` . Pas dorëheqjes Kocias thotë se ka “ndjekur zgjedhjen e tij” (Video) – TV-SHENJA

Pas dorëheqjes Kocias thotë se ka “ndjekur zgjedhjen e tij” (Video)

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kocias ka paraqitur dorëheqjen e tij mesditën e sotme, pas tensioneve me ministrin e Mbrojtjes Panos Kammenos lidhur me marrëveshjen e Prespës. Sipas mediave greke, Kocias ishte i pakënaqur për faktin se kryeministri Alexis Cipras nuk e mbështeti atë gjatë sulmeve të Kammenos. Kamenos kishte akuzuar Kociasin se ishte nxituar me Marrëveshjen e Prespës për emrin e Maqedonisë dhe se kjo gjë duhet të ishte diskutuar pas zgjedhjeve. Po ashtu, raportohet se gjatë takimit të kabinetit të zhvilluar ditën e djeshme, Kammenos akuzoi Kociasin për keqmenaxhim të fondeve sekrete të Ministrisë së Jashtme, madje duke e cilësuar si një mbështetës të miliarderit amerikan George Soros. Kotzias është ndier mjaft i fyer nga këto akuza, duke marrë edhe vendimin për dorëheqje.

Kocias, një një postim në Twitter mes tjerash ka shkruar se, një numër i ministrave kanë bërë zgjedhjen e tyre dje ndërsa ai ka ndjekur zgjedhjen e tij.

Kryeministri Cipras ka pranuar dorëheqjen e kryediplomatit grek,dhe në periudhën vijuese Cipras do ta drejtojë  Ministrinë e Punëve të Jashtme. Pritet që të vazhdojnë pëpjekjet për të implementuar Marrëveshjen e Prespës, e cila vlerësohet se shkaktoi edhe tërheqjen e Kociasit nga ekzekutivi grek.

Kocias ka qenë negociatori i palës greke gjatë bisedimeve për zgjidhjen e kontestin të emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë. Si negociator kryesor, ai po ashtu,  është edhe nënshkrues i Marrëveshjes së Prepsës në qershor të këtij viti. Gjatë kohës kur zhvilloheshin negociatat mes Maqedonisë dhe Greqisë për zgjidhjen e këtij kontesti, Kocias disa herë ka qenë shënjestër e akuzave dhe kërcënimeve publike, ndërsa disa herë ka pranuar edhe letra anonime me përmbajtje kërcënuese dhe me plumba në to. Teuta Buçi /SHENJA/