` . Pengohet kontrabandimi i 12 kilogramëve marihuanë në vendkalimin kufitar Qafethanë - TV SHENJA

Pengohet kontrabandimi i 12 kilogramëve marihuanë në vendkalimin kufitar Qafethanë

Nëpunësit doganorë nga vendkalimi kufitar Qafëthanë, gjatë zbatimit të kontrollit të rregullt doganor e penguan përpjekjen për futje ilegale të 12 kilogramëve marihuanë në Republikën e Maqedonisë.

Drejtoria Doganore kumtoi se më 9 dhjetor rreth orës 18 në hyrje në Republikën e Maqedonisë në vendkalimin kufitar Qafethanë ka arritur automjeti motorik  me targa italiane, i drejtuar nga personi L.M. shtetase rumune, ndërsa me të ka qenë edhe V.S. gjithashtu shtetase rumune. Personat në gjuhën angleze janë pyetur se a kanë diçka  të paraqesin për kontroll doganor,  me ç’rast janë përgjigjur se nuk kanë asgjë për të  paraqitur dhe se kthehen për në Rumani nga qëndrimi disaditësh në Shqipëri.

Për shkak të dyshimit në deklaratat e tyre automjeti së bashku me udhëtaret është përzgjedhur për kontroll. Gjatë kontrollit të automjetit janë gjetur gjithsej 27 pako (6 në pjesën e pasme të fortifikuar, 8 në pjesën e pasme të majtë, 7 në krahun e djathtë të anës së pasme, 3 në pjesën e anës së majtë dhe 3 në pjesën e anës së djathtë) – qese të zeza të mbështjellura me ngjitëse të tejdukshme të mbushura me marihuanë me peshë të tërësishme prej 12 kilogramë.

Kundër autoreve Drejtoria Doganore parashtroi padi penale për vepër penale të bërë “Prodhimtari të paautorizuar dhe lëshim në qarkullim  të drogave narkotike substancave psikotrope dhe prekursore”, deri te prokurori kompetent publik, ndërsa gjykatësi në procedurën paraprake u caktoi masë paraburgimi në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Në dhjetë ditët e fundit ky është rasti i katërt i përpjekjes për kontrabandim të drogës me ç’rast janë sekuestruar 56,5 kilogramë marihuanë, qëndron në kumtesë. /MIA/

Postime të Ngjajshme