` . “Nuk jemi shpellarë, por qytetarë!” – TV-SHENJA

“Nuk jemi shpellarë, por qytetarë!”

Me thirrjet: “Nuk jemi shpellarë, por jemi qytetarë!”, qindra banorë të zonës së Unazës së Re kanë dalë sërish sot në protestë kundër shembjes pa dëmshpërblim të banesave të tyre.

Në ditën e 12-të të protestës banorët e revoltuar kanë dhënë shenja të mosbindjes civile duke bllokuar rrugën, dhe duke djegur goma makine.

Banorët janë irrituar nga termi “shpellar” i përdorur nga Erion Veliaj, që pretendon se i referohej deputetëve të PD-së dhe jo qytetarëve.

Në aksin rrugor është krijuar një situatë kaotike, ku shumë automjete dhe mjete të transportit publik janë bllokuar në trafik.

Kujtojmë që protestat e banorëve kanë nisur prej gati dy javësh, dhe janë zhvilluar në zonën e banesave të tyre, por edhe para godinës së bashkisë së Tiranës.

Disa ditë më parë banorët kërkuan takim me kryebashkiakun Erion Veliaj, duke tentuar të hyjnë me forcë brenda bashkisë.

Ata i janë drejtuar me një peticion krerëve më të lartë politik në vend, si kryeministrit Edi Rama, presidentit Ilir Meta, kryebashkiakut Erion Veliaj, por dhe trupës diplomatike.

Në letrën drejtuar krerëve më të lartë të shtetit, qytetarët kërkojnë që të mos nxirren në mes të katër rrugëve, pa u dëmshpërblyer dhe dëmshpërblimi të jetë 100% me vlerën e tanishme të tregut.

Më tej banorët kërkojnë që të dëmshpërblehen në mënyrë të barabartë si ata që kanë legalizuar dhe si ato që nuk kanë legalizuar, sepse kanë 25 vite që jetojmë dhe kanë dhënë kontributin e tyre në komunitet.