` . Osmani: Ndërhyrja në BFI e cenon sekularitetin e vendit - TV-SHENJA

Osmani: Ndërhyrja në BFI e cenon sekularitetin e vendit

Zëvendëskryeministri Bujar Osmani ka thënë se incidenti me ndërhyrjen në Bashkësinë Fetare Islame, paraqet akt të turpshëm që kërcënon sekularitetin e vendit dhe autonominë e garantuar me kushtetutë të bashkësive fetare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ai tha se nga Qeveria dhe institucionet tjera duhet të ndërmarrin aktivitete me të cilat do të mbrojnë pavarësinë e BFI-së.

Osmani vlerëson se incidentet e tilla me siguri në mënyrë negative do të ndikojnë në marrëdhëniet stabile ndëretnike, që paraqesin fryt të mundit shumëvjeçar dhe sjelljes së kujdesshme. “Aktualisht marrëdhëniet ndëretnike janë stabile dhe të forta, dhe me të jemi veçanërisht krenar, por ajo nuk është diçka që mund të merret si e gatshme, por përkundrazi, medoemos duhet në mënyrë aktive të punojmë në mirëmbajtjen e tyre”, theksoi Osmani, pas takimit me shefin e Misionit të OSBE-së në Shkup, Klemens Koja, në të cilën u shkëmbyen informacione dhe mendime për më shumë tema aktuale. /SHENJA/