` . Nuk mund të ketë askush pretendimin për pronësi prioritare mbi shtetin - TV-SHENJA

Nuk mund të ketë askush pretendimin për pronësi prioritare mbi shtetin

Intervistë me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi

“Çështja e marrëdhënieve nuk është akt që rregullohet vetëm me dekrete, me marrëveshje në kuptimin e asaj çka është në përmbajtje. Përmirësimi i marrëdhënieve nënkupton intensifikim të komunikimit të ndërsjellë dypalësh në nivel më të lartë politik, i cili do të duhej të reflektonte në komunikimin individual të qytetarëve dhe në prodhimin e politikave të cilat nuk do të mbjellin kundërthënie ndërmjet qytetarëve dhe në mes shteteve”, thotë Xhaferi.

Intervistoi: Latif Mustafa

Në zyrën e tij gjigante me orendi të skalitura hijerëndë, skulptura e Skënderbeut dhe nënës Terezë lehtësisht dallohen në mes raftesh. Në raftin e revistave dhe gazetave, po ashtu, nuk mungon as revista Shenja. Talat Xhaferi sot konsiderohet një ndër figurat më të rëndësishme politike në Maqedoni. Përpos një karriere të bujshme ushtarake dhe politike, ai është shqiptari i parë i cili e ushtron postin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, post ky i cili është njëri ndër tri postet më të rëndësishme në shtet.

Me një qetësi të thellë dhe kompetencë, ai e shpjegon historinë e arritjeve të tij paralelisht me zhvillimin 30-vjeçar të shtetit të Maqedonisë. Jetëgjatësia e karrierës së tij është 37 vite e vjetër. Ai është nga fshati Forinë i Gostivarit. Profili i tij prej ushtaraku mbërthehet nga një edukim i vazhdueshëm në fushën e ushtrisë dhe sigurisë, me ç’rast ai që nga shkolla e mesme e deri në studimet e magjistraturës i mbetet besnik objektit të studimeve ushtarake në Beograd. Përpos studimeve, ai ka punuar edhe si oficer i lartë, një herë në armatën Jugosllave, pastaj në armatën e Maqedonisë deri në luftën e vitit 2001, kur merr pjesë aktive në organizimin gueriljes shqiptare në Maqedoni – UÇK. Që nga viti 2002 ai është në politikë. Ka qenë zëvendësministër i Mbrojtjes, ministër i Mbrojtjes dhe tani është kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. Me rastin e ndryshimeve kushtetuese në Maqedoni, gjegjësisht ratifikimin e marrëveshjes së Prespës dhe ndryshimin e emrit të Republikës, revista Shenja ka zhvilluar një intervistë me Talat Xhaferin, për të diskutuar dhe marrë opinionin e tij si kryeparlamentar rreth zhvillimeve të fundit.

SHENJA: I nderuar z. Xhaferi, ju falënderojmë që pranuat të intervistoheni për Shenjën!
Le ta fillojmë bisedën tonë në pikën ku gjithçka filloi. Si e komentoni faktin që Maqedonia ka pësuar ndryshimet më të mëdha kushtetuese që nga pavarësia deri më sot dhe kjo pikërisht në periudhën kur në krye të Parlamentit ndodhet një shqiptar?

  1. XHAFERI: Mbi të gjitha, tërë kjo histori fillon me zgjedhjen time si kryetar Parlamenti, që përherë të parë në periudhën e demokracisë, njëri prej institucioneve më të larta të shtetit udhëhiqet nga një kuadër shqiptar. Mua më ra hisja që të jem ai që do ta bart këtë përgjegjësi politike ose kombëtare, sido që ta vështroni. Edhe rrethanat në të cilat jam zgjedhur janë specifike dhe, për fat të mirë, falë durimit, kam arritur që për kohë të shkurtër të stabilizoj punën e Parlamentit të Maqedonisë pas të gjitha atyre ndodhive. Dhe, normal shumica, si kjo shumicë parlamentare, në prioritet e vuri çështjen e zgjidhjes së problemeve me fqinjët, në veçanti me Bullgarinë dhe Greqinë, për faktin që në rrugëtimin tonë integrues raporti me këto dy fqinjë ishin pengesa jonë për aderim dhe integrim. Vitet 2017 dhe 2018 janë vitet e dy marrëveshjeve që i ka nënshkruar qeveria gjegjësisht Republika e Maqedonisë. Me të zgjedhurit e vitit 2017 puna e parë që u bë ishte nënshkrimi i marrëveshjes me fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë. Marrëveshja që nga janari i 2018 tanimë është në fuqi, e ratifikuar në të dyja parlamentet. Ndërkaq viti 2018 ishte viti i marrëveshjes së Prespës, që është rrugëdalja nga ai ankth tridekadash me raportet me Greqinë. Nga kjo marrëveshja më 11 janar i përmbyllëm ndryshimet kushtetuese. Në këtë kontekst, kushtimisht thënë, ka mbaruar faza e implementimit në Maqedoni dhe u la mundësia që edhe pala greke ta bëjë të njëjtën, gjë që u realizua. Pason procedura e nënshkrimit të protokollit për anëtarësim në NATO dhe, sipas procedurave, në javën që vjen ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s do të duhet ta nënshkruajnë protokollin dhe me atë të hapet faza e ratifikimit të protokollit në parlamentet nacionale në vendet anëtare të NATO-s. Si proces, domethënë sipas procedurave, diku një vjet zgjat procedura e ratifikimit, por me kontaktet që kam me ambasadorët e vendeve të NATO-s, që janë të akredituar në Shkup, porositë e tyre janë që të bëjmë përpjekje që për kohë më të shkurtër të bëhet ratifikimi në parlamentet nacionale dhe në fundvit, eventualisht në kuartalin e parë të vitit të ardhshëm, Republika e Maqedonisë edhe “de jure” të jetë anëtare e plotfuqishme e NATO-s dhe me të mbyllet anëtarësimi. Qershori i këtij viti është përcaktuar si deadline, si dita kur Këshilli i Unionit Europian do të vendosë për përcaktimin e datës për fillimin e negociatave para-aderuese të Republikës së Maqedonisë në Unionin Europian, me çka hapet mundësia e fillimit të debatit rreth kapitujve që do të duhet të harmonizohen me Unionin Europian dhe kjo të hap rrugën e integrimit në Unionin Europian, i cili si procedurë dhe proces është pak më gjatë, por mbi të gjitha me rëndësi është të fitohet data dhe të fillojë procesi. Në kontekstin e punëve të brendshme, e kemi rrumbullakuar çështjen e përdorimit të gjuhëve, ligjet me 14 janar i kam shpallë në gazetën zyrtare dhe tanimë ato janë në fuqi. Edhe institucionet janë duke bërë aktivitetet e tyre rreth krijimit të kushteve dhe parakushteve të nevojshme për implementimin e ligjit, kjo për faktin që ka çështje që mund menjëherë të vihen në funksion dhe ka çështje që janë të afatizuara, sipas përcaktimeve dhe normave kalimtare të ligjit.

 

SHENJA: Ligji për gjuhët ka qe një vit që është në procedurë apo jo?

  1. XHAFERI: Ligji tashmë një vit është i miratuar në Parlament, por nuk është dërguar në gazetën zyrtare, duke llogaritur që kreu i shtetit do të reflektojë dhe do ta dekretojë ligjin, kjo për faktin se pas ratifikimit të marrëveshjes së ligjit për ratifikim të Marrëveshjes së Prespës, kreu i shtetit po ashtu e bën një praktikë që mos ta dekretojë ligjin. Kjo e hapi rrugën e të menduarit se duhet tejkaluar ky problem dhe me të gjithë konsultat që kam bërë me ekspertë të fushës, sugjerimi ishte që ligjet të vihen në funksion, pa marrë parasysh qëndrimet ose vlerësimet e kreut të shtetit. Atë punë e kam bërë pas përmbylljes së ndryshimeve kushtetuese.

SHENJA: Ligji për përdorimin e gjuhëve, tanimë më shumë se një vit, nga shumë media u cilësua si “ligj i kohës së Talat Xhaferit”. Ju kisha lutur që për opinion e gjerë shqiptar në Kosovë e Shqipëri a keni mundësi të na shpjegoni se a është zyrtarizuar gjuha shqipe, është zgjeruar shtrirja e përdorimit të saj apo është përmbushje e një pjese të papërmbushur të Marrëveshjes së Ohrit?

  1. XHAFERI: Mbi të gjitha, është ligj që zyrtarizon përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore, sepse nuk mund të trajtohet vetëm si shtrirje ose zgjerim. Shtrirje dhe zgjerim ka pasur edhe pa qenë ligji i gjuhës në kuptimin individual jashtë-institucional. Ligji e përcakton përdorimin institucional, zyrtar, me të gjitha tiparet, që nënkupton përdorimin e gjuhës në të folur, në të shkruar dhe në të arkivuar. Janë çështje, për të cilat të gjithë ata që kanë dëshirë për ta minimizuar një punë, do të merren me semantikën se a është kjo apo është ajo. Në të gjitha institucionet shtetërore dhe qendrore është detyrim që gjuha të përdoret njëjtë dhe barabartë siç përdoret gjuha tjetër zyrtare maqedonishtja. Atëherë nuk ka nocion tjetër përpos të jetë zyrtare. Çfarë do të thotë zyrtare në këtë rast?! Secili qytetar nesër, prej ditës që ka hyri ligji në fuqi, e që i drejtohet Parlamentit, mund ta zgjedhë njërën prej gjuhëve, që të mund t’i drejtohet Parlamentit, ndërsa Parlamenti e ka për detyrë ta arkivojë në atë gjuhë dhe t’i kthejë përgjigje në atë gjuhë. Gjithçka që ndodh brenda Parlamentit, propozim-ligje, amendamente e tekste të tjera, dorëzohen edhe në atë gjuhë. Flas për deputetët që e flasin shqipen. Po ashtu, nëse ka deputetë që e njeh njërën prej gjuhëve, ka të drejtë ta përdorë atë gjuhë, pavarësisht se cilës përkatësi etnike i përket. Arkivimi i stenogrameve, ruajtja e materialeve në origjinal, mund të ruhet në gjuhën që adresohet. Edhe mbishkrimet, firmat e vulat do të jenë në dy gjuhë dhe këtë nuk e di se si do e definoja ndryshe, pos si zyrtare.

SHENJA: Ratifikimi i Marrëveshjes së Prespës nga parlamenti maqedonas dhe grek është i një rëndësie të madhe diplomatike. Si e komentoni ju këtë akt dhe si do të ndikojë kjo në marrëdhëniet bilaterale ndërmjet këtyre dy shteteve?

  1. XHAFERI: Çështja e marrëdhënieve nuk është akt që rregullohet vetëm me dekrete, me marrëveshje në kuptimin e asaj çka është në përmbajtje. Përmirësimi i marrëdhënieve nënkupton intensifikim të komunikimit të ndërsjellë dypalësh në nivel më të lartë politik, i cili do të duhej të reflektonte në komunikimin individual të qytetarëve dhe në prodhimin e politikave të cilat nuk do të mbjellin kundërthënie ndërmjet qytetarëve dhe në mes shteteve. Do të duhet të ndryshojë vokabulari politik i gjithë atyre që janë bartës të politikave të të dyja vendeve, sepse raportet ndërmjet bartësve të funksioneve reflektojnë edhe në raportet e qytetarit. Perceptimi për ata që e bëjnë politikën se si e bëjnë dhe me fjalorin që e bëjnë, s’do mend që ka ndikim edhe në perceptimin kolektiv të qytetarëve. Andaj kështu janë vënë bazamentet për bashkëpunim të ndërsjellë. Siç thashë më parë, kjo do të duhej t’i intensifikojë komunikimet e drejtpërdrejta të niveleve më të larta dhe të reflektojë në krijimin e një perceptimi ndryshe prej asaj që është mbjellë me dekada dje, pra jo vetëm në këto tre dekada të fundit, në veçanti në raportet me Bullgarinë dhe Greqinë. Unë shpresoj që marrëveshjet do të ndikojnë në atë drejtim. Imagjinoni marrëdhëniet me Greqinë, me të cilën nuk ka pasur asnjë komunikim institucional në asnjë nivel, përpos në nivel teknik, në kuptim të marrëdhënieve që kanë qenë të patjetërsueshme si doganat, kufijtë dhe ekonominë! Tash janë hapur rrugët që ai komunikim të rritet në nivel më të lartë, kështu që kjo lë hapësirë të zbatueshme dhe për një afat kohor do ta ketë efektin pozitiv në perceptimin e marrëdhënieve të shteteve dhe popujve.

SHENJA: A nënkupton ndryshimi i emrit në Republika e Maqedonisë së Veriut edhe deentizimin i shtetit të Maqedonisë?

  1. XHAFERI: Në periudhën para Marrëveshjes, perceptimi im mbi Maqedoninë kishte kuptimin e hapësirës gjeografike, e cila tanimë në shumë kontrata ose konferenca ndërkombëtare është e definuar në hapësirë të shumë shteteve, që janë të njohura ndërkombëtarisht. Dhe, perceptimi se ajo hapësirë i takon dikujt, ekskluzivisht, ka qenë edhe zanafilla e gjithë problemit. Për hapësirën “Republika e Maqedonisë” duhej të bëhet distinksion i qartë, dallim i qartë, prej asaj çka është e gjithë hapësira gjeografike historikisht si “Maqedoni”, për dallim prej asaj sot çka është Republika e Maqedonisë. Dhe, për t’u tejkaluar ajo kundërthënie, është përcaktuar si pjesa veriore, e cila sot është Republika e Maqedonisë së Veriut dhe deri në marrëveshje Republika e Maqedonisë, që bën dallim thelbësor prej asaj çka si hapësirë dikur ka mbetur pjesë e Bullgarisë e pjesë e Greqisë, por janë çështjet e marrëdhënieve ndërkombëtare, që i kanë definuar çështjet e kufijve, çështjet e hapësirave, çështjet e subjektiviteteve dhe sovraniteteve të shteteve. Për këtë arsye kjo përcakton qartë se kjo hapësirë është diçka tjetër prej asaj që janë shtetet ekzistuese dhe s’do mend që e ka hapur rrugën që, me rregullimet që bëhen, shteti të mos ndjehet ekskluzivisht pronë njënacionale në kuptimin e rregullimit të sistemit, edhe pse është i karakterit unitar, por në kuptimin e përbërjes është shumëetnik. Nuk mund të ketë askush pretendimin për pronësi prioritare mbi shtetin, mbi faktin se gjithë ne këtu jemi ata që kemi kontribuar të themelohet ose të formohet shteti, qoftë në kontekst historik qoftë në kontekst praktik. Për këtë arsye, në veçanti ne si shqiptarë nuk mund të ndjehemi e të themi se kjo është diçka e huaj ose se ne jemi gjetur në një vend të huaj. Ky vend është denbabaden pjesë e trungut tonë, që e kemi krijuar qoftë në kontekst historik me luftërat që janë bërë, qoftë në kontekst historik për kontributin politik që është dhënë në të gjitha fazat e krijimit të shtetit. Jemi këtu, sepse kemi kontribuar, kemi dhënë djersën e derdhur gjakun e gjithçka për ta ndjerë si tonin. Unë e kuptoj që sistemet kanë ndikuar që perceptimi të jetë ndryshe për çështjen e shtetit, por mbi të gjitha nëse pretendimi është për të qenë pjesë e Europës, mendoj që edhe perceptimet janë pro-integrimit europian dhe ne duhet ta ndjejmë si tonin për aq që na takon të jetë e jo nëse kemi kontribuar historikisht.

SHENJA: Nëse e konsiderojmë edhe Kosovën si shtet multietnik, siç synon në njëfarë mënyre të bëhet dhe të jetë Maqedonia, a mund të merret si model kushtetuta së Kosovës, ku minoritetet gëzojnë shumë më shumë të drejta në raport me përqindjen e shtrirjes në shtet?

  1. XHAFERI: Marrja dhe dhënia në kontekst të modeleve janë çështje për të cilat konteksti historik i ndodhive nuk mund të krahasohet. Pas luftës së 2001, rrodhi Marrëveshja e Ohrit, e cila nën mbikëqyrje të faktorit ndërkombëtar i përcaktoi kornizat në të cilat dhe mbi të cilat duhet të ndërtohet shteti i Republikës së Maqedonisë, tanimë i Republikës së Maqedonisë së Veriut në kontekstin e marrëdhënieve ndëretnike. Duke mos pasur përvoja të tjera, janë ato përkufizimet ose përcaktimet e kornizave mbi të cilat duhen të ndërtohen marrëdhëniet. Konteksti i Kosovës është krejt ndryshe në kuptimin sesi erdhi deri aty. Edhe konteksti historik gjatë një shteti të përbashkët edhe në kontekst politik në çfarëdo lloj aspekti, konteksti është krejt ndryshe dhe bartës i gjithë kësaj ishte faktori ndërkombëtar, i cili përmes kushtetutës së Marti Ahtisarit ose dokumentit të Ahtisarit i përcaktoi kornizat në të cilat do të duhej të sendërtohej shteti i Kosovës. Nga ana tjetër, pretendimet për të qenë pjesë e Europës vetvetiu do të duhet disa çështje t’i tejkalojnë, në kuptimin e asaj çka është statusi ose pozita e qytetarit. Kështu që, prej njëra tjetrës kanë çka mësojnë. Ahtisari, kur e pati bërë propozimin, deklaronte që si bazë pikënisjeje e ka marrë Marrëveshjen e Ohrit. Ne nuk kundërshtojmë që palët në kuptimin pozitiv kanë të drejta, sepse Kosova që në start, që në themel, vendos një vlerë europiane, për të cilën nuk bën dallim në këto çështje në kontekstin kohor paraprak. Kur është arritur Marrëveshja e Ohrit, rrethanat kanë qenë të tjera, një përvojë tjetër ndërkombëtare dhe janë bazuar në ato përvoja, kështu që duke qenë në hap me kohën, do të kalohen të gjitha ato stereotipa, perceptime sepse çështja e të drejtave nuk është kush sa merr e kush sa jep, por është një çështje që të takon dhe atë e kemi të gjithë ne si politikëbërës, pra që ta shtyjmë deri në fund atë proces. Ka elemente edhe në vet bllokun maqedonas që për një periudhë të gjatë kanë qenë të udhëhequr nga politikat e gabuara në relacion të marrëdhënieve ndëretnike. S’do mend që ka elemente, kundërshtuese, kundërthënëse për çështjet që kanë të bëjnë me këtë lëmi, por mbi të gjitha ne udhëhiqemi prej asaj që duhet të tejkalohen të gjitha kundërthëniet edhe vendi të marrë kahjen siç ka marrë rrugëtimin për eurointegrim me gjithë ato mangësi të sistemit, me të cilat do të ballafaqohemi gjatë hapjes së kapitujve për aderim në Unionin Europian. Për të qenë pjesë e Bashkimit Europian, duhet të inplementohen vlerat europiane edhe në sistemin ligjvënës edhe politik të jetës në vend. Sa më shpejt që t’i kuptojmë se disa punë duhet t’i bëjmë vetë, do jetë me rëndësi edhe për shoqërinë, vendin dhe rajonin dhe këto janë rrugëtimet që ne duhet t’i ecim.

SHENJA: Me rastin e zgjedhjeve presidenciale, që do të mbahen në pranverë, përfliten shumë emra për presidentë, ashtu siç është lakuar edhe emri juaj? A keni ambicie të bëheni president i shtetit?

  1. XHAFERI: Nuk kam pretendime personale për të menduar për çështje të cilat kanë procedura të caktuara dhe nuk është çështje e dëshirës ose e vullnetit personal nëse dëshiron dikush apo jo. Zakonisht, jam njeri që detyra që më besohet ta kryejë në mënyrën më të mirë të mundshme. Nuk jam pretendues për detyra të caktuara, por ato që më besohen, mundohem t’i kryej në mënyrën më të mirë të mundshme, gjë që besoj se të gjitha detyrat e deritanishme kam arritur edhe t’i zbatoj dhe ta vërtetoj këtë që e them. Unë si Kryetar Parlamenti kam kompetencat për shpallje të zgjedhjeve presidenciale, afatet janë të përshkruara me ligj, d.m.th. maksimum 90 ditët e fundit duhet të organizohen zgjedhjet, minimum 70 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve duhet shpallur zgjedhjet, gjë që dita e fundit kur duhet të shpallen zgjedhjet është 8 shkurti, që të plotësohet minimumi 70-ditësh para ditës së mbajtjes së zgjedhjeve, d.m.th. 21 prill dhe më datë 8 shkurt jemi 71 ditë para ditës së zgjedhjeve. Partitë politike dhe deputet kanë kompetenca për t’i propozuar kandidatët për kryetar shteti, iniciativat qytetare po ashtu…. ka procedura dhe kushte që i parasheh kodi zgjedhor. Këtu përmbyllen kompetencat e mia. Kështu që proceset dhe procedurat do të ecin. Kushtetuta i sanksionon të gjitha situatat që mos të ketë ushtrues detyre të presidentit dhe në momente kur shteti nuk ka Kryetar, funksionin e tij e kryen Kryetari i Parlamentit. Janë çështje të sanksionuara.

SHENJA: Çfarë do të thotë presidenti konsensual dhe çfarë mendoni për zgjedhjen e presidentit nga Parlamenti dhe jo me votë të drejtpërdrejtë?

  1. XHAFERI:Ai debat është hapur edhe më herët, por ndoshta nuk ka pasur gatishmëri nga disa prej subjektet. Me sa duket, koha është duke ecur në at drejtim, që situata do ta vetëpërcaktojë nevojën që një ditë kreu i shtetit të zgjidhet në Parlament, gjë që nënkupton edhe ndërhyrjen në kushtetutë, për faktin që kushtetuta e sanksionon zgjedhjen e Kryetarit të shtetit drejtpërdrejtë me zgjedhje të lira dhe kështu të përcaktohet dhe të rregullohet me kushtetutë. Sidoqoftë, të shumtët e subjekteve politike e kanë edhe brenda vetes atë debat. S’do mend se në politikë ka gjithnjë debat, qoftë i hapur ose i mbyllur.

SHENJA: A do të kemi zgjedhje parlamentare në pranverë?

  1. XHAFERI: Zgjedhje parlamentare nuk ka, sepse nuk janë të përmbushura parakushtet për zgjedhje parlamentare. Në kontekst të Marrëveshjes së Përzhinës ose Shkupit, janë bërë ndryshime ligjore, me të cilat parashihet që para çdo zgjedhjeje, qofshin ato të parakohshme apo të rregullta parlamentare, 100 ditë para saj duhet të ketë qeveri teknike. Dhe, nëse i referohemi 21 prillit, që është i paraparë për zgjedhjet presidenciale ose nëse i referohemi 5 majit si raundi i dytë i mundshëm për zgjedhjet parlamentare, nuk përmbushet kushti i 100-ditëshit. Është ky kusht ligjor dhe vetëm në ato rrethana mund të jetë zgjedhje. Realisht, opozita VMRO-DPMNE ka dorëzuar iniciativë për shpërbërje të Parlamentit, mirëpo në vetë arsyetimin e nismës sugjeron në faktin e 100-ditëshit para zgjedhjeve, gjë që nënkupton se edhe ata nuk kërkojnë zgjedhje, sepse unë nuk mund të vë në rend dite një debat i cili nuk i mbush parakushte ligjore. Pra, kjo është edhe një lloj porosie për të gjithë ata që e kanë debatuar këtë temë. Por, s’do mend që nëse 62 deputetë i hedhin firmat për shpërbërje të Parlamentit, unë e kam obligim ligjor që ta vë në debat dhe të votohet. Për këto çështje nuk ka dilema në zbatimin e atyre që janë detyrimet e mia ligjore.

SHENJA: Le t’i kthehemi pak rajonit. Maqedonia pas Traktatit të Miqësisë me Bullgarinë dhe pas Marrëveshjes së Prespës, le të themi kushtimisht, po futet në një fazë më të qetë. Por, çfarë mendoni, si do të jetë  epilogu final i bisedimeve Kosovë-Serbi?

  1. XHAFERI: Çështja e bisedimeve Prishtinë-Beograd është çështje e ndjeshme, fillimisht për vetë qytetarët e Kosovës, për institucionet e Kosovës, por besoj edhe anasjelltas, pra edhe për qytetarë e Serbisë. Supozoj se ajo është kompetencë dhe e drejtë e institucioneve të shtetit të Kosovës të zgjedhur nga populli i Kosovës. Normal, duke përfshirë me opinionin publik. Nëse i referohemi përvojave tona, mendoj që herë do kurdo, është e nevojshme të bëhet një marrëveshje, duhet të ketë një marrëveshje dhe shtetformimi nuk duhet të mbetet peng i marrëdhënieve të dy shteteve. Ne e kemi përvojën me Greqinë dhe duhet të gjendet një zgjidhje.

SHENJA: Sa mund të jetë e rrezikshme ideja e ndryshimit/korrigjimit të kufijve për Maqedoninë? Çfarë impakti politik mund të ketë në Maqedoni?

T. XHAFERI: Është çështje e mënyrës se si do të zbatohet ajo. Nuk mund ta parashohësh asnjëherë në mënyrë të prerë me përgjigjen po ose jo, por duhet të qenë koshient për ata që i kanë bisedimet dypalëshe. Maqedonia dhe Kosova kanë bërë demarkacionin e vijës kufitare, e kanë verifikuar në institucionet ndërkombëtare se kjo është vija ndarëse dhe mbi atë bazë nuk duhet të ketë implikim. Mirëpo, në veprime të mundshme njeriu nuk guxon të përjashtojë asgjë, kjo sepse janë çështje që nuk udhëhiqen veç në kontekst politik, por janë edhe çështje të ndjesive e veprimeve. Gjithë procesi varet se si do zbatohet ajo mes dy palëve.