` . Oligarkët e frikësuar - TV-SHENJA

Oligarkët e frikësuar

 

Shkruan: Abdylmenaf Bexheti, Tetovë

Prej kohësh është e njohur se marrëdhënia midis fuqisë ekonomike dhe asaj politike është e drejtë, pra fuqia ekonomike ndikon në atë politike. Shumë më herët studiues të ndryshëm u janë qasur studimeve të kësaj marrëdhënie nga kënde dhe aspekte të ndryshme. Ky fenomen është global po aq sa edhe vetë kjo marrëdhënie është e përgjithshme. Shpesh teoritë konspirative dinë t’i referohen “qeverisë botërore” sa herë që takohen më të fuqishmit ekonomik të botës – nga “grupi i Bilderbergut” e deri te Davos-i, me përzierje sa politike po aq edhe ekonomike. Sigurisht që këto “grupe” sado (in)formale qofshin ose pretendojnë të jenë, shpesh trajtojnë probleme me perspektivë globale, si “inteligjenca artificiale” dhe problemet që mund të shkaktojë ajo (papunësi masive globale), ashtu edhe probleme të Lindjes Mesme dhe Afrikës Veriore. Intenca e këtyre takimeve është zbulimi dhe krijimi i “mekanizmave të padukshme”, për të influencua biznesin privat, përmes elitës së fuqishme ndërkombëtare (transnacionale). Këta nuk brengosen për teoritë konspirative, por pretendojnë të krijojnë “rregulla globale” për formësimin e botës në të cilën jetojmë të gjithë së bashku.

Brenga për “inteligjencën artificiale” dhe pasojat globale të saj i ka paralajmëruar edhe fizikani me përmasa botërore Stephan Hawking, profesor i Universitetit të Kembrixhit.

Bota, ekonomikisht, është shumë e pabarabartë dhe kjo tendencë është gjithnjë më keqësuese. Edhe më parë i kemi trajtua këto gjendje dhe brenga, si globale ashtu edhe lokale, por më shumë në aspektin socio-ekonomik dhe kauzalitetin politik. Ajo që dua ta trajtoj me theks të veçantë në këtë shtjellim është aspekti socio-politik me kauzalitet ekonomik – si ndikon fuqia ekonomike në prishjen e rregullave demokratike, si gjithandej ashtu edhe këndej!

Ish sekretari i Shtetit të ShBA-ve për punë dhe politika sociale në qeverisjen e Bill Klintonit, Robert Reich, aktualisht Kancelar i Politikave Publike në Universitetin e Kalifornisë në Berkeley, në librin e tij (bestseller) thekson: “Ta kursejmë kapitalizmin – për shumicën e jo vetëm për disa”. Si një njohës i shkëlqyer i funksionimit të institucioneve, bile edhe në ShBA, ai e trajton brengën e ndikimit të fuqisë ekonomike në institucione si faktor i kërcënimit demokratik. SHBA-të pa dyshim janë lider i liberalizmit ekonomik botëror me institucione më të fuqishme në botë dhe sërish po trajtohen në formë të dëshmuar se fuqia ekonomike e bizneseve për përfitime rritëse deri në infinit e kërcënon demokracinë përmes lobimit, ndikimit politik dhe korrupsionet në “blerjen e ligjvënësve” në SHBA! Pra, këtu është dallimi esencial i qasjes së problemit – atje ku shprehet fuqia maksimale e institucioneve ekziston brengë për kërcënim demokratik, kurse në vendet tona, ku institucionet janë “të privatizuara” deri në palcë, kjo marrëdhënie as që trajtohet. Që të jetë e keqja më e madhe, në gjithë këtë marrëdhënie ndikon fuqia ekonomike “e akumuluar” nga veprimi politik (direkt apo indirekt) dhe jo nga sakrificat, riskmarrjet ose edhe nga trashëgimia ndërgjeneratash. Pra, në regjionet tona fuqia ekonomike në mënyrë dominante është krijuar prej fuqisë politike. Në SHBA brengat dhe trajtimet kanë shkuar deri atje, sa shkenca (profesor Reich) e ngre tezën e “pasurimit të pakicës” në llogari të rritjes së borxhit publik që do ta paguajë shumica në të ardhmen.

Debatet mbi këto dhe teza të ngjashme janë aq të fuqishme dhe relevante, saqë përcaktojnë rrjedhat politike në vendet e zhvilluara ekonomike. Nga afera e “Letrave të Panamasë” vërejtëm se edhe nga vetë Perëndimi ka shumë raste për abuzime dhe evazion fiskal. Zaten këto eksperienca edhe ne prej andej i “importojmë”. Por, ka një dallim krucial, atje investigohen, monitorohen, analizohen, dëshmohen dhe, kur zbulohen dhe publikohen, dihet fati i të gjithë atyre që i kanë bërë këto veprime. Përgjegjësia morale dhe politike vjen brenda orëve të publikimit, kurse ajo juridiko-penale në procedurë të caktuar që nuk i shkon mendja askujt të mendojë se mund ta pengojë e aq më pak të parit të shtetit!

Vetë lobimi dhe ndikimi politik nga të fuqishmit ekonomik në botën e zhvilluar dallon jo vetëm në formë, por edhe në koncept. Kompanitë lobuese me “fondet” nga klientët legalë bëjnë kontrata specifike për shërbime specifike – deri te draftimi i ndryshimeve dhe plotësimeve të ligjeve, akteve dhe rregullave të caktuara, që i favorizojnë pozitat ekonomike të klientëve. Këto propozim-ndryshime shkojnë në procedura legjistlative me shpjegime, arsyetime e argumente edhe agresive për ta marrë shumicën e miratimit. Krejt kjo brenda normave dhe standardeve të lejuara. Shpesh, por jo gjithmonë, përpjekjet e tilla mbarojnë me sukses. Shoqatat qytetare dhe, posaçërisht, mediumet investigative janë “mbrojtësi” më i denjë i interesit publik. Po të mos ishin funksionale këto shtylla të shoqërisë, një Zot e di ku do të kishin arritur përmasat e përfitimeve të individëve me fuqi të pakufizuar ekonomike.

Çdo ditë e më shumë lexojmë, mësojmë dhe shikojmë nëpër filma se si korporatat shumëkombëshe, që nga ato farmaceutike e deri te ato energjetike, janë të inkuadruara në përkrahje dhe financime të lobimeve të ndryshme që nga procesi i kandidimeve politike. Ato financojnë miliona dollarë për senatorë, kongresistë dhe presidentë, që të kenë kështu një ndikim në të ardhmen e tyre. Krejt kjo me një qëllim – si t’i rritin përfitimet, qofshin edhe duke parandaluar rritjen e tatimeve apo ndryshimin e skemave tarifore të doganave, taksave, kuotave të import-eksportit…etj.? Dallimi është krucial – atje raportohen në formë transparente, kurse te ne edhe kur zbulohen, fare nuk procesohen.

Liria e veprimit dhe tregu i lirë janë fondamenti i sistemit ekonomik të vendit më të fuqishëm në Botë (SHBA). Në mënyrë metaforike shpesh thuhet se dy janë të drejtat bazike të njeriut – të paguajë tatimet në rregull dhe të vdesë! Pra, edhe në këtë paradigmë të disiplinës fiskale në një Vendim të Gjykatës Supreme të SHBA-ve, që është edhe “case study” nëpër librat e studentëve, midis tjerash thuhet “s’ka asgjë të keqe nëse ashtu bashkërenditen veprimet e taksapaguesit, që të mbetet brenda kornizës së ligjit të taksave përkatëse, me qëllim që të paguajë më pak tatime. Askush nuk duhet të tatimohet me shumë në emër të patriotizmit fiskal…” (mbaron citati)! Ja pse SHBA-të është “vendi dhe parajsa e mundësive”!

Pra, mund të konstatojmë se ndikimi i fuqisë ekonomike në proceset politiko-demokratike është i pranishëm edhe në ShBA. Këtu besoj askush nuk mund të oponojë. Por, krejt kjo e kontrolluar, e monitoruar, investiguar dhe e procesuar nga institucione që askush nuk mund t’i ndikojë më vete, bile aq më pak një president që është institucioni më i fuqishëm (deri më sot) në botë.

Ta përkthejmë këtë në kontekstin e “fuqisë ekonomike” dhe proceseve politike në regjionin tonë. Qoftë edhe për nga sistemi ose kultura gjithashtu. Njëkohësisht duhet pasur parasysh si, kur dhe nga cila veprimtari në tregje kaq të limituara dhe shtete kaq të pazhvilluara u krijuan aq shpejt fuqitë ekonomike? Kjo dilemë e fundit, posaçërisht, vlen për Shqipërinë, që deri para më pak se 20 vitesh (‘97-ta e dërgoi në minus krahasimisht me ‘91-shin), pothuaj gati të gjithë njësoj nuk kishin bukë për të ngrënë!. Pa keqkuptime – nuk jam cinik dhe xheloz, por vetëm sa për përkujtim publik se ku jemi nisur dhe ku jemi sot. Dikush mund ta marrë për fenomen pozitiv dhe pse jo ata që i përkasin elitës ekonomike, por edhe asaj politike. Pikërisht këtu qëndron problemi struktural i shteteve tona të kalbura! Si ka mundësi që sektori dhe individë privatë të jenë pasuruar aq shpejt dhe në këso përmasa, ndërsa shteti (sektori publik) të mbetet aq i varfër. S’do mend se në sipërfaqe del shpërndarja asimetrike e fuqisë ekonomike ose, më mirë thënë, konjuktura dhe kapja e shtetit për llogari private.

Kosova nuk qëndron larg këtyre përmasave. Dihet gjendja deri në fillim të mileniumit ri dhe njëkohësisht milionerët e sotëm, posaçërisht të botës politike. Ju lumtë gazetarëve investigues, që edhe përkundër mungesës së mbrojtjes juridike dhe institucionale marrin guximin të hulumtojnë dhe publikojnë pasuritë marramendëse të botës politike. Bile, elitat politike shtiren sikur nuk e kuptojnë befasinë e bashkësisë ndërkombëtare dhe perëndimorëve me tradita kapitaliste qindvjeçare, kur ata me fjalorë diplomatikë ua përshkruajnë korrupsionin! Përmasat e ekonomive dhe shteteve tona janë miniaturale krahasuar me të tyre (SHBA, Gjermani, Francë, Britani,…) dhe për një kohë rekorde kemi prodhuar qindmilionerët e parë.

Maqedonia është rrëfim në vete. Rrjeti organizativ OCCRP, i themeluar nga Drew Sullivan (një nga zbuluesit e Panama Papers) dhe Paul Radu më 2006, është një rrjet i përbërë nga 22 organizata për raportime investigative, i mbështetur nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur (OSF), Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), qeveria zvicerane, Shoqata Kombëtare për Demokraci (NED) dhe donatorë tjerë. Në sondazhin e sivjetmë për qeverisje korruptive kryeministrin e Maqedonisë (Nikolla Gruevskin) e rangoi në pozitën e tretë pas Gjukanoviqit (Mali i Zi) dhe presidentit Aliev të Azerbajxhanit!

Vitin e kaluar dëgjuam një pjesë të konsiderueshme nga aferat e tij korruptive, nga provizionet milionëshe kineze, pronat milionëshe në Vodno, bile deri në tregtimin e emrit të shtetit që me shumë “patriotizëm” folklorik e mbron tash e 10 vite, duke e bllokuar vendin në rrugëtimin euro-atlantik. Fuqia e tij ekonomike së bashku me më të afërmit e tij sot përbëjnë një “Perandori” politike që vështirë rrëzohet. Kjo perandori u ndërtua për një dekadë me ndihmën e shumëkujt, përfshi edhe “opozitën” e kapur (si maqedonase – kujtoni ish kryeministrin Buçkovski, ashtu edhe atë shqiptare – kemi dëgjuar përbetimin e liderit të saj). Në këtë proces të fuqizimit tyre vend të veçantë ka pasur partneri shqiptar në koalicion “të kapur” mu prej tij më shumë se 8 vite, si dhe vetë bashkësia ndërkombëtare, posaçërisht ajo e BE-së (kujtoni ish ambasadorin Fuere, i cili sot shkruan ne Twiter nga distanca), që e toleroi këtë oligarki politiko-ekonomike. Dy vitet e para të qeverisjes tij (2006-2008) ishin për çdo lëvdatë, por më pas çdo gjë mori tatëpjetën! Nga viti 2009 e këndej në të gjitha shtjellimet dhe paraqitjet e mia (të prezantuara dhe publikuara) në vazhdimësi kam paralajmëruar dhe faktuar politikat e këqija, posaçërisht ato ekonomike, me theks të veçantë në dështimet e DPMNE-së! Nga 2011-ta edhe të BDI-së njëkohësisht! Atëherë pakkush më besonte dhe përkrahte. Kur i shoh sot reagimet dhe kritikat e atyre që gjatë kohë kanë qenë “krah për krah” me këtë qeverisje për motive të ndryshme, që edhe ne i dimë, habitem në guximin e tyre për ta nënçmuar publikun e gjerë me sklerozë kolektive.

Fundi është i qartë, por kostot janë të mëdha. Kush do ta kompensojë këtë dekadë të humbur, bile edhe me regres? Kësaj duhet t’i shtohet edhe kostoja dhe kohëzgjatja e nevojshme minimale prej 3-4 vitesh për rikuperim. Edhe njëherë nënvizoj: zgjidhja më e mire për qytetarët dhe shtetin është së pari bllokimi dhe pastaj edhe konfiskimi i gjithë pasurisë së tyre dhe të afërmve (përfshi edhe të besuarit e tyre). Kjo do ta zbuste koston dhe do të shkurtonte kohën e nevojshme për rikuperim.

Postime të Ngjajshme