` . Osmani: Viti 2015, dështim i Thaçit dhe diplomacisë – TV-SHENJA

Osmani: Viti 2015, dështim i Thaçit dhe diplomacisë

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, e konsideron 2015-n vit të dështuar të Hashim Thaçit në diplomaci.

Në intervistën dhënë “Zërit”, ajo thotë se diplomacia kosovare dështoi në UNESCO, në fushën e njohjeve dhe në fund me procesin e liberalizimit të vizave. Kërcënimi, që Thaçi ia bëri BE-së, me një gjuhë të pamatur, sipas Osmanit, nuk i kontribuon integrimit të Kosovës

Diplomacia kosovare ka dështuar tërësisht gjatë këtij viti. Dështoi në UNESCO, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për anëtarësimin e Kosovës në organizata të tjera ndërkohë, ndërsa dështimi ordiner është edhe ky për vizat.

Kështu ka thënë në një intervistë për gazetën “Zëri”, deputetja e Kuvendit të Kosovës në radhët e LDK-së dhe anëtarja e Komisionit për Integrime, Vjosa Osmani.

Ajo ka folur edhe për një ridizajnim të strategjisë së Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë, pasi me këtë proces, sipas saj, po përfiton vetëm Serbia.
Ndërsa, sa i përket zgjedhjes së presidentit në shkurt të vitit 2016, Osmani ka thënë se ai duhet të jetë një person unifikues që përmirëson imazhin e vendit në botë e, sipas saj, kreu i PDK-së, Hashim Thaçi, nuk është as njëra e as tjetra.

Krejt në fund sa i përket zgjedhjeve të parakohshme Osmani ka thënë se vetëm për një arsye nuk është për atë opsion njëherë.

E ajo është Gjykata Speciale, megjithëse ka shtuar se nëse nuk ka dalje nga kriza, atëherë ajo do të mbetet e vetmja zgjedhje.