` . OSBE fillon misionin vëzhgues, starton me 16 ekspertë - TV-SHENJA

OSBE fillon misionin vëzhgues, starton me 16 ekspertë

OSBE ODIHR, me ftesë të Ministrisë së Jashtme, sot zyrtarisht ka filluar misionin vëzhgues për zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen më 15 tetor. Misioni do të vlerësojnë përputhshmërinë e zgjedhjeve me parimet e OSBE-së dhe të detyrimeve të tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike. Ambasadorja e OSBE-së, Odri Glover, deklaroi sot në konferencë për media se po ashtu do të vlerësohet edhe implementimi i rekomandimeve të adresuara në zgjedhjet e kaluara.
“Neve nuk na intereson dalja e votuesve, por që procesi të jetë transparent dhe të zhvillohet në pajtueshmëri me detyrimet që dalin nga anëtarësimi në OSBE siç janë, barazia, drejtësia, paanshmëria dhe fshehtësia. Përveç kësaj, në interes tonin është që rezultatet të shpallen në mënyrë të drejtë dhe transparente. Është shumë e rëndësishme që votuesit të kenë besim në integritetin e procesit të tërësishëm zgjedhor”, deklaroi Odri Glover, Ambasadore e OSBE-së.
Vëzhguesit e misionit të OSBE-së do të ndjekin procesin e regjistrimit të kandidatëve dhe votuesve, aktivitetet e fushatës, punën e administratës zgjedhore, kodin zgjedhor dhe implementimin e tyre dhe zgjidhjen e kontesteve zgjedhore. Misioni po ashtu do të ndjek edhe raportimet e mediave për fushatë.
“Regjistrimi i votuesve është çështje e rëndësishme që na intereson, të cilën do ta shqyrtojmë dhe për të cilin me siguri do të raportojmë, do të komentojmë edhe në raportin periodik dhe gjithsesi edhe në raportet e mëtejme”, deklaroi Odri Glover, Ambasadore e OSBE-së.
Misioni udhëhiqet nga ambasadorja Odri Glover dhe përbëhet prej 16 ekspertë dhe 20 vëzhgues afatgjatë që do të sistemohen nëpër tërë vendin. Ditën e zgjedhjeve vëzhguesit do të ndjekin hapjen e vendeve të votimit, votimin, numërimin e listave të votuara dhe mbledhjen e rezultateve. OSBE do të publikon një raport periodik gjatë punës së saj, ndërsa raporti përfundimtar do të publikohet rreth 8 javë pas procesit zgjedhor.
Teuta Buçi /SHENJA/

Postime të Ngjajshme