` . OKB reagon ndaj gjyqësorit izraelit - TV-SHENJA

OKB reagon ndaj gjyqësorit izraelit

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka njoftuar se ndihet thellësisht e shqetësuar që Izraeli ka dënuar vetëm me 18 muaj burgim Elor Azarian, ushtarin izraelit i cili vrau një palestinez të plagosur në gjendje të shtrirë dhe të palëvizshme vitin e kaluar në qytetin Hebron në Bregun Perëndimor, raporton AA.

Zëdhënësja e Komisarit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Ravina Shamdasani, në një konferencë për media në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, theksoi se forcat izraelite të sigurisë që nga muaji shtator e deri më tani kanë vrarë më tepër se 200 palestinezë.

Shamdasani, duke theksuar se Azaria është ushtari i vetëm izraelit që u gjykua në këtë drejtim, u shpreh se “Kemi kontaktuar disa herë me autoritetet izraelite në lidhje me këtë çështje. Këtu, ne nuk po flasim vetëm për një çështje individuale, por për ‘kulturën e imunitetit kronik’. Rrjedhimisht, është i papranueshëm dënimi me burgim prej 18 muajsh për një shkelje të këtillë të të drejtave të njeriut.”

Shamdasani nënvizoi se ndihen të shqetësuar nga dënimi “i lehtë” i dhënë nga Gjykata Ushtarake në Tel Aviv në fillim të javës, duke paralajmëruar se procesi gjyqësor në fjalë do të shkaktojë dobësimin e sistemit juridik në Izrael dhe forcimin e kulturës së imunitetit.

Ndryshe, Gjykata Ushtarake në Tel Aviv ka vendosur dënim prej 18 muajve burgim për ushtarin izraelit Elor Azaria, i cili u shpall fajtor “për vrasje pa paramendim”, teksa u gjykua për “vrasje duke qëlluar në kokë” një palestinez të plagosur në gjendje të shtrirë dhe të palëvizshme vitin e kaluar në qytetin Hebron në Bregun Perëndimor.

Nga ana tjetër, ministri izraelit i Punëve të Brendshme, Aryeh Deri, ministri i Arsimit Naftali Bennet dhe ministri i Bujqësisë Uri Ariel, pas shpalljes së vendimit kërkuan amnistimin e Azarias.

Postime të Ngjajshme