` . Pazarllëqe mes PYD/PKK-së dhe Asadit lidhur me Afrinin – TV-SHENJA

Pazarllëqe mes PYD/PKK-së dhe Asadit lidhur me Afrinin

Organizata terroriste PYD/PKK ka përshpejtuar negociatat për bashkëpunim në Afrin me regjimin e Bashar Asadit, pasi është vënë në një pozitë të vështirë nga operacioni “Dega e Ullirit” të udhëhequr nga forcat turke, raporton Anadolu Agency (AA).

PYD/PKK është vënë në një pozitë të vështirë pasi Forcat e Armatosura të Turqisë (TSK) dhe Ushtria e Lirë Siriane (ULS) çliruan mbi 70 pika në veri, perëndim, veriperëndim, jugperëndim dhe lindje të Afrinit.

Brenda javës së kaluar, kanali televiziv Majadin, i njohur për afërsinë me Hezbollahun e mbështetur nga Irani, kishte pohuar se PYD/PKK ka realizuar bisedimet e para për t’ia kaluar Afrinin regjimit të Asadit.

Sipas të dhënave që AA ka siguruar nga burimet lokale, në takimin mes PYD/PKK-së dhe regjimit të Asadit, të cilët u takuan me ndërmjetësim të Rusisë në qytezën Shehba në veri të Halepit, nuk është arritur marrëveshje.

– Mosmarrëveshje në braktisjen e armëve

Siç mësohet, regjimi i Asadit ka vënë kusht që të gjithë anëtarët e PYD/PKK-së në Afrin të braktisin armët, gjë të cilën organizata terroriste nuk e ka pranuar, ndërkohë që bisedimet do të vazhdojnë tutje.

Teksa regjimi ka ruajtur heshtjen lidhur me këtë çështje, i ashtuquajturi përgjegjës i PYD/PKK-së në Afrin përmes një organi mediatik të organizatës tha se nuk do t’i refuzojnë ata që dëshirojnë t’u ofrojnë mbështetje kundër Turqisë.

Ai po ashtu pretendoi se askë nuk e kanë ftuar zyrtarisht në Afrin.

Megjithatë, Rezon Gilo, përgjegjësi i komisionit mbrojtës të të ashtuquajturit kantoni Xhezire, duke folur për televizionin Kurdistan24 të Irakut, pranoi se janë në negociata me regjimin për mbrojtjen e kufijve të Afrinit.

Ai po ashtu tha se marrëveshja nuk është arritur pasi regjimi ka kërkuar t’ua marrë armët.

– Në agjendë modeli i Menbixhit

Regjimi i Asadit kishte ndihmuar organizatën terroriste PYD/PKK edhe në luftimet e saj me TSK-në dhe ULS-në në perëndim të qytetit Al-Bab, në kohën kur Turqia po kryente operacionin antiterrorist “Mburoja e Eufratit”.

Duke vepruar kundër një operacioni të mundshëm të Turqisë në Menbixh, regjimi i Asadit kishte vendosur ushtarë në vijën kufitare të rajonit të Operacionit “Mburoja e Eufratit” në perëndim të Menbixhit.

Burime të besueshme lokale, të cilat kanë dhënë informacione për AA, thonë se organizata terroriste në Afrin, ashtu siç nuk dëshiron t’i braktisë armët, ashtu nuk dëshiron edhe t’ia lë qeverisjen regjimit, për ç’arsye, sipas burimeve, është filluar të negociohet modeli i Menbixhit.

Sipas këtij modeli, për të cilin pretendohet se PYD/PKK dhe regjimi i Asadit kanë arritur të dakordohen, regjimi do të transferojë në Afrin elemente ushtarake në numra simbolikë.

Ushtarët e regjimit do të vendosen në zona të cilat me nisjen e Operacionit “Dega e Ullirit” janë shndërruar në fronte.

– Marrëdhëniet mes Asadit dhe PYD/PKK-së

Prania e PYD/PKK-së në Siri filloi kur kreu terrorist Abdullah Ocalan në vitin 1979 iku në Siri. Pas kësaj kohe, Ocalan, i cili realizoi shumë kongrese në kampet në Siri në të cilat u caktuan sturktura dhe aktet e organizatës terroriste, për 19 vite udhëhoqi PKK-në nga Siria.

Organizata terroriste PKK mbajti kongresin e parë në Siri në vitin 1981. Në kongresin e dytë të mbajtur në kryeqytetin sirian Damask në vitin 1982, me mbështetje të regjimit të Hafiz Asadit mori vendimin për luftë të armatosur kundër Turqisë.

Pushteti i Hafiz Asadit ndihmoi organizimin e PKK-së në veri të Sirisë, për ta përdorur atë në marrëdhëniet e tensinonuara me Turqinë për shkak të provincës Hatay dhe mosmarrëveshjes rreth ujit.

Lidershipi i organizatës së dirigjuar nga PKK, e cila në Siri mori emrin PYD, iu dha anëtarit të inteligjencës së Damaskut, Mervan Zeki. Ndërkaq, Salih Muslim, ish i ashtuquajturi kryetar i kësaj organizate, ishte përgjegjës për byronë politike të kësaj partie. Me udhëzim të Damaskut, PYD iu qas zyrtarisht aktiviteteve politike më 12 tetor të vitit 1998, dy muaj pasi Ocalani braktisi Sirinë.

Me ndryshimet e pushtetit që ndodhën në Damask pasi Ocalani braktisi Sirinë me Marrëveshjen e Adanas, u ripërtërinë edhe marrëdhëniet Asad-PKK. Mbështetja e regjimit të Asadait në vakumin autoritar dhe kaosin e shkaktuar nga lufta civile e cila filloi në vitin 2011 në Siri, përgatiti terrenin për organizimin e organizatës terroriste PKK në veri të Sirisë nën emrin PYD dhe formimin e strukturave të armatosura dhe administrative.