` . Për një kryetar të ri të Parlamentit… – TV-SHENJA

Për një kryetar të ri të Parlamentit…

Shkruan: Agim POPOCI, Mitrovicë

Më 11 qershor askush nuk ka menduar se po voton ose po e kundërshton kryetarin e ri të Parlamentit. Gjysma që i bojkotoi zgjedhjet ishte e qartë se në shportën politike që ka Kosova nuk e sheh mallin që mund ta çojë Kosovën përpara dhe vendosi ta kalojë me qetësi ditën që Presidenti kishte përzgjedhur për ndryshimin e qeverisjes ose një koalicioni më të mirë qeverisës se ai PDK-LDK. Mosvotimi i kësaj oferte politike, ndonëse nuk u përfill fare nga asnjëra palë, si ajo humbëse ashtu edhe ajo fituese e gjysmës pjesëmarrëse, rezultoi si ngadhënjyese e këtyre zgjedhjeve.

Ata që vendosën ta votojnë partinë politike që aderojnë ose ofertën që u la më shumë mbresa sot nuk ndjehen vetëm të habitur dhe të dëshpëruar, por edhe të tradhtuar nga vota e tyre, e cila jo vetëm që nuk prodhoi asgjë, por po sjellë një praktikë të re, të cilën nuk arriti ta prodhojë as Gjykata Kushtetuese e Enverit!

Pritshmëria

Pas një fushate të vakët zgjedhore votuesit në Kosovë iu drejtuan kutive të votimit me pritshmëritë që mund t’i shohin vetëm me syzet partiake. Një ekonomi më e mirë, një mirëqenie dhe një e ardhme që ata panë me këto syze politike përkundër “sukseseve” që i lanë qeveritë e kaluara, do ta çudisin militantin partiak. Në optikën e tyre ata kanë arritur ta imagjinojnë ose shohin një vëlla, komshi ose teze të punësuar me partinë e tyre, që do të fitojë, por në asnjë mënyrë, për asnjë çast një lidership të partisë së tyre që po lufton për ta zgjedhur kryetarin e Parlamentit. Ky post, në zyrat, parullat ose gurmazin e tyre politik nuk ka zënë vend kurrë dhe sot, të habitur, e vëzhgojnë produktin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Enverit nga viti 2004, që po prodhon një ngërç absurd politik, që vetëm qeveri ose koalicion qeverisës të ri nuk po arrin të prodhojë, edhe pse kishte shtrydhur mend me na interpretuar një situatë që ishte krijuar me atë që quhej “Kushtetuta më moderne në Evropë”.

Dhe, ky lloj votuesi partiak, me lidershipin e tyre të dashur dhe këtë lloj kushtetute, me sy në ballë arritën ta japin votën e tyre jo për ta zgjidhur ngërçin politik me ose pa PDK-në, me ose pa LDK-në, por për ta zgjidhur sikletin e madh se kush do të jetë kryetari i ri i Parlamentit!

Ky lloj përçudnimi partiak jo vetëm që prodhoi dëshpërim, por edhe vetë dëshpërimi u përçudnua. Ata që i qëndruan besnik partisë së tyre, edhe pse nuk arritën nga ajo të shohin një vëlla, komshi ose teze të punësuar, dëshpërimi i tyre nuk buroi këtu, në xhepin e tyre. Ishin mësuar me zgjedhjet e reja të shohin një “jugosllav” të LDK-së, që po ua zë vendin e tyre të punës, ose një “komandant të Bllacës” nga PDK-ja, që po u bëhet shef, por kurrë nuk e kishin menduar se vota e tyre do të shitet ose blihet për kryetar të Parlamentit. Aq më pak që ky pazar nuk do të mund të mbyllet edhe pas dy muajve, pa u thënë asnjë fjalë në këtë pazar politik për të ardhmen dhe mirëqenien e Kosovës.

Dëshpërimi do të jetë edhe më i madh pasi zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme e kishte rritur vlerën e pritshmërisë me prezencën e atyre votuesve që situatën e krijuar e kishin ndërlidhur me një rizgjim të ndërgjegjes qytetare, një ndërgjegje kjo e cila e dëshpëroi jo vetëm votuesin që u bind në një Kosovë ndryshe, por edhe votuesin e ri që votën dhe demokracinë e saj e kishte projektuar së bashku me të ardhmen e shtetit që e ka menduar ta shpijë përpara edhe me kontributin e tij. Konfirmimi se zgjedhjet e parakohshme mund të prodhojnë një garniturë të re politike, që nuk arrin të zgjedhë as një kryetar Parlamenti, dhe një përfaqësues i sapozgjedhur i popullit do të shndërrohet në përfaqësues të bossit partiak, do ta bëjë edhe më kompleks dëshpërimin. Askush nuk e ka menduar se po ia jep votën një deputeti që të mos shkojë në seancë parlamentare për ta çuar shtetin e Kosovës përpara dhe do të jetë kryetari i Parlamentit ai që platformën politike të partisë do ta bëjë nul.

Dhe, në fund, ajo që e rrit edhe më shumë temperaturën e dëshpërimit është fakti se askush nuk ia ka dhënë votën partisë së tij, qeveria e së cilës do të varet nga humori i Vuçiqit dhe Listës Srpska.

Tradhtia

Projeksioni i të gjithë atyre që vendosën për të votuar më 11 qershor nuk e kishte imagjinuar edhe tradhtinë që mund ta prodhojë realiteti kosovar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Enverit. Kishte prej atyre që menduan se partia e tyre do të bashkohet me LDK-në si gjithmonë për hir të interesave të atdheut dhe do të formohet një qeveri me ushtarë të vjetër; Kishte prej atyre që menduan se partia e tyre do të bashkohet me LDK-n për hir të xhepit të tyre. Kishte edhe nga ata të Lëvizjes Vetëvendosje që menduan se PDK-ja do ta hapë rrugën dhe do të lejojë një qeverisje ndryshe me ata që nuk kishin rastin të kishin pushtet deri më sot, jo për hir të interesave të atdheut, por për shkak të zullumit të trashur tej normave normale të një demokracie evropiane. Dhe, nuk mungoi pakica që partinë e tyre e shohin vetëm fituese. Fatkeqësisht, që të gjithë u tradhtuan!

Votuesi që partinë e vet e sheh si fituesen e vetme në Kosovë përfundimisht u përshëndet nga ky realitet. Si ai i paqes edhe ai i luftës e kuptuan se konsumimi politik është shumë më i kobshëm në demokraci sesa një kontribut i madh në paqe ose luftë. Dhe, nga 11 qershori kjo është një betejë e humbur në demokraci, pavarësisht se u përjetua si një tradhti!

Votuesi i PDK-së së konsumuar, si më realisti në zgjedhjet e jashtëzakonshme të qershorit 2017, u tradhtua jo nga projeksioni ose vendimet e LDK-së, por nga përzgjedhja e gabuar e lidershipit. Të gjithë e kishin të qartë se janë konsumuar nga pushteti, por LDK-në e tkurrur me patjetër e shikonin në gjirin e tyre, qoftë për arsye patriotike, qoftë edhe për arsye pragmatiste, që kanë të bëjnë me pushtetin dhe facilitetet e tij. Edhe pse votues praktik, ai u tradhtua nga lidershipi i tij, që nuk arriti ta gjejë formulën e pagëzimit për pushtet ndërmjet një premtimi të dhënë aleatit dhe një detyrimi për kompromis me ish-aleatin që dëshmoi se vetëm parime nuk ka, një partner që në këto momente të vështira është shumë i domosdoshëm jo vetëm për ta zgjedhur kryetarin e Parlamentit.

Ky vorbull i krijuar politik, fatkeqësisht, do të prodhojë edhe një tradhti të çuditshme politike. Votuesit e bindur të Lëvizjes Vetëvendosje në fitoren e tyre dhe ata të bindur në arsyeshmërinë e PDK-së për ta hapur rrugën drejtë një Kosove të re, do të pësojnë më keq. Jo se Vetëvendosje nuk i realizoi pritshmëritë e tyre, jo se ajo nuk doli e para, por që u penalizuan nga sistemi që krijoi PDK-LDK me Gjykatën Kushtetuese të Enverit! Fatkeqësisht ky lloj sistemi jo vetëm që e përdhunoi fitoren elektorale, por ai bëri që edhe vet lidershipi i saj të fillojë të mendoj për kryetarin e ri të Parlamentit. Edhe pse realisht kjo tradhti është shumë e rëndë, ajo bëhet më komplekse, kur kalkulim kryesor politik bëhet kreu i Parlamentit të një parlamenti që nuk po arrin të mblidhet dot. Madje, tradhtia bëhet më absurde kur zgjidhja e vetme shihet tek mobilizimi i opozitës së prodhuar për ta bojkotuar Parlamentin e sapozgjedhur. Ata votues të Lëvizjes Vetëvendosje, që në projeksionin e tyre politik e shikonin një PDK të stërngopur nga pushteti, sot mund të jenë ndoshta më të habitur, të dëshpëruar dhe të tradhtuar, por fajtorin për këtë zallamahi mund ta gjejnë edhe në pasqyre. Vërtet koalicioni PAN është fajtor dhe prodhoi ngërç politik, vërtet sistemi që e prodhoi PDK-LDK e dëmton një demokraci të shëndoshë, por këtë realitet nuk e kuron një kryetar se s’bën i Parlamentit të Kosovës. Vetëm Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e vetme e këtyre zgjedhjeve, duhet të formojë qeveri. Çdo shkelje tjetër e realitetit nuk duhet të kërkohet në sirtarët e AAK-së ose AKR-së, sepse aty ka shumë pak vota për t’u gjetur sebepi, edhe pse ka shumë habi, dëshpërim dhe tradhti. Për Kosovën dhe të ardhmen e saj Lëvizja Vetëvendosje është më mirë të pres deri sa t’i lejohet ta krijojë qeverinë sesa të përfshihet në betejën absurde për zgjedhjen e kryetarit të ri të Parlamentit…