` . OSBE: Shkupi dhe Athina arritën marrëveshje historike – TV-SHENJA

OSBE: Shkupi dhe Athina arritën marrëveshje historike

Kryesuesi i OSBE-së, Ministri i jashtëm i Italisë, Enzo Moavero Milanesi dhe Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së Thomas Greminger përshëndetën njoftimin mbi marrëveshjen për zgjidhjen e çështjes së emrit ndërmjet Athinës dhe Shkupit, të cilën e vlerësuan si një hap të madh drejt avancimit të stabilitetit rajonal.

“Urime Kryeministrave Alexis Tsipras dhe Zoran Zaevit për udhëheqjen dhe angazhimin e tyre ndaj këtij procesi të rëndësishëm për të dy vendet, për Evropën Juglindore dhe për Evropën në tërësi”, tha Kryesuesi Moavero. “Kjo është një mundësi unike që duhet të shfrytëzohet dhe ndërtohet më tej.”

Sekretari i Përgjithshëm Greminger theksoi rëndësinë e dialogut dhe kompromisit në këtë proces. “Kjo marrëveshje historike tani mund të shpie në një zgjidhje afatgjatë për të mirën e të gjithë qytetarëve dhe rajonit në tërësi”.

Sekretari i Përgjithshëm gjithashtu shprehu vlerësimin e tij ndaj Kombeve e Bashkuara, të cilët kanë udhëhequr me përpjekjet e ndërmjetësimit për të zgjidhur këtë çështje për më gjatë se 25 vjet.