` . “Për Shqipërinë që duam” të “Republikës së re” - TV-SHENJA

“Për Shqipërinë që duam” të “Republikës së re”

Shkruan: Redi SHEHU, Tiranë

Jehona që la, në perceptimin publik, fushata elektorale e zgjedhjeve të fundit të 25 qershorit në Shqipëri, ishte krejtësisht e ndryshme nga fushatat tradicionale shqiptare të periudhës së demokracisë. Konceptet e fillimit dhe fundit të fushatës u dukën të rrafshuara dhe ngjau sikur ajo nuk kishte pasur një fillim dhe se nuk do të ketë një fund. Arsyeja e kësaj besoj se qëndron në faktin se ne jemi në gjendjen e fushatës permanente. Jemi ndoshta i vetmi vend, në dijeninë time, ku fushatat zgjedhore nuk njohin ndërprerje kohore dhe, për këtë arsye, përcaktimi i fillimit dhe fundit të tyre është tepër i vështirë. Mirëpo, më e bukura është se më të kënaqurit me këtë gjendje duket se janë vetë politikanët, të cilët politikën nuk e konsiderojnë art, por punësim dhe biznes. Për këtë arsye, për ta mbajtur ndërgjegjen të qetë duke u ndjerë të punësuar, e vetmja formë e kësaj ndjesie duket se është fushata e përhershme. Ajo që ndodhi në këtë fushatë ishte teprimi me imazh. Të gjithë e dimë se imazhi është diktatori më i madh i modernizmit. Përmes tij, shoqëritë moderne kanë filluar të mos e kuptojnë edhe veten. Duke qenë se imazhi është mjeti më efikas dhe sipërfaqësor në ndikimin e ambientit social, ai përdoret dhunshëm nga politika. E ajo që u vërejt qe pikërisht fokusimi i politikanëve tanë posaçërisht te imazhi, tek veshja, te gjesti, te pozicionimi, larg thelbit, larg substancës. Kjo duket se është perfekt për një elektorat si i yni, ku të qënurit trendy konceptohet si arritje politike dhe ku gjelatina mbulon për bukuri gafat dhe dështimet personale. Me pak fjalë, një fushatë pa shije dhe pa ngjyrë, që rrodhi si uji, sepse i mungoi thelbi i fushatave të mëparshme, konfliktualiteti. U duk pa shije dhe pa ngjyrë, sepse për ne këto nocione kanë marrë kuptim përmes konfliktit dhe dhunës politike. E kësaj radhe, që marrëveshja politike ka vepruar si sedativ politik, partitë e mëdha u dukën më skandinave se kurrë, duke u marrë me çikërrima “nordike”.

Shqipëria me datën 25 qershor 2017 e kaloi një proces zgjedhjesh të përgjithshme, që u shty nga data fillestare kushtetuese e 18 qershorit, kjo për shkak të krizës politike që shpërtheu në fund të muajit shkurt, kur Partia Demokratike ngriti një çadër përballë ndërtesës së Kryeministrisë, duke kërkuar në formë ekskluziviste dorëheqjen e kryeministrit aktual Edi Rama. Ajo kërkoi, gjithashtu, edhe formimin e një qeverie teknike, e cila do ta administronte procesin zgjedhor, si dhe do ta luftonte kanabisin, korrupsionin, nepotizmin dhe krimin e organizuar, të cilat – sipas opozitës – përbënin kërcënimin kryesor për organizimin e zgjedhjeve të drejta e të lira në Shqipëri. Marrëveshja politike e 18 majit mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike bëri që kriza politike të arrinte drejt fundit dhe palët t’i drejtoheshin elektoratit për fushatën zgjedhore me synimin e maksimalizimit të rezultateve elektorale për secilën palë.

Ajo që duhet vënë në pah gjatë gjithë krizës politike tremujore është se, për shkak të klimës së acartë politike dhe për shkak se Partia Demokratike i dogji të gjitha afatet kushtetuese për regjistrim në zgjedhje dhe regjistrim të koalicioneve, partitë politike shqiptare, të cilat morën pjesë në këto zgjedhje, garuan të vetme secila prej tyre, pikërisht për shkak të skadimit të afatit kushtetues për regjistrimin e koalicioneve. Ky është një moment i rëndësishëm politik i këtyre zgjedhjeve pasi, sipas ligjit elektoral shqiptar, partitë të cilat nuk janë pjesë e koalicioneve politike, duhet të sigurojnë afërsisht dyfishin e numrit të votuesve për të nxjerrë një deputet. Pra, praktikisht, dhe sidomos për partitë e vogla, kjo do të thotë përgjysmim të kapacitetit të karrigeve në parlamentin e ri të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit.

Pavarësisht kësaj, Partia Socialiste siguroi një fitore historike dhe bindëse me 74 vende në parlament kundrejt 65 vendeve që ajo i kishte në zgjedhjet e kaluara, duke siguruar kështu e vetme formimin e qeverisë së re. Ndërkohë që Partia Demokratike, së bashku me aleatët e saj, tashmë të përfshirë brenda listës së PD-së, pësuan një humbje po historike, duke siguruar 43 vende kundrejt 57 vendeve që kishin në zgjedhjet e kaluara dhe me një abstenim të elektoratit të tyre deri në 200.000 votues, që e bojkotuan atë. Po ashtu një ditë historike ishte 25 qershori edhe për LSI-në, PDIU-në dhe PSD-në. Historike për secilën prej tyre në mënyra të ndryshme. LSI-ja e provoi në të njëjtën kohë shijen e bukur të rritjes nga 16 në 19 deputetë dhe shijen e hidhur të të qenurit bosh, pa pushtet tashmë, një ndjenjë mes asaj kur edhe qesh edhe qan në të njëjtën kohë. Është kjo një ndjenjë e pazakontë për një parti e cila qe rehatuar aq shumë me kolltuk, saqë besohej nga të gjithë se nuk do të shkëputej kurrë prej tij. Një ditë historike është edhe për PDIU-në, e cila tashmë nuk ia doli të nxirrte kryetarin e saj deputet dhe ku flamurin parlamentar të kësaj partie do ta mbajnë disa persona kryesisht anonimë, të cilët ideologjikisht janë aq të shpërndarë, saqë filluan ta shpallnin aleancën me pushtetin pa mbaruar akoma mirë numërimi i votave. E, në fund, një ditë super-historike ishte edhe për PSD-në, e cila doli nga muzeu prehistorik i politikës shqiptare dhe sot do të përfaqësohet në parlament, as më shumë e as më pak, por nga një njeri i cili ka bërë marrëveshje me këtë parti pak javë para fushatës elektorale. Një ditë historike për të gjitha partitë e perceptuar nga secila në mënyrën e vet.

Ndërkohë Edi Rama, si kryeministër i rikonfirmuar bindshëm tashmë, natyrshëm ia lejon vetes ta festojë bashkë me votuesit e tij midis currilave të ujit që hidhen hopthi në sheshin e ri fringo të qendrës së Tiranës, Lulëzim Basha sapo ka filluar një udhëtim të gjatë me stresin si pasojë e çoroditjes, mpakjes, përçarjes dhe rrënimit që duket në horizontin e selisë blu. Një rezultat katastrofik i kësaj natyre sigurisht që do të përkthehej në këtë stateofmind jo vetëm i kryetarit, por i të gjithë ambientit demokratik nga maja e piramidës e deri tek anëtari i thjeshtë i partisë. Këto janë ato momente, po ashtu historike, ku shumë përkrahës, militantë, simpatizantë e ku e di se çfarë, jetojnë në mesin e një dyshimi mbi atë se çfarë domethënieje kishte pasur të kaluarit e një pjese jo të vogël të jetës duke mbështetur një forcë politike, aq më tepër kur kjo mbështetje nuk vjen si rezultat i natyrshmërisë dhe ideologjisë, por si rezultat i pragmatizmit dhe interesit imediat. Gjithë kjo e vulosi një fakt të rëndësishëm, se pas kësaj marrëveshjeje dhe pas më shumë se dy dekadash politikë tranzicionale, militantizmi partiak e ka humbur kuptimin e vet dhe tashmë të qenurit militant partiak me këtë lloj volatiliteti politik jashtë parimeve dhe vlerave themelore mbi të cilat kjo politikë ngrihet, nuk ka pikë kuptimi dhe bojkoti djathtas shënon pikërisht fillimin e humbjes së kuptimit etik të të qenurit militant partiak. E nëse për të gjitha partitë parlamentare historia elektorale duket se mbaroi me kaq, për Partinë Demokratike historia vazhdon me ditë të tjera historike, që priten të shfaqen në horizontin e afërt, ku gara për kreun e ri të partisë sapo ka nisur me ngutin e atij që do të rregullojë disa punë të bëra si mos më keq.

Ndryshe nga Partia Socialiste, Partia Demokratike i futi në listat e saja të kandidatëve për deputetë kryetarët e partive të vogla aleate të saja. Kështu, pjesë e listave demokrate u bënë kreu i Partisë Republikane, Partisë Agrare Ambientaliste, Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Partisë Demokristiane, si dhe kreu i partisë së minoriteit grek në Shqipëri, PBDNJ. Këtu ia vlen të ndalemi, sepse minoriteti grek në Shqipëri në këto zgjedhje u përfaqësia edhe nga partia MEGA, e cila u rreshtua në krahun e majtë bashkë me Partinë Socialiste. Vlen të përmendet se kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, deri në momentet e fundit të numërimit rrezikonte të mos e kalonte pragun e deputetit. Kjo flet për një votë të dobësuar dhe të braktisur të minoritetit grek ndaj partisë së tij, e cila për më shumë se dy dekada në pushtet ka qenë mbrojtësja ose edhe fytyra politike e interesave greke në Shqipëri. Arsyet mund të jenë të shumta, por është fakt se gjatë qeverisjes së Partisë Socialiste dhe kryeministrit Edi Rama, një sërë reformash dhe hapash të ndërmarra nga ky i fundit kanë shkaktuar jo pak pakënaqësi në radhët e PBDNJ-së, e cila nga aleate me PS-në, kaloi më Partinë Demokratike. Këtu mund ta përmendim kryesisht reformën e re të ndarjes territoriale, të bërë nga qeveria Rama, për shkak të ndarjeve të reja administrative në 12 qarqe dhe ku zona të minoritetit grek u përfshinë brenda qarqeve të mëdha shqiptare, duke larguar njëherë e mirë pretendimet territoriale ose edhe provokimet që shpeshherë bëheshin nga eksponentë të politikës greke në trojet shqiptare. Një tjetër arsye është se gjatë këtij mandati, për herë të parë, u ngrit çështja çame në nivel të aleancave politike dhe në nivel sensibilizimi ndërkombëtar deri në aprovimin e një rezolute nga Parlamenti Evropian pro kësaj çështjeje..

Po çfarë do të thotë për Shqipërinë dhe shqiptarët rezultati i zgjedhjeve të 25 qershorit? A janë konfigurimet e reja politike një mesazh për një vazhdimësi të politikës së ndjekur deri më tani apo janë mesazh ndryshimi? Duke parë fitoren historike të Partisë Socialiste, e cila e vetme arriti të merrte 74 deputetë nga 140 sa ka Parlamenti i Shqipërisë, rezultat që as në kohën më të mirë, në vitin 2001, PS-ja nuk e kishte kapur e vetme, dhe me një rritje prej 9 deputetësh në krahasim me zgjedhjet e shkuara, përfundimi i thjeshtë logjik të çon në bindjen se ky rezultat është një votë e fuqishme pro PS-së dhe ndjekjes së politikave që të majtët i kanë aplikuar në Shqipëri në këto katër vitet e fundit.

Pjesa më e madhe e bojkotuesve të zgjedhjeve janë nga radhët e së djathtës, të cilët vendosën që në këtë mënyrë ta ndëshkonin në formë asnjanëse luhatjet e moralit politik, që lidershipi i Partisë Demokratike shfaqi gjatë periudhës që nga ditët e fundit të çadrës e deri në zgjedhje. Ky popull mund të etiketohet në çfarëdolloj forme, nga cilido krah politik, por ama bojkoti djathtas është në thelb qëndrim moral, i cili tregon se në thurjen e brendshme ky elektorat ka akoma një kriter të vlerësimit moral të veprimit politik. Kjo nuk është diçka e keqe. Kjo sigurisht që i bën mire edhe vetë Partisë Demokratike. Po ashtu, kjo u bën mire edhe atyre që konceptin e sovranit e kanë relativ, pra kur populli i voton, respektohet si sovran, ndërsa në të kundërtën ai është “i blerë”. Një sovran i blerë nuk mund të jetë sovran thjesht sepse nuk mund ta ushtrojë atributin e sovranit. Nuk besoj se bojkoti masiv mund të quhet blerje e sovranit, andaj dëmi më i madh Partisë Demokratike i erdhi nga bojkoti në shifra historike.

Qëllimi i politikës dhe i politikave, në fund të fundit, ka si synim përfundimtar realizimin e shërbimit ndaj qytetarit, mirëpo, kjo nuk është një gjë e lehtë. Transformimi i ligjërimit politik në produkte reale është procesi më i vështirë i një qeverisjeje. Ne fakt, qeverisjet e mira pikërisht me këtë dallojnë nga të tjerat, me aftësinë dhe kapacitetin për ta shndërruar ligjërimin politik në produkte reale, në të mirë publike. Pra, në një marrëdhënie korrekte me elektoratin. Pikërisht kjo duket se do të jetë sfida më e madhe e fituesit të këtyre zgjedhjeve.

Postime të Ngjajshme