` . OKB: Sulmet e SHBA-së shkaktuan viktima civile në Afganistan - TV-SHENJA

OKB: Sulmet e SHBA-së shkaktuan viktima civile në Afganistan

Raporti i veçantë i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) kritikon sulmet ajrore të SHBA-së në fillim të këtij viti mbi fabrikat e dyshuara të drogës në Afganistan, duke theksuar se sulmet ishin të paligjshme dhe shkaktuan viktima të konsiderueshme civile, raporton AA.

Raporti u publikua të mërkurën në Kabul dhe Gjenevë.

Në raport thuhet se OKB ka verifikuar 39 viktima civile, në mesin e të cilëve 14 fëmijë dhe një grua, nga sulmet e shumta ajrore në më shumë se 60 vende të identifikuara nga forcat afgane dhe të SHBA-ve si fabrika të prodhimit të drogës në Bakwa, të provincës perëndimore Farah dhe në qarkun fqinjë Delaram të provincës Nimroz.

Ushtria e SHBA-së kundërshton gjetjet e OKB-së, duke kritikuar metodat e verifikimit, si dhe duke mohuar se kishte civilë në mesin e të vrarëve. Por OKB thotë se kanë vizituar vendin me Komisionin afgan të Drejtave të Njeriut, duke vazhduar se ata gjithashtu janë duke kërkuar për 37 viktima të tjera të mundshme civile.