` . Osmani thotë se nuk ka përçarje, Lika reagon sërish ndaj veprimeve të BDI-së (VIDEO) - TV-SHENJA

Osmani thotë se nuk ka përçarje, Lika reagon sërish ndaj veprimeve të BDI-së (VIDEO)

Bashkimi Demokratik për Integrim është më i unifikuar se kurrë dhe po realizon programin zgjedhor. Kështu tha zëvendëkryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, duke u përgjigjur në pyetjen se a ka përçarje në BDI dhe se si e komenton faktin që Hazbi Lika thotë se nuk e dinte se do të shuhej sekretariati për implementimin e marrëveshjes së Ohrit. Ai nuk dha ndonjë përgjigje më konkrete, por vetëm foli për kronologjinë e transformimit të sekretariatit në Ministri, ku mes tjerash nënvizoi se ky vendim është miratuar në kryesi dhe në këshill të përgjithshëm të partisë.

Bujar Osmani, Zëvendëskryeministri për çështje evropiane: Ky vendim është pjesë e analizës, e cila është bërë pastaj pjesë e programit zgjedhor të BDI-së 2020, program i cili është miratuar në kryesi dhe në këshill të përgjithshëm, i cili ka marrë verdiktin e qytetarëve për shkak se kemi fituar numrin më të madh të votave shqiptare dhe pastaj është bërë edhe pjesë e programit të Qeverisë. Gjithashtu edhe gjatë emërimit të zëvendës kryeministrave në Qeveri, janë emëruar si zëvendëskryeministët për sistem politik, që në fillim të mandatit. Kështuqë ky ka qenë vendim i partisë dhe po implementohet”.

Por zëvendëskryeministri për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Hazbi Lika, përsëriti se nuk e di se kur e ka sjellë BDI-ja këtë vendim, duke nënvizuar se për ngritjen e iniciativës për ta ndryshuar këtë sektor, është dashur që të pyetet edhe ky sektor.

Hazbi Lika, Zëvendëskryeministri i ngarkuar me Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit: Mendoj se nuk është koha për ta thënë një gjë të tillë por çështja është se duhet të njihen njerëzit dhe aktorët politik me realitete të caktuara. Unë dje bëra një reagim shumë objektiv sepse unë jam udhëheqës i një sektori që e bart këtë proces, dhe të ngrihet iniciativë për ta ndryshuar këtë sektor, unë e quaj të nevojshme që të pyetet edhe ky sektor, të merret në konsideratë dhe të bashkëpunohet për të hartuar një ligj i cili më mirë do t’i mbrojë interesat sepse jemi të vetëdijshëm që marrëveshja e Ohrit është një dokument i cili ende nuk është implementuar. Një shembull konkret është përfaqësimi i drejtë dhe unë mendoj që kjo nuk duhet të merret si një lojë ose si diçka e lehtë që mund të kapërcehet aty për aty. Nuk kam ndonjë mendim konkret në lidhje me ligjin, ligji ndoshta mund të jetë më i mirë por mbase mund të bëhet edhe më i mirë, sepse kaluan diku 17 vjet prej kur është arritur ajo marrëveshje. Ne e dimë se afatet i ka pasur për 4 vjet të implementohet dhe nuk është implementuar deri më tani. Po flasim për implementim dhe po hyjmë në konflikte për një marrëveshje e cila është dashur të implementohet 4 vite pasi është arritur… Nuk e them konflikt në kuptimin e parë të fjalës , por po e them si konflikt mendimesh, ideshë.

Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit do të shndërrohet në ministri për sistem politik dhe marrëdhënie midis komuniteteve, ku sipas zëvendëskryeministrit Bujar Osmani, kjo nuk nënkupton shuarje të këtij sektori, por vetëm një avancim, pas çka sekretariati nga një shërbim tekniko-administrativ shndërohet në organ ekzekutiv me të drejtë për propozim të ligjeve. I pyetur se kush do të emërohet në postin që aktualisht e mban Hazbi Lika, Osmani tha se do të vlerësojë partia në të ardhmen, duke i dhënë prioritet miratimit të ligjit.

Ajnur Bafqari /SHENJA/