` . Organizata për Bashkëpunim Islamik me rezolutë thërret për njohjen e Kosovës - TV SHENJA

Organizata për Bashkëpunim Islamik me rezolutë thërret për njohjen e Kosovës

Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik (OBI), në sesionin e 44-të, të mbajtur në Abidjan të Bregut të Fildishtë, ka miratuar një rezolutë për Kosovën, në të cilën i bënë thirrje shteteve anëtare të OBI-së të njohin shtetësinë e Kosovës bazuar në të drejtat e tyre të lira dhe sovrane, si dhe në praktikën e tyre nacionale.

Në rezolutën e miratuar në takimin e 10-11 korrikut, në të cilin kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Kosovës, Këshilli i Ministrave të Jashtëm të OBI-së merren parasysh një varg rezolutash ndërkombëtare, njohjen e Kosovës nga 114 shtete, përfshirë 38 nga anëtare të OBI-së, si dhe riafirmon interesimin e vazhdueshëm të OBI-së për popullin e Kosovës dhe paqen e stabilitetin në tërë rajonin e Ballkanit.

Në rezolutën numër 18/44, OBI mirëpret progresin e arritur drejt forcimit të demokracisë në Kosovë, sundimin e ligjit dhe punën institucionale në të gjitha nivelet relevante, duke ofruar paqe dhe stabilitet në vend dhe në regjion.

Po ashtu, OBI mirëpret bashkëpunimin e Kosovës me institucionet ekonomike dhe financiare të OBI-së, si dhe i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtarë, përfshirë vullnetin e shteteve anëtare të OBI-së, të vazhdojnë kontributin në nxitjen e ekonomisë së Kosovës.

Postime të Ngjajshme