` . Pengesat ligjore për marrjen e shtetësisë nga ana e të shpërngulurve - TV-SHENJA

Pengesat ligjore për marrjen e shtetësisë nga ana e të shpërngulurve

Për një dëshpërim më të madh të popullatës, mosbesim në sistem dhe cytjen e shpërnguljes se popullatës myslimane në Maqedoni në periudhën midis dy luftërave botërore, dukshëm ndikuan edhe myslimanët e pasur, si dhe udhëheqjet fetare, me qëndrimin e tyre të korruptuar, për çka ndjehej një tension që shtohej edhe përmes propagandës së ndihmuar nga ana e pushtetit

Shkruan: Limko BEJZAROSKI, Kërçovë

Mënyra se si trajtohen të shpërngulurit, sipas Ligjit aktual për shtetësinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, neni 11, sipas të cilit rregullohet mundësia dhe e drejta për marrjen e shtetësisë me anë të natyralizimit të të shpërngulurve nga vendi ynë, të lindurit në Maqedoni si dhe pasardhësit e tyre kanë të drejtë ta kthejnë shtetësinë pos individëve të dëbuar në vendet amë, më intrigoi për hulumtime të thella shkencore në këtë sferë. Në fakt, shprehja “vendi amë” është shumë interesant dhe krijon mundësi për diskutim të gjerë dhe analizë të shkencës historike dhe politiko juridike, për shkak të shumë fakteve dhe argumenteve që e e komplikojnë një zgjidhje të këtillë ligjore. Epiteti i tillë vetvetiu e bën problematik dhe diskutueshëm për shkencën:

Kualifikimi se të shpërngulurit janë shpërngulur në “Vendin amë” është çështje për të cilën duhet të deklarohet shkenca historike dhe politike-juridike dhe jo vetëm deputetët, kjo për shkak të jokompetencës së tyre për të vërtetën historike.

Sipas të shpërngulurve, ndjenja rreth çështjes së “Vendit amë”, sipas hulumtimeve të realizuara në terren, del kështu

  • Është kontestues kualifikimi “Vendi amë” për popullatë të pakolonizuar në vendin tonë;
  • Popullata që është shpërngulur në bazë të propagandës dhe agjitimit nga ana e pushtetit.
  • Neni i dytë kontestues nga Ligji për shtetësi është neni 7, i cili është i ndërlidhur me nenin 11. Me ligjin e njëjtë ka të bëjë edhe realizimi i së drejtës për kthimin e shtetësisë së të shpërngulurve sipas “marrëveshjes ndërkombëtare”.

 

Marrëveshja turko -jugosllave

 

Për shpërnguljen e popullatës turke dhe asaj myslimane në Turqi ekzistojnë më shumë marrëveshje ndërshtetërore midis Jugosllavisë dhe Turqisë. Kështu, pos Konventës së vitit 1938, marrëveshjet tjera janë: më 5 janar, 1950, në Ankara, “Protokolli për kompensimin e pronës turke dhe të interesave pronësore në Jugosllavi”, me çka, de facto, udhëheqësit jugosllavë u obliguan për kompensimin e popullatës së mëparshme myslimane. Sipas historianëve turq, H Oksyz dhe I. Koksal, në vitin 1952 Turqia dhe Jugosllavia nënshkruan “Marrëveshje ndërshtetërore për shpërngulje të lirë” (“Serbes GöçAnlaşması“) të myslimanëve. Gjithashtu, sipas historianit serb Vlladan Jovanoviq dhe sipas disa autorëve shqiptarë e boshnjakë, në janar të vitit 1953 në Brione, pas bisedimeve midis Josip BrozT itos dhe ministrit të atëhershëm turk të Punëve të Jashtme, Fuad Kopryli, u arrit e ashtuquajtura “Marrëveshje xhentëlmenë”. Menjëherë pas kësaj, në prill të vitit 1953, u nënshkrua edhe “Marrëveshja midis sekretarit shtetëror për punën të jashtme të RFP të Jugosllavisë – Millan Bartosh dhe ambasadorit të Republikës së Turqisë në Beograd – Agah Aksel, për shpërnguljen e turqve, me çka u precizuan detajet rreth shpërnguljes se personave të nacionalitetit turk nga RFP e Jugosllavisë në Turqi.

Shpërngulja e personave u bë edhe nga rajonet e dikurshme të Vardarit, Zetës dhe Moravës, ndonëse objekt i marrëveshjes së vitit 1938 është projekti i “klubit serb” për shpërnguljen e popullatës me prejardhje, kulturë dhe gjuhë turke.

Aspekti atraktiv që e ofron vendi ynë, RP e Maqedonisë, për marrje më të lehtë të dokumenteve për shpërngulje është një fakt që na udhëzon për një hulumtim të thellë shkencor, kurse vetë procedura e marrjes së këtyre dokumenteve tregon se bëhej fjalë për një akt më shumë politik dhe tendencioz sesa për një akt juridik të qëndrueshëm.

 

Propaganda për shpërngulje

 

Për një dëshpërim më të madh të popullatës, mosbesim në sistem dhe cytjen e shpërnguljes se popullatës myslimane në Maqedoni në periudhën midis dy luftërave botërore, dukshëm ndikuan edhe myslimanët e pasur, si dhe udhëheqjet fetare, me qëndrimin e tyre të korruptuar, për çka ndjehej një tension që shtohej edhe përmes propagandës së ndihmuar nga ana e pushtetit. Propaganda për shpërnguljen e turqve u shtua me ndryshimin e shpejt të qëndrimit të udhëheqjes më të lartë jugosllave rreth kësaj çështje, sidomos në RP të Maqedonisë, Kosovë dhe Sanxhak, kur filloi propaganda intensive për shpërnguljen jo vetëm të turqve, por edhe të gjithë popullatës myslimane, në të cilën merrnin pjesë struktura të ndryshme të sigurimit, duke përfshirë edhe personalitete të larta partiake-shtetërore, siç ishin Jovan Veselinov, kryetar i atëhershëm i KE të Kuvendit të RP të Serbisë, Aleksandar Rankoviq, ministër federativ i Punëve të Brendshme, Llazar Kolishevski, kryetar i Kuvendit Popullor të RP të Maqedonisë dhe personalitete tjera. Në këtë drejtim, aktivitetet e para konkrete publike në RP të Maqedonisë filluan me fjalimin e Llazar Kolishevskit në konferencën partiake të Komunës Saat Kulla ose Kale, të mbajtur në vjeshtën e vitit 1953, kur ai haptazi u angazhua për shpërnguljen e turqve, duke i kundërshtuar me këtë rast disa intelektualë turq, të cilët angazhoheshin për uljen e intensitetit të shpërnguljes. Pas kësaj konference partiake, fushata për masivitetin e shpërnguljes u përqendrua në shtypin e atëhershëm (“Nova Makedonija”, “Politika”, “Borba”, “Birlik”, “Flaka e vëllazërimit” etj). Paraprakisht në Plenumit VIII të KQ të LKM, të mbajtur më 3 qershor, 1953, Ll. Kolishevski, për herë të parë, ndër të tjera, do ta thotë edhe këtë: “Ne nuk duhet t’i pengojmë ata që vullnetarisht dëshirojnë të shpërngulen”. Por, mesazhi më i drejtpërdrejtë për largimin e turqve nga vatrat e tyre, megjithatë, u shpreh në gazetën “Nova Makedonija”, përmes intervistës së Llazar Kolishevskit që u botua më 28 mars, 1954 ,intervistë kjo përplot me të pavërteta. Prandaj, edhe vlerësimet zyrtare për shpërnguljen lëvizin në kuadrin kronologjik para dhe pas “fjalimit për shpërnguljen e turqve dhe popullatës tjetër myslimane të funksionarit të lartë shtetëror dhe partiak, Llazar Kolishevski”. Ndonëse deri atëherë shpërngulja vlerësohej si “veprimtari armiqësore”, qysh në vitin 1954 Komisioni i Pakicave Kombëtare pranë KQ të LKM-së konstatoi se shpërngulja e turqve nuk është dukuri e re e aq më pak se kjo dukuri ka të bëjë me “mosdurim nacional dhe fetar”. Në klimën e re politike konsiderohet se shpërngulja nuk është shkaktuar nga ndonjë aktivitet armiqësor drejtuar “kundër ndërtimit të socializmit”. Edhe pse pati edhe dukuri të tilla, “ato nuk ndikuan në shpërngulje”.

Në të gjitha marrëveshjet qe rregulluar shpërngulja, por kësaj çështje vulë iu dha në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur më 16.3.1955 në Beograd, e cila iu kushtua procesit të shpërnguljes në pjesët e Jugosllavisë të banuara me turq. Në këtë mbledhje, krahas nënkryetarit të Qeverisë Aleksandar Rankoviq, morën pjesë edhe Kërste Cërvenkovski, S. Stefanoviq, M. Bartosh, L. Gershkoviq, V. Llukiq, M. Vuçkoviq dhe P. Iviçeviq. Në mbledhje u analizua mirë dhe në mënyrë precize u shqyrtua çështja e shpërnguljes së popullatës turke në pajtim me “Marrëveshjen xhentëlmenë” për shpërngulje, procedurat, arsyet dhe pasojat e shpërnguljes. Në mbledhje të Qeverisë u arrit pajtimi për drejtimet bazë dhe parimet për shpërngulje. Aty u tha se së pari nevojitet që organet kompetente ta vërtetojnë përkatësinë kombëtare të personit që kërkon çregjistrim nga shtetësia. Nëse vërejnë se bëhet fjalë për mysliman me përkatësi shqiptare ose maqedonase, lutja e tij duhet të refuzohet. Shpërngulja në Turqi u miratohej vetëm atyre individëve që janë të përkatësisë turke. Në rast se ka problem në verifikimin e përkatësisë kombëtare të ndonjë individi, atëherë duhet të merren parasysh këto elemente:

  • Nëse në familjen e personit përdoret gjuhet turke si gjuhë e familjes dhe kërkuesi e flet gjuhën turke.
  • Si është deklaruar personi në bazë të përkatësisë kombëtare para organeve kompetente pas vitit 1944 (në librin e shtetësisë, deklarata në procedurën e nxjerrjes së lejes së njoftimit e të ngjashme). Për person të përkatësisë turke konsiderohet ai parashtrues që i plotëson këto dy kushte. (Sidomos kushti i dytë i nënkupton ata persona që vazhdimisht janë deklaruar si përfaqësues të përkatësisë turke.)
  • Parashtruesi i kërkesës për çregjistrim duhet të ofrojë vërtetim të dhënë nga MPB-ja, Këshilli Popullor (rajon, qark ose qytet) se është i përkatësisë turke.
  • Shqiptarëve dhe myslimanëve të përkatësisë maqedonase nuk duhet t’u miratohet shpërngulja në Turqi. Lutjet e tyre mund të miratohen vetëm me vendim të veçantë të MPB-së, nëse ka arsye të qëndrueshme me interes për pjesën tjetër të popullatës.

 

Kur i kemi parasysh të gjitha këto argumente, atëherë imponohet çështja serioze: vallë deputetët në përbërjen e atëhershme parlamentare i patën parasysh këto aspekte, për t’u pajtuar me kualifikimin e këtillë të ligjit, i cili është restriktiv, pas supozimit se janë shpërngulur në shtetin amë dhe me marrëveshje ndërkombëtare.

 

* Autori është nga lëmi i historian