` . Paradigmë e re mbi lidhje të vjetra – TV-SHENJA

Paradigmë e re mbi lidhje të vjetra

Në planin historik, Turqia mbetet trashëgimtarja e vetme e një perandorie shumëkombëshe, ku bënin pjesë edhe shqiptarët dhe ku ishin të integruar në saje të mobilitetit vertikal që e mundësonte sistemi osman.

Shkruan: Blerim HALILI, Prishtinë

Është një fakt demografik dhe sociologjik se popullsitë janë në lëvizje dhe në ndryshim të vazhdueshëm. Në saje të natyrës dhe dinamikës së ndryshimeve shoqërore dhe të përjetimeve e përvojave të përbashkëta, shoqëritë përvetësojnë karakteristika që i bëjnë ato të dallueshme nga të tjerat. Ky ndryshim ose zhvillim shoqëror dhe ndjesia e përvojave të përbashkëta të një grupi shoqëror, shprehur si kujtesë kolektive, bashkë me simbolet, mitet dhe vlerat, përbëjnë thelbin e vetidentifikimit të atij entiteti shoqëror ose të trajtësimit të emëruesit “ne”.

Nga ana tjetër, veçanërisht në epokën e globalizmit, në saje të qarkullimit të vazhdueshëm të njerëzve dhe mallrave dhe shkëmbimit të ndërsjellë ndërmjet popujve dhe kulturave, nuk mund të supozohet në ndasi të hekurta dhe ndarje rigide ndërmjet tyre. Në procesin e qarkullimit të ndërsjellë, shfaqet edhe ndërveprimi identitar, vleror e politik ndërmjet entiteteve të ndryshme shoqërore, marrë-dhënie kjo që – duke ndërtuar karakteristika të ngjashme – i zbeh edhe më tutje kufijtë e dallimeve reciproke.

Kur popujt përballen me ndryshime të thella sociale, politike dhe ekonomike, kur përjetojnë luftëra, konflikte, kur kalojnë tranzicione ose transformime të tjera, shkollarët dhe politikanët përpiqen që ndryshimet në fjalë t’i orientojnë në drejtimin që ata mendojnë se është i duhur dhe “shpëtimtar” për fatin e kombit. Në rrethana të tilla, ata rëndom mundohen t’i ridefinojnë edhe disa çështje fundamentale të interesit kolektiv. Kështu, vlerave dhe marrëdhënieve të caktuara shoqërore u jepet një kuptim i ri, në kontekst të ri, por duke e ruajtur në thelb ndjenjën e vazhdimësisë, që përbën njërin ndër motivet kryesore të jetës së një komuniteti njerëzor. Zaten, edhe ky shkrim është më shumë një përpjekje për të shtruar disa pyetje fundamentale që kërkojnë përgjigje sistematike e shumëdimensionale nga mendimtarët shqiptarë sesa një përpjekje për të dhënë konkluzione, prandaj edhe më shumë është një pyetje sesa një përgjigje.

Nga kjo perspektivë, në kohën kur shqiptarët dhe Ballkani Perëndimor gjenden në procesin delikat të integrimit në Bashkimin Evropian, shfaqet nevoja e ridefinimit të disa çështjeve, që ndoshta e prekin edhe themelin e marrëdhënieve socio-politike, identitare dhe ekonomike në nivel rajonal dhe kontinental.

 Karakteristikat kryesore të marrëdhënieve shqiptaro-turke

Marrëdhëniet shqiptaro-turke, kohëve të fundit, janë objekt i trajtesave në nivele të ndryshme nga opinioni shqiptar dhe ai ballkanik, jo vetëm për faktin e lidhjes historike ndërmjet dy popujve që nga periudha perandorake, por edhe për faktin se lidhen edhe me dy faktorë të tjerë: aspiratën perëndimore, euro-atlantike të popujve ballkanikë pas rënies së Jugosllavisë dhe “rikthimin” turk në Ballkan në dy dekadat e fundit, që shpesh lexohet si e kundërta ose pengesa e të parës.

Në procesin e integrimit euro-atlantik dalin në pah disa dilema dhe sfida, që kërkojnë zgjidhje sa më të natyrshme e origjinale, jo shtirje e formalitete, por përvetësim i njëmendtë i modelit zhvillimor. Përballë kësaj skeme, mendimtarët shqiptarë do të duhej t’u japin përgjigje pyetjeve që burojnë nga konteksti i ri politik dhe social, në një konstelacion të ndryshueshëm ndërkombëtar: “Kush është Turqia për kombin shqiptar?”; “Cili duhet të jetë raporti ndërmjet dy popujve dhe shteteve tona?”; “Si të definohet raporti me Turqinë në kontekst të integrimit tonë në BE?”; “A janë BE-ja dhe Turqia e kundërta e njëra-tjetrës apo a janë zëvendësim për njëra-tjetrën?” e të ngjashme. Për t’i definuar këto dhe disa çështje të lidhura me këto, së pari duhet bërë një shtjellim bazik i faktorëve që e përcaktojnë raportin shqiptaro-turk.

Nga një perspektivë klasike, mund të konkludohet se raportin ndërmjet Turqisë dhe shqiptarëve e përcaktojnë disa faktorë, ndër të cilët bëjnë pjesë: faktori historik, faktori ekonomik, faktori politiko-diplomatik dhe ai i sigurisë, si dhe faktori vleror-fetar. Në planin historik, Turqia mbetet trashëgimtarja e vetme e një perandorie shumëkombëshe, ku bënin pjesë edhe shqiptarët dhe ku ishin të integruar në saje të mobilitetit vertikal që e mundësonte sistemi osman. Kjo, përveç lidhjes administrative që i bënte ata banorë/shtetas të shtetit osman, përbën edhe lidhjen qytetërimore me të (përveç tjerash edhe për faktin se shumë shqiptarë u shquan me vepra letrare, arkitekturore, kontribute shkollore, fetare e kulturore në nivel perandorak). Në kuadër të perspektivës historike, Turqia ishte “vatra” e një prej shkollave më të rëndësishme të mendimtarëve e veprimtarëve shqiptarë, që i ka formësuar idetë kryesore të nacionalizmit shqiptar. Në periudhën post-perandorake Turqia republikane mbeti njëra ndër aleatet kryesore të shqiptarëve, duke e riafirmuar kështu pozicionin e saj si shtet mik tradicional i shqiptarëve. Po ashtu, Turqia përbën strehën kryesore të shumë shqiptarëve të shpërngulur në disa valë të shpërnguljeve që nga koha e Krizës Lindore e tutje, deri në vitet e Jugosllavisë së “dytë”, shumë prej të cilëve ende i dinë të afërmit (familjarët) e tyre, kryesisht në Kosovë dhe në Maqedoni. Kjo e përcakton edhe numrin më të madh të shqiptarëve jashtë atdheut të tyre, që jetojnë në Turqi, e që përbën një “mërgatë” të fuqishme e të rëndësishme për kombin shqiptar, pavarësisht nivelit të identifikimit të tyre sot me etninë dhe vetëdijes kombëtare që varion në qytete e zona të ndryshme (fundja, ata me nostalgji e kujtojnë vendin e origjinës, i ruajnë rrëfimet e familjes për origjinën dhe shpërnguljen, ndërsa të vjetrit e kanë ruajtur gjuhën shqipe, veçanërisht në zonat rurale e periferike, madje ani pse vetë mund të kenë lindur në Turqi, në shumë raste martesat i bëjnë mes vete e jo me “të huaj”, pastaj kanë zhvilluar shoqata e klube, organizojnë programe, shënojnë festa kombëtare, etj.). Në historinë e re, gjatë luftës së vitit 1998-1999, Turqia ishte në anën e kërkesave të shqiptarëve të Kosovës për liri, ishte pranë aleatëve perëndimorë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe, si anëtare e NATO-s, njëra ndër fuqitë ushtarake pjesëmarrëse në bombardimin e bazave ushtarake dhe shtetërore serbe. Ndërkaq tani, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 2008, të cilën e njohu menjëherë, ajo në nivel diplomatik, ekonomik e profesional vazhdon të kontribuojë në ngritjen e kapaciteteve shtetërore, arsimore e ekonomike të Kosovës së pavarur dhe forcimin diplomatik të saj në arenën ndërkombëtare. Madje, edhe në izolimin ndërkombëtar që e përjetoi Kosova, Turqia është një prej vendeve të para që i hapi dyert për kosovarët, si në aspektin e lëvizjes së lirë, ashtu edhe në atë të investimeve kapitale dhe shkëmbimit tregtar (në fakt, edhe sot, përveç shteteve fqinje ballkanike, ai është i vetmi shtet ku kosovarët mund të shkojnë pa viza). Prandaj, nga perspektiva politike-diplomatike, Turqia është një aleat i Republikës së Kosovës, i Republikës së Shqipërisë dhe i shqiptarëve në përgjithësi, e cila – përkundër qasjes së natyrshme të ruajtjes së ekuilibrave diplomatikë në Ballkan – me përkrahjen e hapur ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, edhe në këtë periudhë e ka dëshmuar pozicionimin e saj të hapur proshqiptar. Kjo përbën një tregues të rëndësishëm edhe për aspektin e sigurisë: Turqia si shtet me ushtri dhe arsenal të fuqishëm luftarak dhe me traditë shtetërore në mbrojtje dhe siguri, përveç ndihmës që do të jepte në ngritjen e kapaciteteve ushtarake, është potencialisht një garanci për interesat shqiptare në rast të sfidave, kërcënimeve ose krizave të mundshme në të ardhmen. Nga aspekti ekonomik, shqiptarët në Kosovë e Shqipëri dhe në shtetet fqinje janë një ndër përfituesit e investimeve turke në Ballkan, në kohën e ngritjes ekonomike që po përjeton ajo, ndërsa kjo e shpërfaq interesin e natyrshëm reciprok ekonomik. Afiniteti kulturor dhe klima e përshtatshme e interaksionit ndërmjet dy popujve dhe shteteve të tyre ka krijuar predispozita për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit të ndërsjellë ekonomik në nivel edhe më të gjerë.

S’do mend se një predispozitë tjetër, që përcakton raportin e ndërsjellë shqiptaro-turk, është edhe faktori fetar. Përveç faktit që nga pikëpamja fetare shumica e popullsisë shqiptare i përket besimit islam, shqiptarët myslimanë, për nga tradita e mendimit dhe praktikës fetare islame janë pothuajse në linjë shumë të afërt me “shkollën” fetare turke, kjo për arsye objektive gjeografike e historike. Në fakt komponenti fetar në marrëdhëniet ndërkombëtare luan një rol të rëndësishëm, aq më tepër kur lidhjet mes dy popujve shtrihen që nga niveli familjar e deri në atë diplomatik, siç është rasti ndërmjet shqiptarëve dhe Turqisë. Madje, në një konkurrencë të heshtur të modeleve dhe praktikave të ndryshme fetare brenda Islamit në nivel botëror, raporti i shëndoshë shqiptaro-turk vetëm do ta riafirmonte trashëgiminë burimore dhe vetëdefinimin vleror tradicional islam të shqiptarëve, duke iu shmangur kështu krizës së identitetit mbi “Islamin adekuat”.

Nisur nga kjo paradigmë, çdo përpjekje intelektuale ose politike për ta definuar raportin shqiptaro-turk, që nuk i merr në konsideratë predispozitat e renditura më lart, nuk e ka prekur thelbin e raportit të ndërsjellë. Këta faktorë shërbejnë si pasqyrë, si projeksion fillestar nga i cili mund të derivojnë modalitete se si të zhvillohet praktikisht raporti shqiptaro-turk. Prandaj, t’u japësh kuptim të ri, në rrethanat ekzistuese, marrëdhënieve shqiptaro-turke, nuk presupozon që të tejkalohen pa vlerësuar drejt dhe në mënyrë meritore tiparet demografike e sociologjike të lidhjes ndërmjet dy popujve.

Raportet me Turqinë përballë integrimit evropian

Tani, në dritën e faktorëve të sipërthënë, si të definohet raporti me Turqinë në kontekstin e integrimit të shqiptarëve në Bashkimin Evropian? Në kohën kur përkatësia gjeografike rajonale dhe kontinentale, gjuhësore dhe etnike, si dhe projekti politik kombëtar i shqiptarëve e determinon vizionin për integrim në Bashkimin Evropian, nuk duhet krijuar kushte që raporti me Turqinë të bëhet ose të kuptohet si pengesë për këtë rrugëtim. Por, njëkohësisht, duhet kuptuar se Turqia dhe BE-ja nuk janë zëvendësim e as pengesë për njëra-tjetrën. Aq më pak kur me “integrim” nuk kuptohet vetëm integrimi politik në kuptimin e ngushtë ose pranim në organizata politike ndërkombëtare në nivel teknik e formal, ngase ky term implikon edhe dimensionin vleror, që ka për themel demokracinë liberale, pluralizmin, diversitetin dhe barazinë. Pos kësaj, në kohën kur edhe për shtetin dhe shoqërinë turke integrimi në BE paraqet një ndër objektivat politike, për shqiptarët raporti i ndërsjellë s’ka se si të kuptohet si pengesë. Nga ana tjetër, shqiptarët duhet ta artikulojnë qartë pozicionin e tyre në arenën ndërkombëtare, që çdo aleat dhe kundërshtar ta kuptojë se ata nuk janë në situatë të zgjedhin ndërmjet aleancave të ndryshme, se nuk kanë projekt alternativ kombëtar, përveç integrimit në mekanizmat euro-atlantikë (ngase as bashkimi kombëtar nuk është zëvendësim i integrimit në BE). Madje, sado që për disa autorë dhe mjedise evropiane Ballkani mysliman (lexo: shqiptarët dhe boshnjakët) është një zgjatim turk, shqiptarët duhet të mos hezitojnë ta ndërtojnë e afirmojnë pjesën e subjektivitetit të tyre të dallueshëm kulturor, vleror, historik e politik në funksion të perspektivës euro-atlantike, pa mohuar identitetin e tyre fetar dhe miqësinë tradicionale me Turqinë. Sado të duket kontradiktore në shikim të parë, kjo qasje bazohet në parametra realë sociologjikë dhe vlerorë dhe përbën modelin e ekuilibrit racional ndërmjet historisë – anës vlerore (miqësisë tradicionale) dhe projektit nacional (aspiratës euro-atlantike). Po ashtu, sado të duket e pashembullt (atipike) dhe ideale në shikim të parë, kjo qasje e ekuilibrit ndërmjet miqësisë me Turqinë dhe aspiratës euro-atlantike, janë pikërisht shqiptarët që, për shkak të kontekstit të veçantë gjeopolitik e identitar, duhet të dinë ta ndërtojnë e kultivojnë atë e të bëhen kështu vetë shembulli i parë i funksionalitetit të saj praktik, ngase këtë ua imponon portreti i tyre specifik identitar dhe gjeopolitik. Vetëm në këtë mënyrë, duke e trajtuar raportin me Turqinë me qasje joantagoniste, në saje të këtij modeli praktik e burimor, do të sigurohej një zhvillim harmonik i gjithmbarshëm dhe i shëndoshë për shqiptarët. Kjo do të parandalonte përvetësimin e mëtejmë të gabueshëm të modernitetit dhe mënyrën abuzuese të kuptimit të integrimit evropian, që nga disa individë dhe rrethe kuptohet si rrugë e negocimit të fondamenteve të institucioneve shoqërore dhe vetë identitetit kombëtar e që do të krijonte shkarje e patologji në marrëdhëniet shoqërore. Qasja e sipërthënë e mbron idenë se në BE secili shtet hyn si vetvetja dhe krahas zbehjes së ndasive fundamentale dhe shembjes së dallimeve të mëdha ndërmjet vete, secili subjekt do ta ketë një vetëdefinim të dallueshëm për veten dhe disa karakteristika që e dallojnë atë nga të tjerët.

Meqenëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe fuqitë evropiane, që janë aleate të shqiptarëve, janë faktorë themelorë për paqe dhe stabilitet në Ballkan, si dhe garancia kryesore e sovranitetit të Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe e vet zhvillimit të shqiptarëve, në syrin e pikëpamjeve të shkruara më lart, çdo përafrim ndërmjet tyre dhe Turqisë përbën një fakt pozitiv në projektimin e së ardhmes në interesin tonë, jo vetëm si shqiptarë, por edhe si ballkanas në përgjithësi.

Nga ana tjetër, më problematik duket të jetë përafrimi i Turqisë me Rusinë, një mike kjo tradicionale e Serbisë dhe përkrahëse e fuqishme e politikës pansllaviste në Ballkan, si dhe kundërshtare e politikës perëndimore, përafrim ky që në opinionin shqiptar lexohet me dilemë e skepticizëm, por nganjëherë edhe me habi. Por, politika e jashtme turke karakterizohet me shumëdimensionalitetin, që ndërton aleatë sipas interesit specifik në rrethana të caktuara e nuk kufizohet në marrëdhënie të ngurta diplomatike me “aleancat e përhershme”. Prandaj, edhe afrimi turko-rus, siç është dëshmuar gjatë historisë, më shumë është partneritet i interesit sesa një marrëdhënie e natyrshme; për Turqinë ai është imponim dhe partneritet alternativ në funksion të mbrojtjes së sovranitetit dhe sigurisë kombëtare kur ajo përjetoi një lloj vetmimi ndërkombëtar, kryesisht nga shtetet perëndimore në çështjen e Sirisë. Thjesht, në real-politikën ndërkombëtare ka interesa dhe pikëtakim forcash. Shtetet e fuqishme krijojnë aleatë në bazë të interesit nacional të sigurisë, ekonomisë, etj., por kjo jo domosdoshmërisht implikon ndryshime në politikën e jashtme të tyre ndaj aleatëve tjerë. Prandaj, sado që të duket i pakëndshëm bashkëpunimi turko-rus nga perspektiva shqiptare, ky përafrim në vetvete nuk ka themel antishqiptar, ngase Turqia dhe Rusia dallojnë në shumë qëndrime karshi çështjeve botërore, si edhe ndaj çështjes shqiptare. Madje, edhe ndikimi rus në Ballkan, që – sipas disa analistëve të sigurisë – viteve të fundit është në rritje e sipër, realizohet përmes qarqeve serbe ose proserbe e jo turke, andaj ky përafrim nuk duhet të marrë në konotacion të një agjende anti-perëndimore dhe anti-shqiptare, ngase Ballkani për to është një pikëtakim interesash konkurrente ku secili e kërkon “hisen e vet” të ndikimit.

Fundja, lidhjet familjare, historia e përbashkët në kuadrin perandorak, vendin me më së shumti shqiptarë jashtë atdheut të tyre, miqësinë tradicionale dhe lidhjet kulturore e ekonomike që shqiptarët, i gjejnë tek Turqia dhe nuk i gjejnë, në ato përmasa, në asnjë vend tjetër. Nga ana tjetër, modelin e demokracisë liberale në frymën burimore, projektin politik të integrimit të plotë euro-atlantik dhe modelin e paqes, progresit të gjithmbarshëm (shkencor, teknologjik, industrial, etj.), që shqiptarët e gjejnë te BE-ja, nuk e gjejnë tek asnjë bashkësi apoose organizatë politike ndërkombëtare. Prandaj, Turqia dhe BE-ja nuk janë zëvendësim as përjashtues, por as alternativë e njëra-tjetrës. Kjo edhe për faktin tjetër se e para është shtet, ndërsa e dyta organizatë mbinacionale.

Natyrisht, mendimtarët dhe akademikët shqiptarë do të duhej ta artikulonin në mënyrë sistematike se si të definohet dhe jetësohet praktikisht raporti me Turqinë, në atë mënyrë që ajo të mos nënkuptohet si largim a shkëputje nga aspirata euro-atlantike e shqiptarëve, e as të jepet përshtypja se ne jemi një subjekt i ri social, një entitet i ri politiko-vleror, që daton vetëm nga vitet e ’90-ta e tutje. Prandaj, në funksion të interesit kombëtar, pikëpamja e sipërthënë e vendos ekuilibrin ndërmjet përvojës historike dhe paradigmës kombëtare për të ardhme në BE, ku në rastin më të mirë do të duhej të bënte pjesë edhe vetë Turqia.