` . Papunësia në Turqi në janar bie në 10,8 për qind – TV-SHENJA

Papunësia në Turqi në janar bie në 10,8 për qind

Autoriteti statistikor turk bëri të ditur se shkalla e papunësisë në Turqi në muajin janar ishte 10,8 për qind, 2,2 për qind më pak nga muaji i njëjtë i vitit të kaluar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njoftoi Instituti Turk i Statistikave (TurkStat), numri i të papunëve nga mosha 15 vjeçare e më lartë ishte 3.4 milionë në muajin janar, numër i cili shënon ulje prej 575 mijë nga viti në vit.

TurkStat theksoi se shkalla e papunësisë tek meshkujt ishte 9,6 për qind, ndërsa tek femrat 13,4 për qind.

Të dhënat zyrtare poashtu treguan se gjatë periudhës së njëjtë papunësia jo-bujqësore ra 2,5 për qind, përkatësisht në 12,7 për qind.

Shkalla e papunësisë së të rinjve të grupmoshave 15-24 vjeç në muajin janar ishte 19,9 për qind, duke shënuar një rënie prej 4,6 për qind nga viti në vit në janar.

Ndërkaq, shkalla e punësimit, thotë TurkStat, u rrit me 1,6 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, duke arritur në 46,4 për qind.

“Numri i të punësuarve u rrit me 1.4 milion duke arritur në 28 milionë persona në periudhën e janarit të vitit 2018, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”, theksoi TurkStat.

Më shumë se 55 për qind e punësimit total ishte në sektorin e shërbimeve, 19,9 për qind në industri, 17,7 për qind në bujqësi dhe 7 për qind në ndërtimtari.

Numri i grave pjesëmarrëse në fuqinë punëtore poashtu u rrit me 1,2 për qind në krahasim me janarin e vitit 2017, duke arritur në 33,2 për qind në janar 2018.