` . Paradox: Shteti/Shoqëria - TV-SHENJA

Paradox: Shteti/Shoqëria

Në periudhën të cilën gjendemi po ndodhin dy strukturime të rëndësishme brenda dhe jashtë nesh. Pa dashur të diskutojmë për mendësinë politike në Shqipëri dhe në Maqedoni, ku përveç uzurpimit/kapjes nga liderët e partive politike te secilit proces dhe secilës ngjarje nuk ka ndonjë risi, gjendja në Kosovë paraqet dinamikë të shumëfishtë të rikapitullimit tërësor të vetë ekzistencës së shoqërisë shqiptare të Kosovës.

Shkruan: Kushtrim SHEHU, Gjakovë 

Për një kohë të gjatë do të ekzistojë kaosi, por jo kaos i luftërave dhe ballafaqimeve të ashpra mes shteteve. Do të jetë kaos i mendimeve, postulateve dhe vlerave, të cilat ishin themele të strukturës së shtetit dhe shoqërive të deritanishme. Po ashtu rendi ndërkombëtar do të jetë në kërkim të riformulimit të tij. Nëse në mbarë botën shteti dhe institucionet e tij do të rigjykohen si ekzistencë, tek ne shqiptarët këto dyja do të jenë akoma në ndërtim e sipër, gjithë kjo si shkak i prapambetjeve në hapa me shoqëritë perëndimore.

Derisa gjendja ndërkombëtare post-pandemike në mbarë botën do të vë në peshojë sistemin neoliberal/demokratik me sistemet liberale/autoritare, shqiptarët do ta kenë luksin e temave të trimërisë, patriotizmit, papunësisë, zhvillimit ekonomik, korrupsionit, dialogut me Serbinë, aderimit në Bashkimin Europian etj. Dhe, kjo jo vetëm për shkak të moszhvillimit tonë, por edhe për arsye se jemi në zemër të moçalit ballkanik, aty ku mëria dhe inatet, hasmëritë e urrejtja paraqesin boshtin kryesor të sjelljes njerëzore dhe të komunikimit ndëretnik dhe ndërshtetëror.

Në periudhën të cilën gjendemi po ndodhin dy strukturime të rëndësishme brenda dhe jashtë nesh. Pa dashur të diskutojmë për mendësinë politike në Shqipëri dhe në Maqedoni, ku përveç uzurpimit/kapjes nga liderët e partive politike te secilit proces dhe secilës ngjarje nuk ka ndonjë risi, gjendja në Kosovë paraqet dinamikë të shumëfishtë të rikapitullimit tërësor të vetë ekzistencës së shoqërisë shqiptare të Kosovës. Dy strukturat më thelbësore të shoqërisë shqiptare të Kosovës gjenden para përplasjes me vjetërsinë dhe paaftësinë për të krijuar vlerë të re dhe për t’u ballafaquar me problemet dhe çështjet të cilat ndeshen në Kosovë. Armiku i përbashkët i tyre – aparati shtetëror serb ka shumë kohë që nuk ekziston më në ambientin ku ata shfaqeshin si lëvizje mbarë-kosovare dhe si ushtri çlirimtare. Lidhja Demokratike e Kosovës dhe partitë e dala nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës janë në apokalipsin e tyre ekzistencial. E para kishte zgjedhur qetësinë dhe paqen në një kohë kur shfarosej populli i tërë, ndërsa e dyta – si reagim ndaj të parës – kishte zgjedhur ballafaqimin e armatosur si paradigmë të ekzistencës së vet. Kësisoj, në periudhat e mëvonshme të dyja jetonin, rriteshin dhe vepronin nën një botë joreale e të vjetruar, ku përveç rehatisë dhe të ardhmes së tyre burokratike nuk krijonin afirmim, emancipim dhe vlerë të shtuar për shoqërinë. Çdo përpjekje e tyre ndeshej me refuzim me botën e jashtme dhe ftohje e distancim me shoqërinë ku vepronin. Të parët, “akademikët” nuk mund të teorizonin përtej zyrës së tyre, ku lingua franca ishte serbokroatishtja, ndërsa të dytët, “çlirimtarët”, nuk mund të uzurponin përtej gardhit të tyre, aty ku shoqëria/populli ishin kushërinjtë.

Edhe pse kjo periudhë do të përfshinte një kohë relativisht të gjatë prej tre dekadash, fundi i saj duket se do të zëvendësohet me një lëvizje të re, mendësi të shfaqur rishtazi si një burim origjinal i shoqërisë shqiptare të Kosovës në bashkëveprim me parimet dhe vlerat universale, të cilat janë krijuar ndër mijëvjeçarë në mbarë botën. Edhe pse është tepër herët sihariqi i një shprese të jashtëzakonshme, hapur shihen shenjat e një harmonizimi të mendimit politik dhe shoqëror të krahasueshëm me shoqëritë e avancuara perëndimore. Kjo lëvizje, përtej ndërtimit të institucioneve shtetërore, më tepër avancon krijimin e shoqërisë së shëndoshë dhe të drejtë, ku vlerat dhe parimet konkurrojnë për ta sendërtuar një universalitet të pranueshëm nga të gjithë. Shteti tanimë nuk është kushti esencial i parimit dhe legjitimitetit të vlerave të pranuara, por komunikimi mes strukturës politike dhe qytetarëve. Se institucionet shtetërore dhe ligjet, të cilat e organizojnë atë, duke përfshirë edhe kushtetutën nuk mbeten themelet sublime të një shteti, këtë e vërteton edhe marrëdhënia e aktorëve të tanishëm institucionalë shtetërorë dhe atyre partiakë, të cilët më shumë udhëheqin me këto ligje sesa që udhëzohen nga ato. Shkenca politike e shpjegon këtë dukuri përmes konceptit të kulturës politike. Shqiptarët, në tërë gjeografinë ku jetojnë, udhëhiqen nga një gjendje e përgjithshme e momentit. Fatkeqësisht, rendi jonë shoqëror ka një shpirt të përgjithshëm, të cilin e zotëron vetëm momenti. Nuk ka një duzinë vlerash dhe parimesh, të cilat – përkundër gjendjeve momentale – mund të udhëzojnë ecurinë e zhvillimit shoqëror. Ky fakt më shumë se kudo tjetër ka ndikuar në sferën politike, kështu që e ka formësuar kulturën tonë politike si mjedis të ecurisë me kurthe dhe truqe përbrenda saj. Duke përdorur termin e Montesquieu-së, gjendja jonë e përgjithshme shpirtërore nuk ka mundur të krijojë deri më tani një kulturë politike afirmative ose progresive. Aq më tepër institucione stabile të udhëheqjes shtetërore, duke aluduar edhe në institucione tradicionale shoqërore, qofshin laike ose edhe ato fetare.

Ne duhet të pranojmë kushtimisht se lëvizjet paraprake të dekadave të fundit në Kosovë ishin të mirëqena dhe të akceptueshme nga shoqëria në kohën kur lindën, mirëpo nuk arritën t’i perceptojnë dimensionet e reja shoqërore, duke e përjashtuar me vetëpëlqim ose dembeli veten e tyre. Këto dy lëvizje, si trashëgimi politike të ideologjisë komuniste, nuk arritën ta harmonizojnë dualizmin shoqëri dhe shtet. Por, duke përjashtuar idenë hegeliane të shtetit të ndërtuar nga shoqëria, këto u përafruan më shumë me idenë e dogmës marksiste, ku shteti është vet shoqëria dhe anasjelltas, që në rastin tonë, shprehet në kuptimin edhe më të ngushtë lokal, farefisnor, familjar të përbërë nga daja/nipi dhe kushërinjtë. Paradoksi tjetër i këtyre dy lëvizjeve qëndron në faktin se në aspektin socio-ekonomik këto kanë përqafuar neoliberalizmin. Andaj nën regjimin e tyre në Kosovë më lehtë është të fitosh përmes tregtisë së mallrave të importuar, ndërsa pothuajse është e pamundur të fitosh përmes prodhimit dhe eksportit të produkteve me origjinë nga Kosova drejt vendeve të tjera. Kjo bën të kuptojë që Kosova shumë më lehtë sundohet dhe mund të pushtohet sesa të qeveriset dhe aq më pak të mbrohet.

Derisa ne shqiptarët në gjeografinë ku jetojnë merremi me formulimin e organizimit shtetëror, në anën tjetër rendi ndërkombëtar do të vazhdojë të jetë jostabil. Në fakt, koncepti i rendit ndërkombëtar është tejet i diskutueshëm për të qenë i mirëqenë. Duket se bota nuk e ka tejkaluar akoma Luftën e Ftohtë, edhe përkundër pauzës disavjeçare të viteve nëntëdhjeta të shekullit të kaluar. Konfliktet ekzistente të ditëve të sotme janë pasojë e ballafaqimit armiqësor të dy superfuqive. Kur tërë kësaj i shtohen edhe fuqitë rajonale të cilat duan me të drejtë të jenë zë i dëgjueshëm në opinionin ndërkombëtar, kjo na jep te drejtë të konkludojmë se krahas jo stabilitetit rendi dhe siguria do të jenë të luhatshme. Në këtë pikë shtetet pa shoqëri të konsoliduara ose parimisht popullsi jo të determinuara do ta kenë shumë vështirë të qëndrojnë më gjatë.

Në luftën ose përpjekjen për të garantuar siguri, ndërtimi afatgjatë, i mundimshëm dhe i durueshëm i një shteti, shoqërie ose sistemi të ri, aty ku popullsia orientohet vetëm nga kujtesa e një gjenerate, e cila ka para vetes dije të instrumentalizuar, duke harruar njohuritë rreth përvojës jetësore të shumë gjeneratave paraprake, kjo do të jetë barrë shumë e vështirë. Shkëputja nga e kaluara ka mundësi të risjellë për njeriun kërshërinë ndaj porosisë fetare, ku mësimi parimor për jetën dhe njeriun është më i thjeshtë, i sinqertë dhe i besueshëm. Këtij realiteti i shtohen mundësitë për arsye se organizimi shoqëror dhe shtetëror i sotshëm në mbarë botën shigjetën e akuzës e ka kundër njeriut, ndonëse do të duhej të ishte ambient sigurie, mirëqenieje dhe optimizmi për vet njeriun. Mbase pandemia e fundit mund të jetë një rikujtues ose qortues kundrejt tërë njerëzimit, i cili ka lajthitur në ecurinë e tij, duke i fuqizuar instrumentet e duke e harruar veten e tij si formësues i këtyre instrumenteve, të cilat duhej të ishin në shërbim të shoqërisë njerëzore.