` . Panairi i 30-të i Librit në Shkup – TV-SHENJA

Panairi i 30-të i Librit në Shkup

Për shkak të hapësirës së kufizuar edhe numrit të reduktuar të botuesve, disa botues këtë vit nuk ishin të pranishëm në panair. Në aspektin e gjuhëve të botimeve të ekspozuara, mbizotëronin botimet në gjuhën maqedonase, pastaj ato në gjuhën shqipe dhe turke.

Shkruan: Besnik EMINI, Tetovë

Nga data 3-10 maj në Shkup u mbajt panairi i 30-të me radhë i librit. Këtë vit panairi i librit u mbajt me një muaj vonesë, për shkak të problemeve rreth hapësirës ku tradicionalisht mbahej panairi gjatë viteve të kaluara. Gjithashtu ishte panairi që zgjati më shumë ditë se ato të viteve të kaluara, respektivisht në periudhën kohore 3-9 maj. Mbështetës i panairit ishte Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë. Hapësirat e mëparshme të Panairit të Shkupit ishin ndërtuar pas tërmetit posaçërisht për nevojat e panaireve të ndryshme, mirëpo –për shkak të interesimit për tokën në të cilën ishte i vendosur – e tërë hapësira bashkë me objektet e ndërtuara për ekspozim janë shitur, duke e lënë vendin pa një hapësirë të posaçme panairi. Kështu, organizatorët e gjetën një hapësirë tjetër për ta mbajtur panairin e librit, respektivisht sallën sportive “Boris Trajkovski”, e mbiquajtur edhe Vip Arena. Gjithë kjo bëri që data e caktuar për në fillim të muajit prill të shtyhet për në fillim të muajit maj. Gjatë panaireve të viteve të kaluara, përveç librit, gjatë ditëve të njëjta edhe universitetet dhe fakultetet ndryshme organizonin “Ditët e Arsimit dhe Karrierës”, ku ofronin informata për programet e tyre studimore. Por, këtë vit, për shkak të hapësirës së kufizuar, universitetet dhe institucionet e tjera arsimore nuk ishin të pranishme.

Për shkak të hapësirës së kufizuar edhe numrit të reduktuar të botuesve, disa botues këtë vit nuk ishin të pranishëm në panair. Në aspektin e gjuhëve të botimeve të ekspozuara, mbizotëronin botimet në gjuhën maqedonase, pastaj ato në gjuhën shqipe dhe turke. Si botues të cilit kishin ekspozuar numër më të madh të botimeve ishin shtëpitë botuese: “Ars Lamina”, “Tri”, “Prosvetno Delo”, “Kultura”, “Magor”, “Matica”, “Ili-Ili”, “Ars Studio” etj. Gjithashtu botimet e veta i prezantonte edhe Akademia e Shkencës dhe e Arteve e Maqedonisë. I vetmi institut shkencor publik i cili i prezantonte botimet e veta ishte Instituti i Gjuhës Maqedonase “Krste Misirkov”.

Libri shqip ishte i pranishëm nëpërmjet disa botuesve nga Maqedonia, Shqipëria dhe një botuesi të vetëm nga Kosova, respektivisht Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës.

Nga Shqipëria botimet e veta i ekspozonin këta botues: Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Fan Noli”, “UET Press” dhe “Botimet Akropoli i Ri”, si dhe “Albas”, një botues që llogaritet si shtëpi botuese me seli në Tiranë, Tetovë dhe Prishtinë. Nga Maqedonia libri shqip prezantohej nga këta botues: “Logos-A”, “NUN”, “Furkan” dhe “Gnosa”. Nga botuesit në gjuhën shqipe më shumë tituj prezantonte shtëpia botuese “Logos-A” nga Shkupi, e njëkohësisht ofronte me zbritje të veçantë për panairin nga 30-50%. Një botues i ri në gjuhën shqipe që merrte pjesë në panair ishte shtëpia botuese “Gnosa” nga Tetova.

Botimet në gjuhën turke prezantoheshin nga shtëpitë botuese “Yeni Ballkan” dhe “Kopru”, të cilat kishin të ekspozuara botime të autorëve turq nga Maqedonia dhe revista të ndryshme për fëmijë dhe të rritur.

Unioni i Kulturës së Vllahëve në Maqedoni ishte i vetmi botues i cili ekspozonte botime në gjuhën vllahe dhe maqedonase për kulturën dhe traditën e kësaj bashkësie etnike në Maqedoni, mes tjerash edhe fjalorët vllahisht-shqip dhe shqip-vllahisht.

Një vend të konsiderueshëm në stendat ekspozuese të panairit zinin edhe botuesit e veprave me përmbajtje fetare. Në këtë aspekt më të pranishëm ishin botuesit me botimet në gjuhën shqipe për kulturën dhe traditën islame, e të cilat janë shtëpi botuese private, ndërsa botimet për kulturën ortodokse ekspozoheshin nga Kisha Ortodokse Maqedonase-Arqipeshkvia e Ohrit. Gjithashtu një hapësirë të konsiderueshme në hyrje të panairit zinte stenda ekspozuese e Dëshmitarëve të Jehovait, ku të gjitha botimet e ndryshme jepeshin falas për vizitorët e interesuar, në mesin e tyre disa edhe në gjuhën shqipe. Gjithashtu përfaqësuesit në këtë stendë komunikonin edhe në gjuhën shqipe.

Te botuesit në gjuhën maqedonase vendin kryesor e zinin botuesit dhe veprat që viteve të kaluara kanë botuar tituj me mbështetjen e Qeverisë së Maqedonisë, e që janë pjesë e projekteve të ndryshme të përkthimeve, në të cilat botuesit shqiptarë nuk kanë marrë ndonjë hise të konsiderueshme.

Në aspektin e çmimeve të botimeve, botimet në gjuhën maqedonase ishin dukshëm më të lira se botimet në gjuhën shqipe.

Duke e pasur parasysh se panairi i Tetovës si panair më i begatshëm me botime në gjuhën shqipe nuk mbahet më, Panairi i Shkupit mbetet ie vetmja mundësi për prezantimin e librit shqip në Maqedoni, megjithëse numri i lexuesve që e vizitojnë atë nuk është i kënaqshëm. Shumë botues nga Shqipëria dhe Kosova nuk marrin pjesë në këtë panair për shkak të ankesave se nuk kanë leverdi ekonomike për shkak të shitjes së ulët.

Nga aspektin vizual, disa shtëpi botuese kishin përgatitur stenda unike me dizajn të veçantë, jashtë kornizës standarde të stendave që ofrohen nga organizatori. Në këtë aspekt mund të veçohen shtëpitë botuese “Ars Lamina” dhe “Ars Studio”, të cilat megjithëse kanë ngjashmëri në emër, janë dy shtëpi botuese të ndara.

Si botues i cili ekspozonte botime edhe në gjuhën shqipe edhe në atë maqedonase ishte shtëpia botuese “Logos-A”, e cila një pjesë të botimeve të veta e ofron edhe në gjuhën maqedonase.