` . Osmani: Euro-integrimet në gjendje jo të kënaqshme - TV SHENJA

Osmani: Euro-integrimet në gjendje jo të kënaqshme

Agjenda e integrimeve evropiane dhe adresimi i reformave të rekomanduara, ishin tema të seancës së sotme të Qeverisë. Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, tha se vendi ka humbur shumë kohë në këtë drejtim dhe për shkak të krizës institucionale, raporti i fundit i KE-së ishte negativ për Maqedonisë. Ai ka deklaruar se konform bisedimeve të zhvilluara në Bruksel, është përgatitur plan operacional në të cilën janë përcaktuar të gjitha detyrimet që duhet të bëhen deri në zgjedhjet lokale, në mënyrë që vendi të marrë një raport special të pakushtëzuar pas zgjedhjeve lokale.

“Statusi i integrimeve të Maqedonisë është në gjendje jo të kënaqshme për ne, për shkak të raportit të fundit të Komisionit Evropian i cili vlerëson se Maqedonia ka një ecje mbrapa ose fenomeni është quajtur kapje të shtetit nga raporti i fundit i KE-së dhe është dhënë rekomandimi i kushtëzuar, duke përmendur si kushte mbajetjen e zgjedhjeve kredibile të pranueshme për të gjithë dhe adresimi i reformave urgjente prioritare të cilat ishin rekomanduar nga KE”, tha Bujar Osmani, zv/kryeministër për Çështje Evropiane.

Duke folur për vizitën e nesërme në Sofje të delegacionit nga Shkupi të udhëhequr nga kryeministri Zaev, Osmani e ka vlerësuar atë si shumë të rëndësishëm për eliminimin dhe tejkalimin e çështjeve të hapura mes dy vendeve.

“Një mundësi për të mbyllur çështjet e hapura bilaterale me Republikën e Bullgarisë që të eliminojmë dhe të tejkalojmë të gjitha pengesat politike, paralelisht me adresimin agresiv, që të mbetemi pastaj te çështja e emrit, si çështje e komplikuar dhe emocionale të cilës duhet t’i qasemi në mënyrë senzitive për të krijuar masa të mirëbesimit dhe për të gjetur një zgjidhje që na debllokon rrugën drejt Bashkimit Evropian”, tha ai.

Osmani tha se pas takimeve të zhvilluara në Bruksel, kanë formuar Komision Ad Hoc i cili po përgatit plan aksional për të analizuar se çfarë mund  të realizojnë në përmbushjen e pritjeve të partnerëve ndërkombëtarë.

Teuta Buçi /SHENJA/

Osmani: Euro-integrimet në gjendje jo të kënaqshme by tvshenjaofficial

Postime të Ngjajshme