` . Për një agim kombëtar - TV-SHENJA

Për një agim kombëtar

Të lindet një njeri!

Pa hyll nëball – por që me fjalë të pushton. Migjeni

Poeti është gjeniu i të rikujtuaritSoren Kierkegaard

Shkruan: Enis SULSTAROVA, Tiranë

Poeti dhe heroi: Soren Kierkegaardi në esenë “Frikë dhe drithërimë” shkruan se heroi dhe poeti janë të pashqitshëm. Ata plotësojnë njëri-tjetrin, ngaqë poeti ose gojëtari e adhuron heroin dhe kërkon që gjithsecili të jetë krenar për heroin, ashtu siç është ai vetë. Po ashtu, bëmat e heroit i kapërcejnë kohërat në sajë të poetit.

Migjeni nuk i këndoi ndonjë heroi të kohës së tij. Ai refuzoi tënjihte idhujt që ngriheshin artificialisht nga një shoqëri që donte me ta të mbulonte anominë e përgjithshme: “E ata që lindin në kohën e idhujve pa krena s’dinë kah t’ia mbajnë”. Talentin krijues ia blatoi, ndoshta për herë të parë në letrat shqipe, kundër heronjve anonimë të mjerimit të përditshëm. Njëkohësisht, ai e shquante humnerën drejt së cilës shkon pashmangshëm shoqëria e varfëruar, materialisht e shpirtërisht, dhe e çakërdisur prej iluzioneve të plotfuqisë së idhujve pa krena: “E katastrofa asht katastrofë! Zhduk kombe! (Kombi ynë me të vërtetë s’u zhduk. Por arsyeja asht vetëm se dhe kojshitë tonët’afërm qenë pak a shumë të një fati si ne)”. Me gjasë, Migjeni nuk ka qenë në dijeni të elaborateve “shkencore” që diskutoheshin te shtetet fqinje për shpërnguljen e shqiptarëve, por ne tashmë e dimë se ishte lufta e re botërore që frenoi përmbushjen e katastrofës shqiptare të nisur me Luftën Ballkanike. Fati i ashpër që i ra kombit tonë në shek. XX, ndoshta na ka kursyer zhdukjen, por na ka lënë zbuluar para katastrofave të reja. Poeti e dinte që rënia në humnerë ndalet duke lëvizur në krahun e kundërt. Në vend të gjunjëzimit para perë(a)nd(or)ive duhej rimëkëmbja kombëtare. Përhumbja duhej të ndiqej nga rikujtimi, e rikujtimi nga ripërtëritja.

Migjeni nuk njeh heronj të kohës që të meritojnë lavde në vargje. Prandaj te poezia “Të lindet njeriu” ai fantazon mbinjeriun, që do “të mkambi një Kohë të Re!”, kohë që poeti nuk do ta shohë, por që ai e di se duhet të agojë dikur. Migjeni është poeti i ngjarjes që do të ndodhë: “Të dali një njeri! Të krijojë një Epope! Ndër lahutat tona të këndohet Jeta e Re…”.

Le të shohim tri figura në këta vargje: njeriu, epopeja dhe lahuta. Heroi është ai që kryen bëma, përmendja e të cilave nga gojëtarët ose këndimi i tyre në lahutë i kthen në epope. Me kalimin e moteve, duket sikur është epopeja që thërret heroin, sepse ky shfaqet si i paracaktuar nga fati për t’i kryer bëmat e veta (p.sh. Vojsava Kastrioti paralajmërohet përmes ëndrrës se do të lindte një dragua). Përkundër heroit, Migjeni kërkon lindjen e një njeriu (“pa hyll në ball”), por që gjithsesi do ta krijojë ngjarjen e madhe, agimin e Jetës së Re. Ky njeri ndoshta nuk do kryejë heroizmat klasike që përshkruhen në epope, por do të na rikujtojë epopenë e dikurshme. Ai do të na flasë në atë mënyrë që ta tronditë qetësinë e gënjeshtër, iluzionin brenda të cilit jetojmë. Fjalët e tij do të na turpërojnë, sepse do të na rikujtojnë se jemi trashëgimtarët e ligështuar të heronjve të së kaluarës. Ky njeri do të na pushtojë me fjalë që bëjnë “gjakun të të vlojë rrkajë” dhe që do na zgjojnë ndërgjegjen kolektive, të cilën ne e kemi tradhtuar, ngaqë jemi kalamendur prej kohësh në një jetesë joautentike. Jetesa e deritanishme ka qenë e gënjeshtër për aq sa nuk ka qenë e orientuar për nga çështja e kombit tonë: deri tani kemi menduar se jemi të vetëmjaftueshëm, edhe pse nuk kemi qenë një; kemi pretenduar të jemi universalë ose shembull për botën (“far ndriçues i socializmit”, model i tregut të lirë, shembull i tolerancës fetare etj.) dhe për këtë kemi harruar gjysmën tonë. Kombet e tjera nuk e kanë tradhtuar vetëdijen. Ata ende “dehen n’epopea të veta”, ndërsa tonit i shtohen rrudhat e tinëz po i ikën jeta (mërgimi i të rinjve dhe i më të aftëve në profesione). Prandaj, Migjeni kërkon që Jeta e Re të këndohet doemos me lahutë, sepse ajo është edhe rikthim te vetvetja. Pa kujtesë nuk ka rigjallërim.

Ngjarja: Kierkegaardi shkruan se poeti është gjeniu i të rikujtuarit. Naim Frashëri u bë poet  i kombit duke rikthyer në kujtesën kolektive bëmat e Skënderbeut. Kombi formohet e rigjallërohet përmes vetëdijesimit, që do të thotë një udhëtim imagjinar te pika e përfytyruar e fillimit, për të hulumtuar se çfarë na bashkon e na bën një kolektiv historik dhe çfarë duhet ta ruajmë si të shtrenjtë për tani dhe në të ardhmen. Në saje të rilindësve, kombi shqiptar u përfytyrua si bashkësi abstrakte që bashkëndante të njëjtat vlera (lirinë, besën, trimërinë, dlirësinë, nderin etj.) përpara se të ishte një realitet sociologjik. Poetë të mëpasshëm e kanë mbajtur gjallë tensionin midis gjendjes së kombit në një periudhë të dhënë historike dhe vlerave e misionit që i përcjell atij kujtesa kolektive.

Vepra e Migjenit rëndom interpretohet si e shkëputur prej traditës së romantizmit shqiptar, por kjo nuk është plotësisht e vërtetë. “Kangët e ringjalljes” përmbajnë tone të romantizmit, edhe prej faktit se frymëzuesi i tyre është Niçe, i cili modelin dionisian të jetës dhe të artit e lartësoi përkundër modelit apollonian, paçka se ai ishte kritik ndaj filozofisë dhe artit romantik gjerman, të përfaqësuar nga Shopenhauri dhe Vagneri. Gjithashtu, “Kangët e ringjalljes” i referohen një cikli nëpër të cilin kanë kaluar kombi dhe atdheu (“vullnete të ndrydhuna”, “toka e rimun me lot”), që do të thotë se fillimi i ri migjenian (“shekulli i ri”, “Koha e Re”, “Jeta e Re”) etj. duhet marrë si aktualizim i ideve romantike të lirisë e lavdisë së dikurshme: “fillin e një hymni që Illyri e vjetër ndër kremtime këndonte, ndërsa zemra e kombit në liri kumbonte”.

Migjeni paralajmëron dhe nxit ngjarjen ose epopenë, që pashmangshëm krijohet nga ndërhyrja e kujtesës kolektive te një gjendje e përhumbur. Riaktivizimi i kujtesës është i pandashëm nga riaktualizimi i saj. Sot ky riaktualizim po bëhet nga Lëvizja Vetëvendosje! Ajo neve, shqiptarëve të sotëm, po na rivendos në linjën e historisë kombëtare. Sikurse UÇK-ja para saj, Lëvizja Vetëvendosje! doli nga ajo pjesë e atdheut ku përpjekja për liri kombëtare nuk ka reshtur asnjëherë, aty ku përplasja e ashpër me pushtuesin ka qenë përditshmëri dhe ku kujtesa e fitoreve dhe e humbjeve të shkuara nuk është zbehur ndonjëherë, sepse plagët nuk janë mbyllur kurrë. Kosova është “toka e rimun me lot”. Prej andej kanë dalë vazhdimisht heronj dhe poetët u kanë kënduar atyre. Që “të dali një njeri” nga mesi ynë, duhet që ai të shpallë vullnetin për liri, fjala e tij të shkundë plogështinë e ndërgjegjeve tona dhe të mobilizojë subjektet për veprim kolektiv. Ky “njeri” a subjekt kolektiv të pushton me fjalë që janë ftesë për t’u përfshirë te një projekt historik i lirisë.

Parulla “Jo negociata, vetëvendosje!” u shfaq në muret e Prishtinës atëherë kur firmat e delegacionit shqiptar në Rambuje kishin anuluar republikën e shpallur me referendum, Kushtetutën e Kaçanikut, institucionet shtetërore paralele dhe betimin e UÇK-së. Kosova vërtet ishte çliruar prej çizmes serbe, por asaj i ishte dashur që lirinë ta këmbente me dorëzimin e subjektivitetit kombëtar. Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e shënjonte Kosovën si një territor i cili nominalisht ishte nën sovranitetin e Serbisë. Prandaj negociohej me Beogradin për statusin politik të krahinës. Kërkesa për vetëvendosje e prishte qetësinë e rreme në Kosovë, sepse shfaqte “ndërgjegjen e tradhtuar” historike, aspiratat e paplotësuara të shqiptarëve për shtetësinë e Kosovës. Parulla “Jo negociata, vetëvendosje!” tregonte se Kosova nuk banohej nga një popullatë, por nga një popull. Lëvizja Vetëvendosje! po e rindërtonte identitetin shqiptar rreth një projekti të ri politik, që kundërshtonte forma të ndryshme të dominimit të popullit: vijimin e sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën dhe rrezikun e copëtimit të saj; ndarjen e kombit shqiptar në disa shtete; qeverisjen jodemokratike të UNMIK-ut që i mohonte subjektivitetin shqiptar; privatizimet e imponuara, neoliberale dhe korruptive të pronës publike në Kosovë, të pashoqëruara me një plan të qëndrueshëm zhvillimor për vendin; diskriminimin në vija etnike i qytetarëve të Kosovës nga Plani Ahtisari. Përballë këtyre formave të shtypjes, Lëvizja Vetëvendosje! në vijimësi ka i artikuluar përpjekjet e ndryshme demokratike dhe shoqërore si pjesë të vullnetit të përbashkët të një populli që kërkon të vendosë vetë për fatin e tij.

Ku i gjen fjalët “njeriu” që parasheh Migjeni? Vetëvendosja e shqiptarëve është parathënë nga Rilindja jonë Kombëtare, e cila nga ana e saj ishte një thirrje për “zgjim” kolektiv, një rikujtim për “ç’ka qenë Shqipëria” dhe një projekt për “ç’do të bëhet”. Përfshirja jonë në Lëvizjen Vetëvendosje! ka të bëjë me rikujtimin dhe ripërtëritjen e ngjarjes fillestare. Çdo 10 Qershor, aktivistë të rinj, të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare, tubohen në Shtëpinë e Lidhjes në Prizren, në vendin ku u hodh themeli i politikës shqiptare. Ata ndezin pishtarët si simbol të bashkimit të ndërgjegjeve përtej ndarjeve shtetërore që na janë imponuar. Pishtarët ndriçojnë në terrin e natës, duke paralajmëruar “një agim të lum e të drejtë kombëtar”.

Me anë të rikujtimit kuptohet vendi yt në botë, ndryshohet edhe bota përmes përmirësimit të vetes. Rikujtimi i flijimeve shqiptare për lirinë i shërben çështjes universale të lirisë. Kur themi se “Kosova është e vërteta e Serbisë”, ne universalizojmë përvojën tragjike partikulare tonën (të mos harrojmë se në vitet 1998-1999 mijëra fëmijë shqiptarë vriteshin e dhunoheshin në Kosovë). Kjo shprehje na fton të bëhemi pjesë e së vërtetës dhe ta gjykojmë dhimbjen tonë jo thjesht si tonën, por edhe si të njerëzimit, siç kujtohen edhe rastet e tjera të gjenocidit dhe spastrimit etnik nëpër botë. Në këtë frazë partikularja është e pashqitur nga universalja, gjë që e bën luftën çlirimtare të UÇK-së një nga rastet e luftës për liri. “E vërteta është militante”, saktëson AlenBadjo. Ajo kërkon që të angazhohemi, kështu që nuk mund të jemi indiferentë me të përcaktuar se “Kosova është e vërteta e Serbisë”. Indiferenca në Shqipëri ndaj fatit të Kosovës, qëndrimi asnjanës në mes të Kosovës dhe Serbisë në emër të “perspektivës së njëjtë evropiane” ose të idesë se tregu (“minishengeni ballkanik”) është i ndarë nga politika, është jetesë brenda gënjeshtrës, mohim i së vërtetës dhe i domethënies universale të dramës së shqiptarëve të Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje! ka krijuar ngjarjen shqiptare në shek. XXI. “Njeriu” migjenian ka lindur, ai është mes nesh dhe po e na tregon afrimin e agimit të ri kombëtar.