtu, e cila mandej e thërrmoi më tepër vullnetin politik dhe besimin në aktorët e përfaqësimit të tyre, ndaj edhe kjo hapi shtegun e pykëzimit më të thellë politik të projektit antishqiptar të establishmenit maqedonas në themelet e strukturimit politik të shqiptarëve, duke e futur “pykën e destrukturimit” politik në rivalitet, por edhe në antagonizëm programor e politik brendapërbrenda “spektrit” politik të shqiptarëve dhe me këtë është e kuptueshme se shkaktoi përfundimisht (mendojmë për këtë kohë) kolapsin, këputjen e beftë të organizimit politik përfaqësimtar të shqiptarëve për aspiratat dhe interesat kolektive të tyre dhe duke e vënë këtë përfaqësim të rremë “kolektiv” në funksion dhe për dobi të projektit “unitarist” kimerik maqedonas dhe të interesave jolegjitime e korruptive të aktorëve “të pykëzuar” të jetës politike të shqiptarëve.

Duke e futur “spektrin politik shqipfolës” në rrotullamë të një konfuzioni dhe të një boshësie politike të pafund, establishment politiko-shtetëror maqedonas e bëri më të gjerë sheshin e instrumentalizimit të këtij spektri brenda një projekti të “pykëzimit të përhershëm” më të thellë në strukturën institucionale të politikëbërjes dhe, për më tepër, duke e drejtuar një pykëzim kësodore në pushtetin vendor, shkallën themelore, por të dytë për nga rëndësia, për ta komprometuar rëndë kapacitetin politik të “përfaqësuesve të pykëzuar” në menaxhimin dhe politikëbërjen vendore, si etalon i kompromitimit më të gjerë të kapaciteteve të tyre “politikëbërëse” për dëm të interesave të elektoratit që përfaqësojnë, në këtë rast të elektoratit shqiptar dhe për dobi të projektit unitarist të padronëve të tyre, një projekt kimerik, që lakun e nënshtrimit mbi shqiptarët e bën më të përhershëm dhe “legjitim”(!).

Socio-drama politike nënshtruese dhe e turpshme e këtij skenari, e zhdrivilluar në disa akte dhe nënakte parapremierike të saj gati qe një vit e më tepër, nga nisja “e zgjidhjes së krizës” e gjer në zgjedhjet e fundit parlamentare, do të shfaqet e plotë në zgjedhjet vendore, kur do bëhet më i qartë dhe më i lexueshëm faktikisht edhe skenari i padronëve maqedonas që i vërdallisin aktorët e delegjitimuar të spektrit politik “të menaxhuar” në prapaskenë dhe duke e hapardarë këtë spektër “partizash” nëpër komuna “shqipfolëse”, secila komunë nga “një parti shqipfolëse” si kompani private-publike të tyre dhe të ‘padronëve” maqedonas, që menaxhojnë shpifjen e partive shqipfolëse, ndarjen e çarjen e tyre, si dhe “bashkimin e tyre në aleanca” konfuzionesh dhe interesash të deformuara dhe të delegjitimuara.

Me këtë hapet sipari në vazhdim i përfaqësimit poshtërues të shqiptarëve nga ana e aktorëve të rinj e të vjetër të “spektrit politik të pykëzuar” të shqiptarëve dhe fundi i pafund i mercenarizmit politik të pështirë të përfaqësuesve të tyre.

 

Postime të Ngjajshme