` . Nuk duhet biseduar për ndarjen e Kosovës - TV-SHENJA

Nuk duhet biseduar për ndarjen e Kosovës

Shkruan: Mahi
Nesimi*

Po bëhen
vite që preokupim parësor i politikës së shqiptarëve është bë çështja e ndarjes
së Kosovës. Janë me qindra individë që janë bë pjesë e këtij debati absurd.
Pjesë e një debati që dikush e kurdisi me mjeshtri të paparë në këtë mjedis. Tashmë
askush nuk ka mundësi të bëjë një përllogaritje sa dëm ka shkaktuar kjo epidemi
politike në mjedisin tonë. Po, s’ka mundësi sepse debati është bë
gjithëpërfshirës. Për të debatojnë të gjithë: i madh e i vogël, i dituri e i
padituri, i shkolluari e i pashkolluari. Debatojnë kudo. Vend e pavend, në çdo
hapsirë ku gjenden. Për të debatojnë pjestarët e të gjitha shtresave,
strukturave, profesioneve të shoqërisë. Tema në fjalë ka preokupuar edhe qarqet
intelektuale e akademike. Opinioni po bombardohet me qëndrime që shfaqin individë
të shumtë. Politikanët (varësisht nga pozicioni që kanë marrë) po e përdorin si
mjet më efikas në përplasjet me oponentët politikë. Konfrontimet e tyre kanë
çuar deri në krijimin e blloqeve konfrontuese politike edhe në popullatë. E
gjithë kjo po ndodh pa ndonjë strategji të studiuar as sipëfaqësisht dhe si
pasojë e paaftësisë të nomenklaturave politike dhe pa harmonizim të qëndrimeve
të udhëheqjeve politike partiake. Është e natyrshme, normale dhe e domosdoshme
që Republika e Kosovës të ndërtojë raporte të mira ndërfqinjësore me të gjitha
shtetet për rreth. Në këtë kontekst raporte të mira duhet të ketë edhe me
Serbinë. Madje raportet me këtë shtet duhet marrë me shumë seriozitet sepse
natyra e problemeve është shumëfish më e ndërlikuar. Kjo për arsye të shumta e
të njohura për çdokënd.

Duke u
nisur nga mbarë korpusi i çështjeve që kërkojnë zgjidhje, bisedimet me Serbinë
fitojnë në peshë dhe bëhen faktorë dominantë për ndërtimin e të ardhmes më të
mirë të dy shteteve dhe të rajonit. Pavarësisht se kush, kur dhe si e inicoi
çështje e ndarjes së Kosovës, pavarësisht edhe nga ajo se deri ku ka shkuar
çështja në fjalë, hë për hë në planin diplomatik ndërkombëtar Serbia ka shënuar
një përparësi. Jo për shkak se ka arritur të bind ndonjë shtet për synimet e
veta por për vet faktin se çështjen e ka problematizuar duke e promovuar si
çështje që kërkon zgjidhje. Me këto lëvizje diplomatike udhëheqja e Serbisë
–Vuçiqi ka arritur të prolongojë bisedimet me Kosovën që gjithësesi shkon në
favor të vet Serbisë.

Tashmë
është bë e qartë se udhëheqësit e R. së Kosovës nuk dëshmuan kapacitet të duhur
shtetëror për të mbrojtur interesat e shtetit e për të demonstruar qëndrim të
palëkundur në mbrojtjen tyre. Ata, pavarësisht se kush e në çfarë rrethanash
dhe me çfarë qëllimesh temën e quajtur ndarja e Kosovës njëherë e përgjithmonë
nuk duhej ta bëjnë pjesë të bisedave të tyre, me asnjë zyrtar, as serb e as
ndërkombëtar. Madje nuk duhej ta zënë në gojë as me ambasadorët e akredituar në
Prishtinë. Nuk duhej ta zënë në gojë as me diplomatë të niveleve më të ulta
detyra e të cilëve është: grumbullimi i informatave të çfarëdo qoftë natyre në
vendin ku shërbejnë. Rol të njëjtë kanë edhe diplomatët jorezident e të niveleve
më të ulta të shteteve me ndikim ndërkombëtar. Pra, tema e ndarjes së Kosovës
fare nuk duhej të bëhet pjesë e fjalorit politik të asnjë zyrtari të Kosovës.
Pse duhej marrë ky qëndrim dhe pse duhej vepruar kështu?

Republika
e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran me të gjitha karakteristikat e
nevojshme për cilësim si i tillë. Ajo është e njohur nga mbi 100 shtete të
botës duke përfshirë shtetet me ndikim të pakontestuar në krijimin e politikës së
botës bashkëkohore. Është e njohur nga shtete që dihet mirëfilli që kanë
udhëheqje demokratike të nivelit më të lartë. Këto fakte i janë të njohura
gjithkujt. Njëkohësisht gjithkujt i është e njohur edhe fakti se Kosova është
ndarë prej Serbisë. Ky fakt bisedimet gjithsesi i bën më të ndërlikuara, ndërsa
zgjidhjet e nevojshme më komplekse. Pse tema e ndarjes së Kosovës nuk duhej zë
vend në fjalorin politik të askujt në Kosovë aq më pak të pushtetarëve.

 Republika e Kosovës ka shpallur pavarsinë në
kufinjtë e njohur. Qysh në pikën e parë të neni të parë të dispozitave
themelore të Kushtetutës thuhet: Republika e Kosovës është shtet i pavarur,
sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm.

Në pikën
e dytë (2) të nenit dy (2) të këtyre dispozitave është shënuar: Sovraniteti dhe
integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm,
patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara
me këtë Kushtetutë dhe me ligj.

Ndërkaq,
neni 18 që e rregullon Ratifikimin e Marrëveshjeve Ndërkombëtare që në pikën e parë
thotë: Kuvendi i Republikës së Kosovës me votat e dy të tretave (2-3) e të
gjithë deputetëve ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare për këto çështje: nënpika
një (1):  territorin, paqen, aleancat,
çështjet politike dhe ushtarake. Mëtutje, duket se pika e dytë (2) e eliminon
çdo dilemë rreth ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare. Në të shprehimisht
thuhet: Marrëveshjet ndërkombëtare me përjashtim të atyre në pikën 1,
ratifikohen pas nënshkrimit nga Presidenti i Republikës së Kosovës.

Me këtë
në fakt bara kryesore, respektivisht roli vendimtar për vendosje nga presidenti
kalon te parlamenti.    

Çështja e
rolit të qeverisë që mund të ndërlidhet me këtë problematikë është pasqyruar në
nenin 93 pika e parë ku flitet për Kompetencat e qeverisë. Aty thuhet: propozon
(pra qeveria) dhe zbaton politikën e brendshme dhe të jashtme të vendit. Kushtetuta
ka paraparë edhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve më të larta të shtetit.
Kështu në nenin 94, pika 9. ku rregullohen Kompetencat e kryeministrit thuhet:
këshillohet me presidentin për zbatimin e politikës së jashtme të vendit.  

Pasqyrimi
i këtyre dispozitave kushtetuese u bë me qëllim të qartësimit të dilemave dhe hamendjeve
lidhur me rolin e institucioneve më të larta të shtetit të Kosovës gjatë
debateve për ndryshimin e kufinjve, në rastin konkret edhe të mundësisë së ndarjes
së shtetit.


vetëdijshëm për këto dispozita kushtetuese shtrohet pyetja: Pse kryetari Hashim
Thaçi i hyri një aventure që nuk i dihet fundi por që gjithsesi dihet se
vendimi përfundimtar për ndarje të mundshme të Kosovës do të merrej në Kuvend.
Në këtë drejtim shtrohet pyetja tjetër: A u respektua neni 94, pika 9. ku është
përcaktuar që në kuadër të kompetencave, kryeministri këshillohet me
presidentin për zbatimin e politikës së jashtme të vendit. Siç dihet
ish-kryeministri Ramush Hadarinaj u bë protagonisti numër një që kundërshtoi
bisedat lidhur me ndarjen. Andaj vetvetiu konkludohet se për këtë çështje nuk ka
patur këshillim Thaçit dhe Haradinajt. Lidhur me temën në fjalë në adresë të
Hashim Thaçit janë bë kritika të njëpasnjëshme. Janë thënë fjalët më të rënda,
më të ashpra. E gjithë kjo ka zënë vend në vokabularin e opinionistëve,
politikanëve dhe shumëkujt tjetër. Shumëçka nga kritikat janë bë edhe në
parlament.

                                                Pse nuk duhet biseduar për ndarje?

Republika
e Kosovës si shtet sovran është shpallur me shkëputjen nga Serbia. Këtë
shkëputje Serbia nuk e pranon. Me pranimin e udhëheqjes së Kosovës për të
biseduar lidhur me mundësinë e shkëputjes së një pjese të territorit të saj,
Kosova e pranon se integriteti territorial i saj është i padefinuar!!! Me
shpalljen e pavarësisë së shtetit në kufinjtë e njohur Kosova e ka definuar
inetgritetin territorial. Mirëpo, me pëlqimin për të biseduar për integritetin
territorial me një shtet prej të cilit jeni ndarë, me një shtet i cili nuk e
pranon shkëputjen, vetvetiu problematizohet pavarësia.

Thuajse
të gjithë individët që diskutojnë rreth temës së ndarjes zakonisht merren me
teknikat e bisedimeve. Njëherit në diskurset e tyre dominon deklarimi,
respektivisht pozicioni që e merr ndonjë diplomat, ministër i jashtëm ose
zyrtari më i lartë i një shteti. Nga kjo mëtutje thurren teori të ndryshme konspiracioni
prej të cilave opinionit i servohen miqtë e armiqtë e Kosovës, gjegjësisht
shqiptarëve. Kjo mënyrë e veprimit nuk shkon në favor të ardhmërisë së Kosovës.
Andaj strukturat përgjegjëse duhet të kanalizojnë angazhimin dhe inkuadrimin e
individëve të ndryshëm në debate për çështjet kapitale të shtetit.


vazhdën e preokupimit me çështjen e ndarjes së Kosovës, qeveria e saj vendosi
taksën 100 për qind për mallrat e Serbisë dhe Bosnjës. Arsyetimet për këtë
veprim, dorën në zemër, nuk ishin gjithaq të justifikueshme dhe të qëndrueshme.
Kjo për shkak se mbarë faji për mosinkuadrimin e Republikës së Kosovës në INTERPOL
dhe UNESKO i lihet Serbisë. Po çka ka pritur udhëheqja e Kosovës prej Serbisë e
cila me shekuj ka zhvilluar terror mbi popullatën shqiptare. Ajo edhe me
Kushtetutë Kosovën e quan territor të vetin.  

Fatkeqësisht
opinionet për mosangazhimin e duhur të strukturave zyrtare të Kosovës që janë
të obliguara të punojnë për realizimin e këtyre synimeve munguan plotësisht. Serbisë
i zihet për të madhe edhe lobimi për tërheqjen e njohjeve të Republikës së
Kosovës, por fare nuk flitet për mosangazhimin e diplomacisë së Kosovës si në
pengimin e veprimit të Serbisë ashtu edhe angazhimin për sigurimin e njohjeve
nga shtete që këtë ende nuk e kanë bë. A ju kujtohet kur është bë njohja e
fundit? Të përkujtojmë se Madagaskari është shtet i fundit që më 24 dhjetor
2017 e ka njohur Republikën e Kosovë. Pra gjatë qeverisjes së Haradinajt kemi
vetëm një njohje.

Megjithatë, pavarësisht nga arsyet dhe qëllimi i vendosjes së taksës, duhet pranuar se me këtë veprim ideatorët dhe nxitësit mjaft mirë e kanë pleqnuar çështjen. Nuk më janë të njohura të dhënat (nëse është bë një analizë e tillë) për dëmet ekonomike që me vendosjen e taksës i është bë ekonomisë së Serbisë si dhe përfitimet e ekonomisë së Kosovës. Veprimin e udhëheqjes së Kosovës lidhur me taksën e vendosur, shumëkush e sheh nga këndi ekonomik. Në fakt veprimi është me karakter shumë domethënës politik. Me anë të kësaj takse udheheqja e Kosovës demonstroi sovranitetin e shtetit dhe Serbisë i dhemb pikërisht kjo, jo ana ekonomike. Prandaj, taksa shumë mirë e luajti rolin e vet dhe lirisht mund të shkojë në historinë e shtetndërtimit të Kosovës.

P. S. Në
prill-maj të vitit 1999 me disa shkrime autori ka tërhjek vërejtjen për rezikun
e ndarjes së Kosovës.     

*autori është politolog, publicist dhe ish ambasador.