` . Osmani për hetimin ndaj tij: Gjithçka ka qenë në interes të qytetarëve – TV-SHENJA

Osmani për hetimin ndaj tij: Gjithçka ka qenë në interes të qytetarëve

Zv/kryeminsitri i Maqedonisë për çështje evropiane, Bujar Osmani, për rastin e hetimeve të reja të cilat i hapi Prokuroria Speciale Publike, ndër të cilat në njërën prej tyre përmendet emri i tij, ka deklaruar se vet ai ka kërkuar që të hapet sa më shpejtë hetimi dhe të largohet “çdo njollë” nga puna e tij në kohën kur ishte ministër i Shëndetësisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas ceremonisë së shënimit të 11 Tetorit – Ditës së kryengritjes popullore në Kumanovë, zv/kryeministri Osmani theksoi se spekulimet ndaj tij janë që tre-katër vite dhe për këtë arsye ai ka kërkuar dhe insistuar që të hapet sa më shpejtë.

“Apeloj që ky hetim të kryhet sa më shpejtë, që të verifikohen faktet. Jam i sigurt se faktet konstatojnë se të gjitha projekte, të gjitha realizimet, aq sa kam qenë në dijeninë time dhe në kompetencat e mia, kanë qenë në kuadër të ligjit dhe asnjë shkronjë e ligjit nuk është thyer. Gjithçka ka qenë në interes të qytetarëve të Maqedonisë”, shprehet Osmani.

Ai po ashtu theksoi se në hetim ka parë edhe gabime në shifra të Prokurorisë Speciale Publike, për të cilën theksoi se kompania që e ka fituar tenderin ka qenë 20 milionë denarë më e lirë se kompania e dytë, ndërsa në hetim tregohet se është më e shtrenjtë.

“Për mua personalisht është shumë i rëndësishëm ky hetim, për shkak se dua të heqin çdo njollë nga puna e suksesshme e ime në Ministrinë e Shëndetësisë. Qindra e mijëra projekte janë realizuar në atë kohë dhe nuk besoj se ka pasur mandat tjetër në Ministrinë e Shëndetësisë ku janë realizuar aq projekte sa në kohën kur kam qenë unë ministër”, u shpreh Osmani.

Në hetimin që zhvillohet nën emrin “Pacienti” ekziston dyshim i bazuar në keqpërdorim të pozitës dhe autorizim zyrtar në procedura rreth furnizimeve publike për kryerjen e punëve ndërtimore në disa institucione publike shëndetësore në shtet. Në hetim janë përfshirë 15 persona, mes të cilëve edhe zv/kryeministri Osmani, ish-ministër i Shëndetësisë nga viti 2008 deri në vitin 2011, i cili dyshohet se në vend që ta refuzojë “propozimin e paligjshëm” të komisionit për zgjedhje të ofertës, ka sjellë vendim për zgjedhje duke favorizuar ofertuesin, respektivisht një kompanie nga Bullgaria, edhe pse nuk i ka përmbushur kushtet nga dokumentacioni i tenderit.

Rasti “Pacienti” është pjesë e lëndëve të Prokurorisë Speciale Publike, e cila merret me lëndët që dalin nga afera e përgjimeve të publikuara në vitin 2015 nga Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë (LSDM), lideri i së cilës, aktualisht kryeministri Zoran Zaev, akuzoi pushtetin e atëhershëm, pjesë e të cilës ishte edhe zv/kryeministri aktual Osmani, se ka bërë përgjime ilegale të mbi 20 mijë qytetarëve të Maqedonisë, në mesin e të cilëve politikanë, zyrtarë të ndryshëm, gazetarë, personalitete publike, për çka publikonte materiale të përgjuara.