` . Pendarovski dhe Ismaili hapin “Verën e Ohrit” (Video) - TV-SHENJA

Pendarovski dhe Ismaili hapin “Verën e Ohrit” (Video)

Qyteti i Ohrit këtë vit shënon Edicionin e 59-të të manifestimit të rëndësishëm muzikor skenik në vend, Festivali “Vera e Ohrit”, i cili do të mbahet në Teatrin Antik. Festivalin e shpalli të hapur organizatori dhe njëkohësisht presidenti i vendit, Stevo Pendarovski. Ai foli për artin si për atdheun në të cilin ka vend për secilin edhe për të prekurit, edhe për të përjashtuarit, edhe për të privuarit. Presidenti u zotua se ata çdo gjë që është në fuqinë e tyre për ta ruajtur statusin e Ohrit si qytet i UNESKO-s.

Stevo Pendarovski, president
“Këtë atdhe e ndërtojnë njerëzit të cilët besojnë në fuqinë e së bukurës, të bashkojë, në vend që të ndaj.Të krijojmë hapësirë për të tjerët në vetveten tonë dhe të synojmë në pajtimin e vërtetë civil nëpërmjet drejtësisë dhe faljes. Duke ndërtuar një shoqëri për të gjithë, të përkujtohemi se ne i takojmë njëri-tjetrit dhe bashkërisht jemi pjesë e hapësirës së gjerë civilizuese dhe kulturore evropiane”.

Duke folur mbi rëndësinë e “Verës së Ohrit“ ministri i Kulturës Hysni Ismaili nënvizoi se ky festival luan rol të madh edhe për afirmimin e kulturës së Maqedonisë në botë dhe për perspektivat evropiane të vendit.

Hysni Ismaili, ministër i Kulturës
“Më lejoni edhe një herë të shpreh besimin dhe përkushtimin tim të thellë për t’u kujdesur dhe për t’i realizuar prioritetet evropiane të cilat janë të rëndësishme për kontekstin kulturor të vendit. Mes tyre është sigurisht njëra nga ikonat më bashkëkohore evropiane të Maqedonisë së Veriut – Vera e Ohrit, që me dinjitet dhe fuqishëm lufton me sfidat bashkëkohore duke e mbajtur hapin e autoritetit të vërtetë bashkëkohor në kulturën e vendit“.

Këtë vit porosinë artistike tradicionale e ndau regjisori i shquar maqedonas me famë evropiane, Aleksandar Popovski, i cili është përzgjedhës i programit dramatik të festivalit

„Vera e Ohrit“ u hap me koncertin spektakolar të yllit britanik, violinistja Vanesa Mej, me Filarmoninë e Maqedonisë dhe me artistët e Operës dhe Baletit Nacional.

Në festivalin që zgjat tradicionalisht deri më 20 gusht, do të interpretojnë muzikantët e shquar nga Italia, Austria, Rusia, Bullgaria, Gjermania, Çekia, Sllovenia, Shqipëria, Norvegjia, Kroacia, Franca, Serbia, Kosova, Finlanda, ndërsa në pjesën e dramës, do të ketë produksione nga Sllovenia, Kroacia, Kazakistani, Turqia, Portugalia, Serbia, si dhe shfaqje vendore. Emine Ismaili /SHENJA/