` . Pallmer: 80 votat për Marrëveshjen e Prespës, pikë kthesë në rrugën euroatlantike – TV-SHENJA

Pallmer: 80 votat për Marrëveshjen e Prespës, pikë kthesë në rrugën euroatlantike

Zëvendës- ndihmës sekretari amerikan për çështje evropiane, Metju Pallmer pas takimit me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, përshëndeti vendimin e 80 deputetëve për nevojën e ndryshimeve kushtetuese me qëllim zbatimin e Marrëveshjes së Prespës. Ai tha se SHBA e mbështet fuqishëm këtë marrëveshje dhe se do të jetë gjithmonë përkrah Maqedonisë, në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike.
“Jam i lumtur që vij në Maqedoni në një moment historik. Votimi i 80 deputetëve paraqet një pikë kthesë dhe kthen Maqedoninë në rrugën euroatlantike. Dëshiroj të nënvizoj dhe të dërgoj mesazh për liderët dhe politikanët, se si ecën vendi përpara drejt NATO-së dhe BE-së, si njerëzit e Maqedonisë dhe politikanët do ta kanë mbështetjen e SHBA-së drejt integrimit në këto struktura.
SHBA e përkrah Marrëveshjen e Prespës, dhe shohim se zbatimi i kësaj Marrëveshje është esenciale. Jemi të gëzuar nga votimi në Kuvend, dhe do të punojmë së bashku me ata që votuan për të hapur mundësin e zbatimit të kësaj Marrëveshje”, ka deklaruar Pallmer, transmeton SHENJA.