` . Partitë, e keqja e domosdoshme në politikë – TV-SHENJA

Partitë, e keqja e domosdoshme në politikë

Historikisht, partitë kanë mbajtur vulën e kohës e të rrethanave kur janë krijuar. Në lashtësi strumbullari i përcaktimeve dhe diferencimeve politike midis njerëzve ishin përfytyrimet mbi perënditë e besimeve pagane. Për shumë kohë njerëzit janë përcaktuar e dalluar sipas feve monoteiste ose sipas sundimtarëve nën të cilët jetonin, veçanërisht monarkëve absolutë

Shkruan: Abdi BALETA, Tiranë

Politikën duhet ta perceptojmë si rregullatorin kryesor në të gjitha fushat dhe drejtimet e veprimtarive njerëzore, edhe pse ka vlerën e vet formula marksiste mbi politikën si “shprehje e koncentruar e ekonomisë”. Partitë janë aktoret kryesore, që prodhojnë politikë dhe që e sigurojnë rolin e politikës si burimi parësor i pushteteve shtetërore. Për politikën janë dhënë plot përkufizime. Shumë shqiptarë parapëlqejnë përkufizimin “politika është arti i së mundshmes”. Mua në duket se politika është, në radhë të parë, shkencë, pastaj art. Formulimi i Makiavelit se “Politika është arti për të ndjekur e përmbushur qëllimet me mjetet më të përshtatshme” është më i saktë. Ky perceptim ndihmon për ta kuptuar edhe më qartë natyrën e partive politike si “bashkime individësh për të mbrojtur interesa e qëllime të caktuara të përbashkëta…, organizata, formacione, lëvizje, anëtarët e të cilave veprojnë bashkërisht për qëllime politike” (Le Petit Robert). Fjala “parti”, në kuptimin parësor gjuhësor, do të thotë pjesë, që nënkupton se në jetën politike të shoqërisë nuk vepron vetëm një formacion, një forcë që të përfaqësojë e realizojë aspiratat e të gjithëve. Një parti mund të ngrihet vetëm mbi baza objektive, mbi interesa të caktuara më të ngushta e të përbashkëta; ajo arrihet nëpërmjet veprimit subjektiv, qëllimit e mendimit të përbashkët. Për funksionimin e mirë të një partie merr rëndësi të veçantë edhe përputhja e karaktereve të atyre që e krijojnë dhe harmonia e atyre që e drejtojnë.

*          *          *

 Historikisht, partitë kanë mbajtur vulën e kohës e të rrethanave kur janë krijuar. Në lashtësi strumbullari i përcaktimeve dhe diferencimeve politike midis njerëzve ishin përfytyrimet mbi perënditë e besimeve pagane. Për shumë kohë njerëzit janë përcaktuar e dalluar sipas feve monoteiste ose sipas sundimtarëve nën të cilët jetonin, veçanërisht monarkëve absolutë. Revolucioni Francez i fundit të shekullit XVIII solli shfaqjen e bashkimeve politike sipas kriteresh kryesisht laike, sipas shtresëzimeve shoqërore e ndarjeve klasore brenda shoqërive të reja më të gjera kombëtare. Në shekullin XIX partitë ngriheshin tashmë mbi baza doktrinare, politike dhe ideologjike, brenda një shteti, ose dhe mbi baza transnacionale, si Lidhja Komuniste në kohën e Marksit dhe Engelsit, ku u ndje fort ndikimi i doktrinave e ideve komuniste e liberal-demokrate. Shekulli XX u karakterizua nga lindja e forcimi i partive me karakter ekstremist e totalitar, të tipit të ri fashist e komunist, që çuan në disa vende në unifikimin e partisë me pushtetin e shtetin, pra në regjimet moniste. Sot në botë ka parti dhe struktura ndërpartiake të ndryshme të disa tipeve. Në vendet më të zhvilluara të Perëndimit dallohen dy sisteme partiake të veçantë: sistemi dypartiak amerikano-britanik, me alternime të ndërsjella në pushtet, dhe sistemi europian kontinental, me disa parti konkurruese për pushtet, që më shumë prodhojnë qeverisje me koalicion. Pluralizmi partiak merret si tregues i shkallës së demokracisë në një vend. Por, ka ende parti-shtet, si në Kinë, Korenë e Veriut etj. Në Europë tani vërehen shumë paqëndrueshmëritë në konstelacionet partiake. Në disa vende europiane po ndodh një proces rindërtimesh dhe riorientimesh partiake. Forcat liberal-demokrate e moderatore të fuqishme, për disa dekada, janë dobësuar; po ringjallen forcat politike konservatore e radikale. Në kuadër të Europës së Bashkuar po përshtatet sistemi anglo-sakson me dy parti, sepse janë krijuar dy konglomerate partiake: “e majta”, si Internacionale Socialiste, dhe “e djathta” konservatore, si Bashkimi i Partive Popullore. Këto konglomerate po luajnë gjithnjë e më shumë rolin e dy partive të mëdha të Europës, që kushtëzojnë rolin e partive në çdo vend. Këtë kushtëzim e vuajnë shumë partitë politike në Shqipëri, që më shumë mendojnë e veprojnë si seksione të këtyre dy superpartive se si parti kombëtare.

Shqipëria dhe shqiptarët janë përfshirë shumë vonë në vallen e krijimit të partive moderne. Për arsye të ndërlikuara historike, Shqipëria deri vonë nuk ka njohur jetë parlamentare të vërtetë,  demokratike e pluraliste dhe nuk ka pasur parti politike të mirëfillta. Parlamenti i parë shqiptar u zgjodh dhe u mblodh në vitin 1921. Tri forca politike rudimentare, që nuk kishin fizionomi të plotësuar partiake, u bënë protagoniste të parlamentarizmit fillestar shqiptar, që dha shenja se po hynte në rrugë të mbarë. Por,shumë shpejt, në qershor të vitit 1924, ai mori një goditje fatale nga i ashtuquajturi “revolucion demokratik” (në fakt rebelim e puç ushtarak) i drejtuar nga Fan Noli, i cili kur shkoi në Lidhjen e Kombeve foli si kundërshtar i rreptë i parlamentarizmit. Në dhjetor të atij viti Ahmet Zogu e organizoi revanshin e suksesshëm politik, që e quajti “triumfi i legalitetit”, dhe rihapi rrugën e parlamentarizmit mbi bazën e zgjedhjeve që ishin mbajtur në fund të vitit 1923. Por gjatë regjimit autoritarist të Zogut, fillimisht si president republike e pastaj si monark, deri në vitin1939 parlamentarizmit në Shqipëri iu la një fushë e ngushtë veprimi dhe kjo nuk e favorizonte krijimin e partive të spikatura politike dhe të opozitës së organizuar partiake. Pas këtyre zhvillimeve, përpjekjet për të krijuar parti politike shqiptare u zhvendosën jashtë Shqipërisë, por bëheshin më shumë në rrugë komplotiste, si bisht agjenturash të huaja.

Në vitet e Luftës së Dytë Botërore në Shqipërinë e pushtuar nisën përpjekjet për organizim formacionesh politike në funksion të organizimit të luftës çlirimtare. U krijua Partia Komuniste e tipit totalitarist-leninist dhe organizatat amorfe të Ballit Kombëtar e Lëvizjes së Legalitetit, që në fakt ishin më shumë lëvizje se parti. Balli Kombëtar kishte një program të tipit social-demokrat, ndërsa Lëvizja e Legalitetit përqendrohej tërësisht në një pikë të vetme, rivendosjen e monarkisë. Ndërkaq Partia Komuniste ndiqte synime e praktika më doktrinare për shndërrimin e luftës nacional-çlirimtare në revolucion shoqëror e klasor, me ambicien kryesore që – pas mbarimit të luftës – të mos e ndante pushtetin me formacione të tjera. Kjo nxiti luftën civile, ende pa u çliruar Shqipëria, dhe mbylli për një kohë të gjatë rrugën për vendosjen e pluralizmit politik në vend, ku u vendos një regjim i egër monist komunist.

Hapi i parë real drejt krijimit të disa partive politike dhe vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri u bë me shumë vonesë, në dhjetor të vitit 1990, kur Lëvizja Studentore ia imponoi një gjë të tillë regjimit monist komunist. Më 12 dhjetor 1990 u shpall e para parti opozitare, Partia Demokratike. Pas saj dolën në skenë dhe disa parti të tjera, sa për ta bërë më të larmishëm spektrin politik. Këto procese u përgatitën dhe, në njëfarë mase, u kontrolluan nga udhëheqja e Partisë së Punës. Tani është bërë e qartë se nuk mund të ndodhte ndryshe. Në vend nuk kishin mbetur forca të organizuara antikomuniste dhe nuk kishin lindur organizma disidente që do ta merrnin rolin e partisë opozitare. Doli e pabazuar dhe frika e madhe e udhëheqjes së Partisë së Punës, se lejimi i pluralizmit politik do të bënte që forcat kundërshtare të komunistëve do të vinin nga mërgimi dhe do të përbënin rrezik për ndeshje të mëdha politike. Kështu, monizmi partiak komunist në fakt u shndërrua në një pluralizëm partiak nën kontroll komunist. Por, gjithsesi, edhe këto zhvillime qenë një fitore për shqiptarët në ato çaste, sepse filloi thyerja e madhe në jetën politike të vendit, ndonëse edhe në parlamentin e parë pluralist, pas zgjedhjeve të 31 marsit 1991, Partia e Punës ishte përsëri mbizotëruese, me dy të tretat e deputetëve. Megjithatë, ajo e pa veten të pafuqishme të qeveriste vet dhe dëshpërimisht i kërkoi, madje i imponoi, Partisë Demokratike një bashkëqevrisje nën emrin “qeveri e stabilitetit”. Kështu, brenda 2 muajsh Shqipëria mbeti sërish pa opozitë politike parlamentare. Kjo gjendje paradoksale dhe e dëmshme për demokracinë u përmbys pas një lufte të vështirë brenda në PD, në saje të veprimit politik të krahut radikal të kësaj partie dhe më 22 mars 1992 u organizuan zgjedhje të parakohshme, ku Partia Demokratike fitoi dy të tretat e votave dhe e erdhi në pushtet, ndërsa Partia Socialiste kaloi në opozitë. Kjo mund të quhet të koha e vendosjes reale të pluralizmit politik në Shqipëri.

Parlamentarizmi dhe sistemi partiak pluralist, pas këtyre fitoreve të para, hyri shpejt në rrugën e peripecive të shumta, pengesave të gjithëfarshme e të pasigurive të mëdha. Demokracia zgjedhore deri më sot ka kaluar nga një dështim tek tjetri. Gara midis partive politike është kthyer në përplasje armiqësore të panevojshme ose bashkëpunimi joserioz në luftën e egër për pushtet, për pasurim, për privilegje, e deri për fodullëk nga politikanët ambiciozë, sherretë, të papërgatitur për ta mbajtur mbi supe barrën e rëndë të problemeve të vështira të kohës. Spektri partiak shqiptar është bastarduar nga shumimi, pa kurrfarë nevoje, i partive pa kuptim, pa programe të qarta, pa orientime doktrinare serioze, pa misione e ideale të vërteta politike, shtetërore e kombëtare. U përhapën shpejt e gjerësisht dukuritë gërryese, si ajo e fraksionizmit, fragmentarizimit, përçarjes e ndarjes së partive. Dëmi më i madh erdhi nga degradimi i Partisë Demokratike, që nga parti e shpresave të mëdha përfundoi në një formacion pa vizione të qarta, pa vijë të qëndrueshme serioze politike e pa stabilitet në strukturat e saj. PD-ja “e djathtë” tashmë ka braktisur misionin e vet fillestar, ka shpërdoruar energjitë e besimin e militantëve, ka zhgënjyer zgjedhësit e vet dhe ka përfunduar në një grupim interesash meskine e lojërash të pështira. Dy partitë “e majta”, Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, qëkur bënë revanshizmin e dhunshëm pushtetor komunist në vitin 1997, kanë prodhuar pa pushim antipolitikë e kriza politike në Shqipëri edhe pasi u ndanë, edhe kur u ribashkuan në pushtet, edhe tani që janë ndarë përsëri. Të dyja vazhdojnë ta acarojnë rrezikshëm atmosferën politike në vend. Ka kohë që ndarja e partive të Shqipërisë në “të majta” e “të djathta” e ka humbur kuptimin e vlerën politike.

Shqipërisë gjatë gjithë kohës së pluralizmit politik i ka munguar një alternativë e vërtetë, e mirorganizuar mbi baza të djathta e nacionaliste. Janë lëshuar thirrje e janë përmendur shumë herë projekte për ta bërë faktorin e tretë partiak në Shqipëri; thirrje të tilla dëgjohen edhe këto ditë. Por, të gjitha kanë dështuar, sepse në shumicën e rasteve nuk kanë qenë nisma serioze, por koniukturale, të ndërmarra nga politikanë ambiciozë në çastet kur nuk u janë plotësuar tekat politike dhe ëndrrat pushtetore nga partitë e mëdha. Jam dëshmitar, madje dhe protagonist i një sërë përpjekjeve që janë bërë në vitet në vitet 1993-96, që nga krahu radikal që vepronte në PD dhe Shoqata “Pronësi me Drejtësi” dhe me mbështetjen e shtresave të njerëzve që objektivisht duhej t’i përkisnin rrymës së djathtë e nacionaliste, të krijonim Frontin e Djathtë Antikomunist. Përpjekjet dështuan në vitin 1994. Partia Demokratike, Partia Socialiste, Partia Republikane, partitë e “nacionalizmit historik” e “Shoqata e të Përndjekurve Politikë” bënë gjithçka për ta sabotuar këtë nismë, që kishte shqetësuar edhe disa faktorë ndërkombëtarë. Qeveria e Partisë Demokratike në vitin 1994 refuzoi ta regjistronte Partinë e Djathtë Demokrate, sepse ajo kërkonte “kthimin e pronës tek i zoti” dhe në vitin 1995 e refuzoi edhe regjistrimin e Partisë Rimëkëmbja Kombëtare. Në të dyja rastet partitë u regjistruan vetëm pas ankimit të çështjes në Gjykatën e Lartë, e cila ndreqi shkeljen e ligjit që e kishte bërë Ministria e Drejtësisë. Për refuzimin e regjistrimit të Partisë Rimëkëmbja Kombëtare Ministria e Drejtësisë e përdori edhe argumentin antikombëtar, se kjo parti po e rrezikonte Ballkanin, meqenëse kishte në program kërkesën për bashkim kombëtar shqiptar dhe duhej ta hiqte paraprakisht këtë kërkesë. Një sugjerim të tillë e kishin bërë dhe politikanë të huaj. Por PRK-ja qëndroi fort në arsyetimin e vet se Shqipërisë në këtë pikë i duhej një parti e ndryshme nga ato ekzistueset. Partia Rimëkëmbja Kombëtare nuk e ndryshoi programin, por e ndryshoi drejtimin e punës, nga parti që lufton për vota e merr pjesë në fushata zgjedhore, në lëvizje politike që lufton për idenë e bashkimit kombëtar. Këtë punë në fushën e mendimit politik PRK-ja e ka vazhduar pa pushim, qysh nga viti 1994, sidomos nëpërmjet gazetës së saj “Rimëkëmbja”, nëpërmjet gazetës “Bota Sot”, e deri në vitin 2011 përmes shtypit dhe mediave të tjera, kur ia kanë dhënë mundësinë, duke përfshirë edhe revistën “Shenja” nga viti 2012 e në vazhdim.

Ndjehesh thellësisht i zhgënjyer kur vëre, se pluralizmi politik në Shqipëri është kthyer në beteja të egra e të pandërprera midis grupesh interesi, të quajtura parti, për të mbajtur në këmbë një pushtet bandokratik, ku janë përlyer pothuajse të gjithë drejtuesit e partive që e kanë qeverisur me radhë vendin. Këtë mjerim politik e pamë edhe më 18 dhjetor 2017, kur mjediset para ndërtesës dhe vet salla e mbledhjeve e Parlamentit të Shqipërisë u kthyen në fushë betejash karakteristike për “luftën civile”, që përflak periodikisht politikën shqiptare. Është e turpshme dhe e dhimbshme që në fund të dekadës së tretë të vendosjes së pluralizmit politik (pluripartizmit) “demokratik” të krijohet një gjendje e tillë në parlament, për shkaqe të rëndomta, jo për ndonjë kauzë të madhe kombëtare, siç kishte ndodhur në parlamentin e Kosovës më herët. Në ato skena kishte vetëm mllef, inat e çmenduri politike nga partitë e partiakët, që për tri dekada e kanë katandisur politikën shqiptare në gjendje të mjeruar dhe e kanë bërë Shqipërinë turpin e Europës. Për fat të keq, “emblemë” e këtij degradimi të politikës partiake në Shqipëri u bë atë ditë Partia Lëvizja Socialiste për Integrim, nëpërmjet kryetares së saj, Monika Kryemadhi. Këto zhvillime, pikërisht në fund të vitit 2017, vijnë për shqiptarët si një ogur i zi politik, si falimentim i turpshëm i partive politike, që po rrënojnë politikëbërjen e pushtetbërjen. Këto parti, që i kemi sot, nuk i vlejnë më Shqipërisë. Por, nuk mund të themi se partitë nuk duhen më. Partitë janë një e keqe e domosdoshme në politikë. Por, kur veprojnë brenda kornizave të mirënjohura partiake, e jo si grupe ku gërshetohen interesa pushteti të falimentuar, korrupsioni, krimi i organizuar, bandokracia dhe nënshtrimi poshtërues para të huajve. Sistemi partiak në Shqipëri duhet ribërë nga themelet, që të mos bie deri në fund të greminës niveli i ulët i demokracisë në vend dhe të mos dobësohet deri në pikën e fundit imuniteti kombëtar shqiptar. Partitë e sotme janë kthyer jo vetëm në armike të pluralizmit politik dhe të demokracisë në Shqipëri, por edhe në kërcënim për interesat shtetërore kombëtare. Shqiptarët sot si komb po përballen me shumë rreziqe dhe janë gjithnjë e më shumë nën shantazhe armiqësore e “miqësore” ndërkombëtare. Prandaj, nuk kemi përse të habitemi që SHBA-ja dhe BE-ja po e trajtojnë Shqipërinë si vend pa zot, ku ka vetëm një shoqëri amorfe në kaos të plotë, shtetshmëri formale pa sovranitet të vërtetë, pa pushtet serioz, me administratë të çorganizuar, vend me pushtet gjyqësor të falimentuar, ku drejtësinë duhet të vijnë ta bëjnë të huajt; kriminelët duhet t’i gjejnë, t’i kapin e t’i ndëshkojnë të huajt.