` . Operacion antidrogë në disa qytete të Shqipërisë – TV-SHENJA

Operacion antidrogë në disa qytete të Shqipërisë

Policia e Shqipërisë nën drejtimin e Prokurorisë për Krimet e Rënda dhe në bashkëpunim me agjenci të tjera ligjzbatuese kanë finalizuar përgjatë orëve të fundit një operacion antidrogë të koduar “VOL-VO 4”, të shtirë në 12 qytete të Shqipërisë, ku janë goditur anëtarë nga 4 grupe të skeduara kriminale dhe arrestuar 27 persona, raporton AA.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, Ardi Veliu, në një konferencë për mediat lidhur me operacionet e zhvilluara në disa qytete të Shqipërisë, tha se në goditjen finale gjatë operacionit kanë marrë pjesë rreth 1.500 forca policore, ndërsa u shpallën në kërkim edhe 2 shtetas turq.

“Forcat policore në bashkëpunim me drejtoritë vendore të policisë kanë ushtruar kontrolle në qytetet Shkodër, Has, Lezhë, Shijak, Elbasan, Durrës, Fier, Vlorë, Tiranë, Patos, Sarandë dhe Delvinë. Gjatë këtij mega operacioni janë arrestuar 27 shtetas dhe 6 u shpallën në kërkim. Gjithashtu u godit një laborator i përpunimit të heroinës në fshatin Brenog në Has, ku ndër të tjera janë sekuestruar 182.5 kg morfinë, e ndarë në 175 pako, 22 litra lëndë e lëngshme, të cilat përdoreshin për prodhimin e heroinës”, tha Veliu.

Sipas tij, në muajt e fundit, për dokumentimin e kësaj dosjeje, janë përdorur metoda speciale të hetimit. Veliu tha se në këtë procedim penal janë me mijëra orë përgjime, filmime, përgjime ambientale, vëzhgime me dron, mijëra faqe me shkresa dhe këmbim informacioni e korrespodencë me agjenci ligjzbatuese brenda e jashtë vendit.

Gjithashtu Veliu tha se në kuadër të këtij mega operacioni, ku u goditën këto 4 grupe kriminale, është zbuluar edhe implikimi i 3 punonjësve të Policisë së Shqipërisë.

Ndërkohë nga ana tjetër kujtomë se dje u arrestuan dy ish-deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, Arben Çuko dhe Arben Ndoka, të akuzuar për vepra të ndryshme penale.

Ish-deputeti dhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve të Shqipërisë, Arben Çuko dyshohet se është i përfshirë në korrupsion pasiv, gjatë kohës që ushtronte detyrën e drejtorit të burgjeve.

Ndërsa ish-deputeti Arben Ndoka dyshohet për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve” dhe “Shpërdorimi i tokës”, sipas policisë, në kuadër të një grupi kriminal, të përfshirë në tjetërsim tokash.