` . Pajtimi i serbëve dhe shqiptarëve – TV-SHENJA

Pajtimi i serbëve dhe shqiptarëve

Terrori i shtetit serb në Kosovë filloi në kohën e luftërave ballkanike, që nga dekada e dytë e shekullit XX, pastaj vazhdoi në Jugosllavinë e parë dhe në një pjesë të Jugosllavisë së dytë. Në fakt, Jugosllavia e dytë krijoi kornizën që mundësoi emancipimin kombëtar të shqiptarëve. Por, terrori sërish eskaloi në procesin e shkërmoqjes së Jugosllavisë

Shkruan: Sonja BISERKO, Beograd

Entuziazmi fillestar për përmirësimin e gjendjes në rajon pas vitit 2000, fatkeqësisht humbi shumë në intensitet, sepse u vërejt qartë se pengesat ishin të pakalueshme. Së pari, për shkak të së kaluarës me shumë ngarkesa dhe mungesës së vullnetit politik që atyre problemeve t’u qasen seriozisht dhe, e dyta, elitat politike interesat e tyre personale i vendosën mbi ato shtetërore dhe kombëtare. Pos kësaj, edhe potenciali i BE-së për t’i cytur shoqëritë në rajon për reforma, u tregua i kufizuar.

Kriza financiare (2008), kriza e refugjatëve (2014), si dhe forcimi i partive të djathta, Brexit, fitorja e Donald Trump-it, radikalizmi i politikave identitare – e gjithë kjo kontribuoi në mosangazhimin e bashkësisë ndërkombëtare perëndimore në Ballkan. Mirëpo, depërtimi i thellë i Rusisë në rajon dhe kriza e refugjatëve, bënë që vëmendja e Perëndimit sërish të fokusohet në Ballkan, sidomos për shkak të çështjeve të sigurisë. Fitorja e Donald Trump-it në SHBA, si dhe ndryshimi i kursit në politikën e jashtme (jo vetëm ndaj Ballkanit, por edhe ndaj Europës), shumë çështje akoma i ka lënë të hapura, në veçanti dilemën se si do të jetë ajo politikë në të ardhmen. Kjo politikë, në fakt, ka ndryshuar dhe është me pasoja për rendin ndërkombëtar – dalja nga marrëveshja klimatike, prishja e marrëveshjes tregtare me Meksikën, sulmi ndaj ICC – gjithë kjo tregon se SHBA-të nuk janë në drejtimin e duhur. Deri para pak kohe administrata amerikane në Ballkan vepronte në varësi të prioriteteve të përcaktuara gjatë dy dekadave të fundit. Por, pas takimit Trump-Putin në Helsinki, filluan spekulimet lidhur me Ballkanin. Ndonëse ai takim nuk ishte transparent për opinionin e gjerë, deklaratat e disa zyrtarëve, siç ishte ajo e John Bolton-it, mjaftuan që me to të manipulohet. Mirëpo, akoma nuk ka indikacione të qarta se po ndodhin ndryshimet e vërteta. Daniel Server, profesor në Universitetin “John Hopkins” dhe njohës i mirë i Ballkanit dhe politikës amerikane, thekson se e vetmja që bënë amerikanët ishte – të dëgjojnë. Kjo në Ballkan u interpretua si përkrahje. Server-i potencon se në Uashington nuk ka vërejtur përkrahje për idenë konkrete të ndarjes së Kosovës dhe se shpreson se amerikanët në fund do të thonë qartë – jo. Pos kësaj, ai vlerëson se pa përkrahjen gjermane, ideja e korrigjimit të kufijve, këmbimi i territoreve ose, pavarësisht se si do të emërohej kjo nismë, thjeshtë nuk mund të realizohet. Rëndësia gjermane në Ballkan është e madhe.

Ballkani tashmë është në gjendje që për të flitet si për “unfinished business”, fuçi baroti, hapësirë që i kanosen konflikte të reja dhe të ngjashme. Ballkani, në një mënyrë, është pasqyrë e pamundësisë së bashkësisë ndërkombëtare, para se gjithash Europës dhe rrënimit të rendit ndërkombëtar liberal, në vlerat e së cilës ishte mbështetur arkitektura ballkanike e vitit 2000. Kjo edhe mund të pritej, sepse ndërkohë në Ballkan u përfshinë edhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë. Në këtë moment pikat më nevralgjike janë Kosova dhe Maqedonia. Para se gjithash Kosova, për shkak të tendencave që problemi të zgjidhet me “caktimin e kufijve” midis serbëve dhe shqiptarëve.

Mirëpo, mbetet nevoja thelbësore – të sqarohen shkaqet e shkërmoqjes së Jugosllavisë dhe të sqarohet roli i elitave serbe në përgatitjen e luftës dhe pastaj të evidentohen të gjitha krimet që janë bërë në hapësirat e ish Jugosllavisë. Pos kësaj, rajoni mund të prosperojë vetëm me një platformë të përbashkët. Kjo do t’i jepte peshë specifike, që do të mundësonte edhe një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare. Mënyra se si tani veprohet është vetëm një objekt, i cili u nënshtrohet lloj-lloj manipulimeve dhe interesave që nuk përkojnë me interesat e Ballkanit Perëndimor. Prandaj, Ballkani nën një ombrellë, besoj të BE-së, ka ardhmëri dhe perspektivë.

Kur bëhet fjalë për marrëdhëniet midis serbëve dhe shqiptarëve, duhet thënë se janë të ngarkuara më shumë mosmarrëveshje dhe stereotipa, të cilat e rëndojnë komunikimin dhe normalizimin e marrëdhënieve.

Përse kjo? Së pari, sepse shqiptarët janë të traumatizuar thellë me përvojën e tyre në raport me shtetin e Serbisë, kurse elita serbe ka krijuar një narracion për pafajësinë, sidomos për luftërat e viteve nëntëdhjeta. Kjo është e rrezikshme, sepse i imponon aspiratat që bazohen në pritjet se rrethanat ndërkombëtare herëdo-kurdo do të ndryshojnë në dobi të serbëve. Teza tjetër, për “fqinjësinë”, sugjeron se Serbisë gjithnjë i kanosen armiqtë e jashtëm dhe se lufta e viteve të nëntëdhjeta “ishte mbrojtje e domosdoshme” dhe se të gjithë janë kundër kombit serb dhe jo kundër shtetit që provokon luftëra.

Terrori i shtetit serb në Kosovë filloi në kohën e luftërave ballkanike, që nga dekada e dytë e shekullit XX, pastaj vazhdoi në Jugosllavinë e parë dhe në një pjesë të Jugosllavisë së dytë. Në fakt, Jugosllavia e dytë e krijoi kornizën që mundësoi emancipimin kombëtar të shqiptarëve. Por, terrori sërish eskaloi në procesin e shkërmoqjes së Jugosllavisë.

Ky, pra, është problemi, të cilën Serbia e mohon. Ndaj dhe është i pamundur fillimi i çfarëdo dialogu përderisa Serbia nuk e hap këtë çështje.

Edhe përkundër arritjes së Marrëveshjes së Berlinit, politika beogradase, në thelb, me anë të domonizimit të përhershëm, i mban gjallë paragjykimet për shqiptarët “si popull i pacivilizuar që nuk është i aftë ta drejtojë shtetin”. Akoma vazhdon fushata e mediave kundër shqiptarëve dhe Kosovës, e cila paraqitet kryesisht si shtet mafioz, terrorist dhe kriminal.

Deklaratat si ajo e Tomisllav Nikoliqit “se njohja e të ashtuquajturit shtet të Kosovës të realizuar me terrorizëm, ishte e nevojshme për ata që e formuan të ashtuquajturin Shtet Islamik”, vetëm sa i irriton shqiptarët. Fushata kundër pranimit të Kosovës në UNESCO edhe më tepër reflektoi në gjendjen shpirtërore të shoqërisë serbe.

Pavarësisht se është vënë nënshkrim në Marrëveshjen e Brukselit, akoma jemi larg fillimit të vërtetë të procesit të zbutjes së marrëdhënieve të ndërsjella. Kompromisi midis shteteve është kompromis politik, por deri te kompromisi thelbësor mund të arrihet vetëm me një qasje morale dhe etike, për të cilën janë të nevojshme elita të pjekura dhe të përgjegjshme.

Perceptimi i njërit për tjetrin, por edhe perceptimet e serbeve dhe të shqiptarëve, akoma janë evidentet, madje edhe përkundër përpjekjeve të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve dhe arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse. Ndryshimi reciprok i perceptimeve mund të realizohet në një atmosferë dialogu, që do ta mundësonte procesin e normalizimit dhe zbutjen e perceptimeve të ndërsjella.

Zgjidhja e mosmarrëveshjeve rreth historisë është e mundur vetëm me njohjen e saj. Kapërcimi i së kaluarës është – siç thekson historiani gjerman, Zundhausen – ballafaqimi kritik me të kaluarën tonë dhe jo ballafaqim kritik me të kaluarën e “të tjerëve”. Kjo është shumë e rëndësishme dhe nuk mund të përjashtohen nga e kaluara jonë. Por, ajo që e bën të ndryshëm procesin e kapërcimit të së kaluarës nga shumica e formave të tjera të ballafaqimit me të kaluarën është: gatishmëria për debat rreth fajit dhe përgjegjësisë sonë, çka nuk do të thotë se s’do të ketë përgjegjësi edhe për palën “tjerët”.

Çfarë duhet të bëjmë që të flasim edhe për të kaluarën? Përkatësisht, çfarë të bëjmë që procesi i kapërcimit të së kaluarës të iniciohet në të dyja anët? Nuk ka zgjidhje tjetër, pos dialogut, i cili, midis tjerash, duhet të caktojë përgjegjësi për rolin në histori. Këtë, për shembull, Evropa e ka bërë pas Luftës së Dytë Botërore.

Dialogu midis shqiptarëve dhe serbëve duhet të zhvillohet në nivel ndërshtetëror, por edhe në nivel të të dyja shoqërive. Mirëpo, përderisa serbët nuk tregojnë empati për shqiptarët dhe derisa nuk ballafaqohen me krimet ndaj tyre, shqiptarët për shkak të përvojës së tyre të dhimbshme, nuk do të jenë të gatshëm për dialog racional dhe traumat e tyre do të bartën brez pas brezi.

Vendosja e marrëdhënieve nënkupton durim historik dhe pjekuri të të dy popujve. Përparimi nuk është i mundur vetëm me miratimin e ligjeve restriktive dhe vendimeve gjyqësore, por me hapjen e debateve që për qëllim do të kenë ndryshimin e mentalitetit. Pa ndryshimin e mentalitetit, krimi vazhdimisht do të përsëritet.

Të dy popujt kanë memorie të njëjtë kolektive. Që të dilet nga kjo skemë, i domosdoshëm është transformimi i monologut në dialog dhe rikonstruimi i memories kolektive. Për aq kohë sa serbët dhe shqiptarët nuk lirohen nga perceptimet që kanë ndaj njëri-tjetrit, për aq kohë nuk është i mundur ristrukturimi as i identitetit e as mënyra objektive e të menduarit.

Mirëpo, për serbët çështja shqiptare ende është e hapur. Në esencë, Beogradi e përkrah dhe inkurajon idenë për bashkimin e shqiptarëve, sepse me këtë kërkon arsyetim për bashkimin e serbëve, përkatësisht zgjidhjes së çështjes serbe. Qasja e tillë vazhdon me matricën e njëjtë, që rrezikon përsëritjen e konflikteve. Prandaj, Bosnja dhe Kosova për Serbinë akoma janë çështje të hapura.

Është me rëndësi të theksohet se ekzistojnë nisma në nivel të shoqërive civile, që krijojnë kushte për dialog. Kuptohet, ato përballen me shumë obstruksione, por edhe përkundër kësaj, gradualisht po artikulohet një qasje e re. Për t’u përforcuar ky trend, është e domosdoshme të vazhdohet me dokumentimin e ngjarjeve dhe bërjen e tyre publike. Fondi për të Drejta Humanitare ka botuar një libër të rëndësishëm, “Librin e të vdekurve”, i cili në mënyrë precize e ka evidentuar numrin e atyre që pësuan në Kosovë gjatë viteve 1998 dhe 1999, si dhe rrethanat në të cilat ata e pësuan. Ky libër u vë pikë manipulimeve me numra.

Ndërkaq, aktgjykimi i Tribunalit të Hagës për Kosovën ka rëndësi të veçantë. Por, injorimi i tij, si dhe grumbullimi dhe dokumentimi i të gjitha dëshmive për luftën në Kosovë, akoma më shumë i komplikojnë marrëdhëniet serbo-shqiptare.

Është e domosdoshme që këto dëshmi të dëshmohen dhe të përkthehen me përkushtim, si dhe sqarohen marrëdhëniet e serbëve me shqiptarët, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të bllokohen mekanizmat përsëritjes. Gjithsesi, kultura është më komunikuese kur bëhet fjalë për mobilizimin e të rinjve dhe në këtë plan ka lëvizje. Kjo hapësirë ngadalë po hapet dhe duhet të përkrahet.

Historiani gjerman, Zundhausen, gjatë qëndrimit të tij Beograd, me rastin e kritikave dhe mohimit të së drejtës që një i huaj ta shkruajë historinë e Serbisë, theksoi: “Shkenca e historisë gjendet pranë një kthese të fuqishme. Ajo nuk është më mjet në synimin e krijimit të kombit dhe nuk i shërben më glorifikimit të kombit. Është mjet për mirëkuptimin e njerëzve dhe konteksteve të tyre sociale dhe kulturore. Me këtë, shkenca e historisë bëhet pjesë e domosdoshme e “punëtorisë për të ardhmen”. Supozimi më i rëndësishëm është që ta duam ardhmërinë. Njeriu mund t’i besojë, fillimin e saj mund ta shtyjë për më vonë, mund ta madhërojë të ardhmen, por mund edhe ta formësojë, t’i japë drejtim. Ajo nuk mund vetëm të ndalet. Ky është mesazhi më i rëndësishëm i historisë”.

Bashkësia ndërkombëtare, në raport me Serbinë, nuk i kushtoi vëmendje të duhur përmbushjes së detyrimeve të saja morale ndaj rajonit dhe botës.