` . Nuk ka alternativë për BE-në – TV-SHENJA

Nuk ka alternativë për BE-në

Evropa e bashkuar ekonomike dhe politiko-demokratike duhet të rrumbullakojë edhe bashkimin e saj gjeografik. Ballkani Perëndimor, me treg të përbashkët për rreth 20 milionë banorë jashtë BE-së, krahasuar me gjithë tregun tjetër të BE-së, më shumë paraqet interes gjeopolitik sesa gjeoekonomik

Shkruan: Abdylmenaf BEXHETI, Tetovë

Kryetari i Bashkimit Europian, Junker, me deklaratë optimiste e shpalosi Strategjinë për perspektivën integruese të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë që komisarja për Politikë të Jashtme, Mogherini, të gjitha këto vende i quajti “partnerë” të BE-së në këtë rrugëtim dhe destinim final të përbashkët. Këto deklarata, pa dyshim, shprehin vullnetin pozitiv për zgjerim të BE-së për një “Evropë stabile, të fuqishme dhe të bashkuar mbi baza të përbashkëta” (mbaron citati i Mogherini-t).

Ky vullnet dhe përcaktim i BE-së, përveç vlerave të përbashkëta politiko-demokratike, ka emëruesin e përbashkët te interesi reciprok ekonomik përmes zgjerimit dhe fuqizimit të tregut. Të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, ndaras dhe bashkërisht, nuk kanë partner tjetër më të madh se BE-ja. Vitin 2017 do ta mbyllin bashkërisht me një shkëmbim tregtar total prej mbi 50 miliardë euro, që për vetë BE-në mund të jetë “një pikë uji në det”, por për vendet e Ballkanit Perëndimor, sërish ndaras ose bashkërisht, është “deti vet”!

Asnjëherë s’duhet harruar realiteti i krijimit të BE-së dhe baza e qëndrueshmërisë së saj. Ajo vetëm para ca muajve e festoi 60-vjetorin e themelimit si Bashkësi e Thëngjillit dhe Çelikut të pesë fuqive më të mëdha kontinentale evropiane. Pra, u krijua mbi interesa ekonomiko-tregtare dhe mbijeton mbi këtë bazë. Të gjitha aspektet dhe komponentet tjera (politiko-demokratike, të sigurisë, zhvillimit koheziv, vlerave sociale dhe jomateriale… etj.) të zhvilluara përgjatë rrugëtimit, zgjerimit dhe zhvillimit të saj deri më sot, janë vetëm vlera shtesë të kësaj bashkësie ekonomike. Aktualisht ajo përbën sistem vlerash të përbashkëta për një jetë më të mirë të qytetarëve të saj. Sërish, sado t’i vlerësojmë dhe çmojmë të gjitha përfitimet jomateriale, pa interesat ekonomike dhe materiale ajo vështirë se do të mbijetonte. Për dikë edhe mund të tingëllojë materializëm i theksuar, por kjo e mban dhe zhvillon botën. Idealet dhe vlerat shtesë vetëm se e mishërojnë dhe “hijeshojnë”, por baza materiale e përcakton qëndrueshmërinë dhe skeletin e saj. Andaj, ajo as nuk ishte e as që ka për t’u bërë ndonjëherë organizatë humanitare, sado të tingëllojë humaniste ajo. Ligji i materializmit dialektik e determinon qëndrueshmërinë e saj.

Evropa e bashkuar ekonomike dhe politiko-demokratike duhet të rrumbullakojë edhe bashkimin e saj gjeografik. Ballkani Perëndimor, me treg të përbashkët për rreth 20 milionë banorë jashtë BE-së, krahasuar me gjithë tregun tjetër të BE-së, më shumë paraqet interes gjeopolitik sesa gjeoekonomik. Prandaj kancelarja gjermane, Merkel, përplot pasion e dizajnoi Procesin e Berlinit, duke promovuar “karotën dhe shkopin” si inkurajim për lidershipin e këtyre vendeve që ta dinamizojnë bashkëpunimin, së pari midis tyre dhe më pas edhe me vet BE-në. Jam i bindur se në nënvetëdijen e saj ajo është e zhgënjyer me të arriturat, edhe pse këtë nuk e artikulon drejtpërdrejt. Populli nuk thotë kot se me zor nuk mund të japësh, por vetëm të marrësh! Ajo që nuk është përmendur në këtë proces, por që paraqet një iniciativë shumë të vlefshme dhe parakusht për “pajtimin” e vendeve të përgjakura, është krijimi i një Komisioni special për Ballkanin Perëndimor, që do të merret me gjetjen e fakteve të luftërave pas të ‘90-tave në Ballkanin Perëndimor pa Shqipërinë. Kjo marrëveshje pritet të nënshkruhet kah mesi i këtij viti.

Megjithatë, si duket vet klasat politike të këtyre vendeve preferojne t’i mbajnë akoma hapur çështjet e tensionimeve ndëretnike edhe për efekte të paaftësisë për të krijua kushte reale socio-ekonomike për jetë më të mirë të qytetarëve. Ata thjesht nuk duan të jenë nën sistemin e vlerave evropiane. Ata preferojnë të flasin për këto vlera, por jo edhe t’i praktikojnë, sepse dihet epilogu dhe “perspektiva” e tyre personale nën këto vlera.

Segmentimin ose shkallëzimin në tre nivele të përmbushjeve të kushteve dhe kritereve nga vendet e Ballkanit Perëndimor më së paku e pëlqyen “të renditurit” e fundit. Fatkeqësisht, Kosova ishte në fund të listës. Jo vetëm sepse më vonë e ka filluar këtë rrugëtim, sërish jo me fajin e saj, por pikërisht me tolerimin e BE-së – ajo më se një dekadë e gjysmë u mbajt e okupuar, por për shkak të përmbushjeve dhe progresit minimal që bën ajo me këto elita të qeverisjes. Tingëllon paradoksale, por mirë që nuk mbeti e vetme në kategorinë e tretë, duke u shoqëruar nga Bosnja dhe Hercegovina! Kjo kategori mbetet me status të kandidatëve potencialë. Në kategorinë e dytë ishin Maqedonia dhe Shqipëria, me status të vendeve kandidate, duke pritur për ftesën e hapjes së negociatave. Maqedonia, me qeverisjen e saj të keqe, “e pret këtë ftesë” mbi 12 vjet! Në kategorinë e parë, si më progresiste me fillimin e negociatave për këtë rrugëtim, ishin Mali i Zi dhe Serbia. Kjo e fundit më shumë për shkak të formës sesa të përmbajtjes, që në esencë paraqet vendim gjeostrategjik, do të kisha thënë “afrimi që e largon”! Graviteti politik i Serbisë me Brukselin nuk është i fuqisë meritore, por më shumë për ta larguar atë nga Moska. Pa dyshim një vendim pragmatik dhe shumë i kuptueshëm, sado që duket joparimor arsyetimi për këtë. Aq më pak që elitat e qeverisjeve kosovare kanë të drejt të zhgënjehen në këtë. Duhet ta mësojnë leksionin e konsistencës politike në veprim!

T’i kthehemi tezës fillestare dhe vendore për rastin e Maqedonisë. A ka alternativë tjetër ajo, posaçërisht vështruar në aspektin ekonomik. Sigurisht se jo. Pozita e saj gjeografike e, aq më tepër struktura ekonomike, pothuajsë është dizajnuar dhe zhvilluar në përputhje me tregjet evropiane. Jo vetëm që mbi 65% të shkëmbimit tregtar e ka me BE-në, por edhe mbi gjysmën e këtij shkëmbimi me vendin më të fuqishëm të saj – RF të Gjermanisë. Bile, me Gjermaninë një suficit tregtar gati të vetëm (përpos R. së Kosovës), që i neutralizon deficitet e të gjitha vendeve tjera të tregut të përbashkët të BE-së. Bilanci tregtar i Maqedonisë me BE-në, edhe në nivel agregati, është suficitar me orientim zhvillimor, bile edhe më i ekuilibruar se bilanci i përgjithshëm tregtar. Eksportet e Maqedonisë në BE shkojnë në rreth 60%, ndërkohë që importet rreth 48%, sigurisht kjo e impaktuar nga vëllimi dhe struktura e shkëmbimit dominues me Gjermaninë.

Struktura ekonomike e vendit, në dy dekadat e fundit, pothuajse ka ndryshuar në dëm të dezindustrializimit të vazhdueshëm, duke e rritur sektorin e shërbimeve. Megjithatë, në strukturën e eksporteve të Maqedonisë në BE akoma dominojnë prodhimet e industrisë së lehtë përpunuese me shkallë të ulët të finalizimit. Sipas klasifikimit të OBT-së, në vitin 2016 në eksportet e Maqedonisë për tregun e BE-së prodhimet e industrisë merrnin pjesë me 92%, kurse ato të bujqësisë me vetëm 8%. Nëse kjo zbërthehet sipas shkallës së përpunimit (finalizimit), atëherë 37% janë prodhime primare (pothuajse me përpunim shumë të ulët) dhe 63% janë të përpunuara, kryesisht nga industria e lehtë.

Nëse me të njëjtën metodologji i analizojmë shifrat e importit, ato janë shumë të ngjashme sipas industrive – 93% prodhime industriale dhe 7% prodhime bujqësore. Por, ashtu edhe siç perceptohet, te importet nuk qëndron raporti i ngjashëm. Në klasifikimin sipas shkallës së përpunimit, prodhimet primare marrin pjesë me 14% karshi atyre të përpunuara me 86%. Këto karakteristika flasin mjaftueshëm për cilësinë e strukturës sonë ekonomike, po aq sa edhe për rëndësinë dhe peshën e tregut të BE-së, posaçërisht për Maqedoninë!

Nëse tregu i BE-së përbën rreth 2/3 e shkëmbimit tregtar të Maqedonisë dhe kur t’i shtohet edhe pjesa e tregut të Ballkanit Perëndimor, që aktualisht shkon në rreth 20% të shkëmbimit tregtar, shikuar në këtë në perspektivë të tregut, pas 7-8 vitesh (pas anëtarësimit në BE) do rezultojë se rreth 85% e gjithë shkëmbimit tregtar të vendit do jetë me tregun e BE-së. Nëse kësaj do t’i shtohet vetëm Turqia, kjo shifër tejkalon 90%! Gjithë pjesa tjetër e planetit mbetet më pak se 10%. Pra, vetëm nga aspekti numerik ekonomik dhe tregtar, vendi s’ka alternativë tjetër, përveç BE-së. Kur kësaj t’i shtohen edhe hallkat e tjera të zinxhirit të vlerave të BE-së, s’ka se si të kërkohet alternativë me perspektivë për vendin. Individët e vetmuar, kryesisht aventuristë të ish regjimit, nuk duhet përfillur fare në ndonjë relevancë eventuale. Vetë këto rrethana dëshmojnë sa larg është vendi në aventurat për perspektivën ruse të vendit. Andaj ato preferenca nuk ia vlejnë as të diskutohen.

Aspekti i dytë i përfitimeve, sërish ekonomike dhe financiare, në vlerën e tyre neto, bile janë të një rëndësie edhe më të madhe se ato tregtare dhe ekonomike të shpjeguara më lart. Vetëm në dekadën e fundit, pra nga viti 2007 e këndej, Instrumentet para-anëtarësimit të BE-së (pa përfshirë këtu përfitimet edhe nga fondet regjionale), i afruan vendit mbi 850 milionë euro përkrahje financiare, kryesisht të destinuara në sferat dhe komponentët e ndërtimit dhe sforcimit institucional, bashkëpunimit ndërkufitar, zhvillimit regjional, burimeve njerëzore dhe zhvillimit rural. Përkufizimi periodik fiskal i buxhetit shtatëvjeçar të BE-së për vitet 2007-2013 kishte alokuar 622 milionë euro për Maqedoninë, kurse për periudhën 2014-2020 alokimi shkon në 664 milionë euro. Sigurisht kapacitetet e thithjes së vendit kanë qenë shumë më të ulëta sesa mundësia dhe kjo paraqet sfidë në vete për të gjitha qeverisjet e kohës!

Aspekti i tretë, për nga rëndësia në rritje të vazhdueshme, mbetet tregu i punës së BE-së, ku deri para një dekade mund të ketë qenë më shumë i “krahut të punës” (hardwork), tejet i rëndësishëm për emigracionin tonë ekonomik, që më se 5 dekada e mban gjallë ekonomikisht vendin. Në dekadën e fundit dhe gjithnjë në rritje e sipër është perspektiva e tregut “të butë të punës” (soft andsmartwork) për qytetarët dhe shtetasit tanë. Gjeneratat e reja sot nuk janë më dominuese në ndërtimtari e bujqësi, por gjithnjë e më tepër në industri, teknologji dhe shërbime. Ky fenomen, në këndvështrimin teorik individual (mekanicist), është shumë pozitiv, por në këndvështrimin organik (kolektiv) ose agregat në aspekt ekonomik, është goxha sfidues. Shumë shpejt do mbetemi pa mjekë, të cilët i kemi pasur me bollëk dhe pa inxhinierë, teknologë,…, që edhe ashtu i kemi pasur me mungesë të madhe! Për këtë duhet menduar me kohë. Bile, edhe tani është vonë!