` . Numër rekord i ankesave në Këshillin Gjyqësor (Video) – TV-SHENJA

Numër rekord i ankesave në Këshillin Gjyqësor (Video)

Gjatë javëve në vazhdim anëtarët e Këshillit Gjyqësor do duhet të merren me shqyrtimin e 110 parashtresave për punën e gjykatësve që është një numër rekord i ankesave. Siç na njoftoi kryetari i Këshillit Gjyqësor, Zoran Karaxhovski në një bisedë të shkurtër telefonike, Këshilli ka pranuar mbi 100 ankesa ndaj punës së gjykatësve dhe kryesisht ankesat vijnë nga Këshilli për Verifikimin e Fakteve, i cili për shkak se u shfuqizua, gjithë punën që e ka pasur ia ka kaluar Këshillit Gjyqësor.

Por, nuk do t’i shqyrtojë këto të enjten, kur është paraparë mbledhja e Këshillit. Siç njoftoi Karaxhovski, nesër do të shqyrtohen vetëm pesë kërkesa për përgjegjësi të gjykatësve, por nuk tregoi as se prej cilës gjykatë janë gjykatësit dhe kush ka parashtruar kërkesë për përgjegjësinë e tyre.

Zoran Karaxhovski, kryetar i Këshillit Gjyqësor

“Ka shumë parashtresa. Mbi 100 vetëm nga Këshilli për Verifikimin e Fakteve, dhe ka edhe të tjera që vijnë direkt në adresën tonë. Por për këto nuk do të punojmë të enjten. Ekzistojnë pesë kërkesa për përgjegjësi dhe do t’i shqyrtojmë ato”

Por, edhe pse Karaxhovski nuk deshi të tregojë se cilët gjykatës ka rrezik të japin përgjegjësi për punën e tyre që është cilësuar si antiligjore,  jozyrtarisht mësohet se do të diskutohet mbi përgjegjësinë e gjykatëses Monika Bahçovanovska ndaj të cilës është ankuar Prokuroria Speciale.  Por do të diskutohen edhe ankesat e disa avokatëve nga Shoqata “Lupa e Gjelbërt ” të cilët kërkuan përgjegjësi për arratisjen e të akuzuarve në rastin “Trust”.

Është e sigurt se do të diskutohet për përgjegjësinë e kryetarit të Gjykatës Supreme Jovo Vangellovski, për gjykatësen Rahilka Stojkovska, për Risto Katavenovskin, Faik Asllanin dhe Xhemali Saitin nga Gjykata Supreme. “Lupa e Gjelbërt” ka ngritur iniciativë edhe kundër gjykatëseve Biljana Kocevska, Zuica Naumova, Cvetanka Periq dhe Afim Fidani nga Gjykata e Apelit. Por parashtresa ka edhe për gjykatësen Liljana Shopova. Për Tatjana Dukovskën, Zoran Dimitrievskin dhe Enver Amzain.

Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/