` . Për një universitet me mision dhe ndikim – TV-SHENJA

Për një universitet me mision dhe ndikim

Është fakt se cilësia në arsim ka rënë shumëkund. Fernand Braudel-i në librin “Gramatikë e qytetërimeve”, duke folur për nivelin e arsimit në ish-BRSS, që vlen edhe për shtetet tjera post-komuniste, thotë se arsimi tani prodhon “intelektualë në seri, për të cilët ka nevojë, që nga mësuesi deri te inxhinieri dhe madje deri te profesori i universitetit”

Shkruan: Salajdin SALIHU, Tetovë

Dija është krahasuar me dritën. Krahasimi i këtillë haset në motot e universiteteve prestigjioze: “Zoti më është dritë” (Universiteti i Oxford-it); “Këtu drita dhe dija e çmuar” (Cambridge); “Drita dhe e vërteta” (Yale), kurse mendimi i Naim Frashërit “vetëm dritë e diturisë përpara do të na shpjerë” u bë kryefjalë e Universitetit të Tetovës në fillimet e tij. Vetëm dija dhe e vërteta e çojnë përpara një komb e një shoqëri. Universiteti ka si mision të ofrojë dije të thelluara teorike e praktike dhe të jetë në shërbim të së vërtetës, e cila na bën të lirë. Universiteti ka si mision të përgatisë ekspertë dhe të interferojë në jetën shoqërore, kulturore, shpirtërore, ekonomike, politike.

Misioni i universitetit, sipas Deklaratës së UNESCO-s për Arsimin e Lartë në Shekullin 21, është arsimimi, hulumtimi dhe kontributi për zhvillimin dhe përparimin e shoqërisë në tërësi. Universiteti duhet të formojë qytetarë të përgjegjshëm, të kualifikuar, të angazhuar për zhvillimin dhe përparimin e shoqërisë. Ata duhet të punojnë për shmangien e varfërisë, urisë, dhunës, jotolerancës, diskriminimit, analfabetizmit, të angazhohen për pengimin e përhapjes së sëmundjeve, degradimit mjedisor dhe të kontribuojnë për paqen. Universiteti përgatit qytetarë të informuar, të motivuar, me mendim kritik, analizues problemesh shoqërore dhe ofrues zgjidhjesh të po këtyre problemeve. Qytetari i këtillë, duke qenë aktiv në shoqëri, kontribuon për jetën e përbashkët, për zhvillimin e shoqërisë civile, të demokracisë.  Dhe jo vetëm kaq.

A e kryejnë këtë mision universitetet tona dhe a është perceptim i gabuar apo jo kur flitet për mungesë cilësie në arsim? Do të donim të ishte perceptim i gabuar, por është realiteti me të cilin shpesh nuk duam të përballemi. Është fakt se cilësia në arsim ka rënë shumëkund. Fernand Braudel-i në librin “Gramatikë e qytetërimeve”, duke folur për nivelin e arsimit në ish-BRSS, që vlen edhe për shtetet tjera post-komuniste, thotë se arsimi tani prodhon “intelektualë në seri, për të cilët ka nevojë, që nga mësuesi deri te inxhinieri dhe madje deri te profesori i universitetit”. Sistemi i këtillë arsimor prodhon “gjysmë-intelektualë”, “gjysmë-kulturë të shumicës” dhe nuk e ka si mision formimin e lartë intelektual të studentit. Sipas tij, arsimi edhe në vendet e industrializuara është duke u përgjithësuar dhe priret drejt specializimit, kurse në rrafshin e kulturës së përgjithshme shkon drejt rënies së nivelit.

“Në vend të elitës së ngushtë intelektuale dhe masës së madhe të analfabetëve të qytetërimeve tradicionale, qytetërimet moderne (…) propozojnë një masë njerëzish për të cilët arsimi ka interes vetëm si mjet pune dhe jo si formim i lartë intelektual”, shkruan Braudel-i.

“Prodhimi i gjysmë- kulturës së shumicës” e forcon perceptimin për nivelin e ulët të arsimimit në qytetërimin modern. Megjithatë, aty kemi institucione prestigjioze arsimore që nxjerrin ekspertë të shquar drejtimesh të ndryshme shkencore apo artistike. Në botën shqiptare mund të themi se ka rënie të cilësisë arsimore. Kjo ka ndodhur edhe për shkak të tronditjeve të mëdha shoqërore. Në rrethana të këtilla, madje, ka ndodhur që edhe karriera akademike të arrihej me “ndërhyrje”, në vend se të arrihej me mund pafund, me përkushtim, me disiplinë dhe metodë në punë mendore; të arrihej duke pasur një qëllim të epërm, për të cilin duhet punuar me pasion e përkushtim…

Në dy dhjetëvjeçarët e fundit nuk ka pasur politikë të menduar dhe të qartë arsimore. Janë bërë eksperimentime të shumta. Janë miratuar dhe janë ndryshuar ligje në secilin vit. Janë imponuar modele arsimore pa u studiuar specifikat vendore. Sipas kësaj logjike, pasi bananet janë të shijshme, duhet t’i mbjellim edhe në viset tona, ndonëse nuk kemi klimë të përshtatshme. Ligjet e shumta nuk kanë dhënë rezultate as në arsimin fillor, as në atë të mesëm e as në atë sipëror. Euforia dhe qasja revolucionare nuk sjellin cilësi në arsim. Ato shërbejnë për përfitime të politikës ditore. Kjo politikë e egër ditore ka përfituar duke i futur hundët në sferën arsimore, por ka humbur shoqëria. Ka propaganduar suksese të mëdha, kurse raportet ndërkombëtare, që merren me cilësinë e arsimit, e thonë të kundërtën. Universitetet shqiptare, por edhe të rajonit, janë ranguar shumë ulët në range uropian ose botëror. Në arsimin parauniversitar, sikurse dëshmojnë të dhënat e PISA-s, gjendja është alarmuese.

Politika e paqartë arsimore i ka ngatërruar gjërat. Është kërkuar cilësi në mësimdhënie por pa investime në projekte studimore e hulumtuese. Ka pasur mungesë strategjie afatgjate, e cila u ka munguar edhe universiteteve. Universitetet janë ngatërruar me institutet shkencore dhe anasjelltas. Është krijuar edhe bindja e çuditshme se pedagogët janë për studentët, sepse pa studentët ata ngelin pa punë. Kjo bindje e gabuar e barazon profesorin me tregtarin dhe studentin me blerësin. Ky nuk është misioni i universitetit. Nuk shkon ustai te çiraku, por shkon çiraku tek ustai.

Në botën shqiptare, por jo vetëm në të, ka pasur edhe ndërhyrje në autonominë universitare. Kjo autonomi duhet t’i mbrojë universitetet nga ndikimet e jashtme, qoftë nga shteti ose nga pronari. Mungesa e autonomisë është ndjerë edhe në sferat tjera shoqërore. Kjo mungesë autonomie sferash shoqërore na fut në dimensione hipokrizie dhe serviliteti kundrejt autoriteteve politike. Në arsim kjo mungesë autonomie është tepër e dëmshme dhe me pasoja afatgjate. Autonomia universitare nënkupton hapësirë të palëndueshme universitare nga organet shtetërore. Aty nuk mund të intervenojë as policia pa miratimin e drejtuesve të institucionit arsimor. Kjo autonomi, tradicionalisht, u ka mundësuar universiteteve të mbijetojnë, sikurse thuhet, në kohë ndryshimesh të mëdha shoqërore, madje edhe në kohë regjimesh totalitare…

Universitetet shqiptare janë ashtu sikurse është shoqëria jonë. Qofshin universitete publike ose private. Një shoqërie i duhen universitetet publike dhe universitetet private, kuptohet, duke qenë në vijë të misionit të tyre.

Sigurisht se në universitetet tona janë shënuar edhe të arritura. Ka pasur projekte studimore shumë cilësore. Megjithatë, universiteteve tona, pa traditë të madhe, u duhet strategji afatgjate për të qenë pjesë e një konkurrence më të madhe. Universitetet tona duhet të kenë vizion të qartë për zhvillimin e tyre dhe të shmangin improvizimet e eksperimentimet. Duhet të ketë më shumë esencë dhe më pak fasadë. Sot kemi shumë magjistra e doktorë shkencash, por kjo nuk thotë gjë nëse nuk kemi studime cilësore. Për marrjen e një titulli shkencor mjafton të shkruash një punim me 100 apo 200 faqe tekst, por puna shkencore duhet të reflektojë në shoqëri. Sot për avancime akademike pedagogëve u kërkohen edhe botime me “impakt faktor”, por publikimet e këtilla nuk është se kanë ndonjë ndikim. Vlejnë për karriera personale. Në botë ka plot revista me impaktin e famshëm. Pedagogët shpesh detyrohen të paguajnë qindra euro për publikimin e një studimi në revista të këtilla, sepse u nevojiten për avancime personale. Në revista të këtilla botohen edhe “studime” që nuk thonë asgjë. Në anën tjetër mungojnë studimet që interferojnë në realitetin tonë. Ka pedagogë e studiues që kanë bërë emër në përmasa ndërkombëtare, por jo të gjithë mund të bëhen të tillë. Ligjet ekzistuese për arsimin e lartë e kërkojnë këtë prej të gjithë pedagogëve, por kjo është e pamundur, veçanërisht në disa disiplina shkencore ku nuk kemi kapacitete konkurruese me botën e zhvilluar.

Sot duhet të kërkohen edhe modele të reja të përfshirjes së njerëzve të mendimit nëpër institucionet tona arsimore e shkencore. Jo vetëm ata që kanë tituj shkencorë e akademikë, por edhe emra që kanë dhënë kontribut të çmuar në ndonjë sferë shkencore ose artistike. Kështu veprojnë universitetet prestigjioze të botës. Aty më parë pranohet si ligjërues një personalitet i shquar në një fushë të caktuar shkencore ose artistike sesa një që i ka titujt shkencorë. Kjo nuk mund të ndodhë te ne për shkak të kufizimeve ligjore.

Për të pasur universitete solide, duhet të kemi politikë të qartë arsimore dhe strategji afatgjate brenda universiteteve. Duhet që arsimi të trajtohet si investim në potencialin njerëzor. Duhet të ketë autonomi dhe liri të theksuar akademike. Duhet të ketë sa më shumë kontroll cilësie. Duhet të ketë kritere rigoroze për pranimin e kuadrit mësimor. Duhet të zhvillohet komponenti shkencor e hulumtues në universitete. Të ketë sa më shumë këmbime përvojash me universitetet prestigjioze. Të ketë këmbime studentësh ndërmjet institucioneve arsimore, në rend të parë në plan kombëtar, por edhe ndërkombëtar. Të ketë sa më shumë ndërveprim të universiteteve me shoqërinë. Të ketë investime në infrastrukturë universitare. Të përkrahen sa më shumë projektet kreative të pedagogëve dhe të studentëve. Universitetet shqiptare në Maqedoni duhet jo të diskriminohen, por të privilegjohen në aspektin financiar, sepse kështu kompensohet padrejtësia historike ndaj arsimit në gjuhën shqipe. Kështu universitetet mund ta realizojnë misionin e tyre.