` . Notë proteste e parisë fetare të Shkodrës dërguar Konferencës së Paqes në Paris më 1919 - TV-SHENJA

Notë proteste e parisë fetare të Shkodrës dërguar Konferencës së Paqes në Paris më 1919

Krerët fetarë, në përgjithësi, e të Shkodrës, në veçanti, i pritën me shqetësim pazaret e shteteve fituese të luftës në kurriz të tokave shqiptare. Këto padrejtësi bënë që krerët fetarë të Shkodrës, pa dallime fetare, të nisin peticionin, duke u shprehur edhe me tone nacionaliste. Për ta është e patolerueshme që “kërthiza e Shqipërisë” – Shkodra me  rrethinë, e njohur për vlerat kulturore e historike, t’i falet Jugosllavisë së atëhershme

Shkruan: Nuridin AHMETI, Prishtinë

Nga janari i vitit 1919 e deri në janar të vitit 1920 në Paris, fuqitë fituese të Luftës së Parë Botërore, Anglia, Franca, SHBA, por edhe Italia dhe Japonia, edhe pse këto dy të fundit nuk kishin rol në këtë konferencë sa të fuqive të tjera, u mblodhën për ta caktuar vendosjen e një rendi në botë në rrethanat e reja të krijuara.

Siç dihet, Shqipëria kishte mbajtur qëndrim neutral gjatë këtyre viteve. Por, shpresa nga ana e shqiptarëve, se në këtë mbledhje do të bëhej korrigjimi i padrejtësive të ndodhura në kongreset e dhe konferencat e mëhershme ndërkombëtare si ajo e vitit 1878 dhe 1912, nuk ndodhi. Pra, parimi i kombësisë dhe i vetëvendosjes nuk u mor parasysh në rastin e shqiptarëve. Rrjedhimisht, iu la hapësirë ambicieve dhe pretendimeve të vendeve fqinje të Shqipërisë, të cilët në këtë periudhë, si Greqia, Italia, Jugosllavia, ishin shumë aktive në zgjerimin e territoreve tyre në dëm të tokave shqiptare. Ambicieve të Greqisë, Italisë dhe Jugosllavisë ndaj tokave shqiptare u ndihmonte edhe fakti se këto shtete ishin në krahun e fitueseve të luftës. (Historia e popullit shqiptar III, ASHSH-IH, Toena, Tiranë, 2007, f. 129-138).

Nga janari i vitit 1919 e deri në mbarim të punimeve të konferencës më 1920 nga shtetet fituese të luftës u hartuan programe e projekte në dëm të ndarjes së tokave shqiptare, si ngushtimi i territoreve e deri të zhdukja Shqipërisë si shtet i pavarur. Me një fjalë, Greqia e futi në dorë Gjirokastrën dhe po diskutonte për Korçën me rrethinë, Italia do ta merrte Vlorën me rrethinë, ndërsa Mbretëria Serbe Kroate Sllovene do ta siguronte daljen në Detin Adriatik, një synim ky i kahershëm i pansllavizmit. Bashkë me këto lojëra, në dëm të territoreve shqiptare, po bëhej plani që edhe Shkodra të kalohej me një pjesë të konsiderueshme të Shqipërisë së Veriut nën Mbretërinë Serbe Kroate Sllovene, gjë e cila kishte hasur në kundërshtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Fatmirësisht, këto plane nuk u realizuan, në tërësinë e tyre.

 

Shkodra dhe krerët fetarë të saj

 

Çështja e diskutimit të lënies së Qytetit të Shkodrës me rrethinë nën Jugosllavinë bëri që disa shtresa të shoqërisë shqiptare të reagonin. Në mesin e këtyre reagimeve ndaj këtyre padrejtësive, ishte edhe ajo e krerëve fetarë myslimanë, katolikë e ortodoksë të Shkodrës.

Përkitazi me këtë, paria e krerëve fetarë të Shkodrës, më 2 korrik të vitit 1919, i nisi një notë proteste “Konferencës së Paqes në Paris” .

Ka disa arsyeje pse kemi menduar t’i bëjmë një vështrim kësaj tematike, por dy janë me kryesorët: e para, ky peticion këtë vit mbush 100 vjet nga viti kur u dërgua në muajin korrik të vitit 1919; dhe, e dyta, problemet e kufijve në hapësirën shqiptare po vazhdojnë akoma të jenë aktualë.

Peticioni fillon më këtë përmbajtje: “Na kleri mysliman, kleri katolik e kleri ortodoks shqyptar e Parisë e Shqypniës së Syperme, muerem vesht prej perfaqsuesve t’onë n’atë Konferencë, se Jugoslavt mundohen gjithnji, me të tana dredhiet me na marrë Shkodren me gjith nahie të krahit të djathtë të Drinit e me ja njitë mbretniës Serbo-Kroato-Slovene. Krahi i djathtë i Drinit gjithmarë asht njajo kerthiez e Shqypnëes qi peruan Shtetin shqyptar per gjuhe, për gojthanë, per historië, për ndiesië atdhetare, per adete, për besim e qi e shtrëngon më nji lidhnië të pa dame me tjetrin krah të shmangtë të Drinit”-theksohet në mes tjerash në këtë peticion.

Dërguesit janë të bindur se Shkodra dhe rrethina jo se nuk duhet tu jepen Jugosllavisë, por Shkodra duhet të jetë kryeqyteti i shqiptarëve ashtu siç ka qenë edhe më herët.

Flamuri i jonë, shembull force e lirije, do të përhidhet lirisht kand e kand neper Shqypnië të bashkuese e të lirë” – potencohet në peticion.

Sikurse dihet, fetë e monoteiste ose, siç njihen në terminologjinë religjioze ndryshe, fetë e shpallura, si parim e kanë kontributin për paqe. Mirëpo, në rastin krerëve fetarë shqiptarë, përmes këtij peticioni, ata, në rastin e rrezikut të tokave të atdheut të tyre, si opsion për t’i dalë zot tokave të tyre nuk e përjashtojnë edhe përdorimin e armëve “Ne kleri mysliman, kleri katolik e kleri Orthodoks e Parië n’ëmen të gjith vendasve e gjytetasvet t’onë shqyptarë, tuj perbuzë pakicen e trathtarvet të tutun e të shitun per mbase arit të huej, betohemi faqe shekullit marë, qi me armë në dorë, kemi me luftue per lirië e per njisië t’Atmës, der sa të kemi jetë e të rrjedhim gjak neper dej t’onë. Birtë t’onë, nipat t’onë brez pas brezit, kshtu kan per të punue der sa krahnorvet t’onë të dalin ngadhnyesa tjerë ma të lum, qi të mrrijnë me coptue barbarin mizuar t’Atmes s’onë. Bushtat, 2 korrik 1919”.

Për të qenë me korrektë me lexuesin, ne po e prezantojmë në tërësi këtë dokument, pa hequr dhe pa shtuar asgjë.

“Na kleri mysliman, kleri katolik e kleri ortodoks shqyptar e Parisë e Shqypniës së Syperme, muerem vesht prej perfaqsuesve t’onë n’atë Konferencë, se Jugoslavt mundohen gjithnji, me të tana dredhiet me na marrë Shkodren me gjith nahie të krahit të djathtë të Drinit e me ja njitë mbretniës Serbo-Kroato-Slovene. Krahi i djathtë i Drinit gjithmarë asht njajo kerthiez e Shqypnëes qi peruan Shtetin shqyptar per gjuhe, për gojthanë, per historië, për ndiesië atdhetare, per adete, për besim e qi e shtrëngon më nji lidhnië të pa dame me tjetrin krah të shmangtë të Drinit. Të dhanut e kësaj krahine Jugoslaveve don me thane të shqymunt e Shqypnies per hater të do grupeve etnike ma të vogjel, me të cilit jena krejt të dam e nuk shifëna mirë aspak per arrsyë gjuhhe, adetesh, gojthanje e interesje si materjalisht si moralisht. Me kondendim të nji uje të perpijshme jugosllave kishte me u shkelë principi nacjonal, principi i drejtsiës e i barabacimit e i gjytetnimit, per të cillit e n’emen të cillvet gjytetasit e marrveshtjes luftuen e duelen ngadhnyes e fituesa. Jena per të vertetë mushë mendjet, se Konferenca, perfaqsuesja e thjeshtë e ktyne principeve, nuk ka me ju pervue dredhiëve hajnesha e të pashpirt, të lypurave grabitqare t’anmiqvet t’onë. Bajmë me dije që kurr e kurr s’kena me ju prulun të shkoqunit të perdhunshem t’asnji pllamë vend t’Atdheut t’onë. Na duem me kenë të bashkuem e të lirë prej Nordit e në Sud, prej Est e n’Ovest. Duem qi gjytet t’ona ma të bukurat të gjitha bashkë me kryegjytet Shkodren, sikurë kjenë perpara, të jenë prap per kohë t’ardhshme drita e gjytetniës, e gjuhës e ndiesiëvet, e dhanmarrjes s’onë. Na s’duem të perjashtem në shpië të tonë e nuk durojmë qi ata të na përlyejnë vendet e Atdheut t’onë. Të perjashtem per ne janë Serb, Kroat e Sloven, të cillit i kercnohen liriës e veturdhnimit t’onë. Ata s’kan me mrrijtë kurr me na poshtnue e me na pushtue, me sa mujten tjerë per sa qindvjeta. Mendojmë se kjo luftë ngadhnyese i dha shkas e jetë demokraciës s’pergjithshme. Prej Konferencet e prej popujve të gjytetnuem të gjith botës na presim e lypim gjygj drejtësije. Mendojmë edhe qi pikat e Willsonit nuk kjenë çpallë per me rrejt popujt, të cillit kshtuktej do të mbas parimeve etnike e të mbledhun bashkë per vullnet të lirë. Nji Serbie e vogel, e coptueme çrej tjervet, kje shkrija e nji luftës së pergjithtë. Na bijtë trima të fushavet e të malëvet betohemi, qi s’kemi kurr per t’ulë kryet atyne urdhanve, qi të perkasin veturdhnimin tonë e ma të voglat të shkoquna e të dame të tokës s’onë. Flamuri i jonë, shembull force e lirije, do të përhidhet lirisht kand e kand neper Shqypnië të bashkuese e të lirë. Ne kleri mysliman, kleri katolik e kleri Orthodoks e Parië n’ëmen të gjith vendasve e gjytetasvet t’onë shqyptarë, tuj perbuzë pakicen e trathtarvet të tutun e të shitun per mbase arit të huej, betohemi faqe shekullit marë, qi me armë në dorë kemi me luftue per lirië e per njisië t’Atmës, der sa të kemi jetë e të rrjedhim gjak neper dej t’onë. Birtë t’onë, nipat t’onë brez pas brezit kshtu kan per të punue der sa krahnorvet t’onë të dalin ngadhnyesa tjerëma të lum, qi të mrrijnë me coptue barbarin mizuar t’Atmes s’onë. Bushtat, 2 korrik 1919”. (Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, D. 10, V. 1919, Fl. 10-11).

 

Përfundim

 

Nga materialet dhe literatura e shfletuar, mund të përfundojmë se krerët fetarë, në përgjithësi, e të Shkodrës, në veçanti, i pritën me shqetësim pazaret e shteteve fituese të luftës në kurriz të tokave shqiptare. Këto padrejtësi bënë që krerët fetarë të Shkodrës, pa dallime fetare, të nisin peticionin, duke u shprehur edhe me tone nacionaliste. Për ta është e patolerueshme që “kërthiza e Shqipërisë” – Shkodra me  rrethinë, e njohur për vlerat kulturore e historike, t’i falet Jugosllavisë së atëhershme.

Ky peticion është një tregues se pavarësisht dallimeve fetare dhe mospajtimeve që mund t’i kenë pasur krerët tanë fetarë ndonjëherë për çështje të ndryshme, kur është fjala për aspekte madhore, reagimi ishte i njëzëshëm. Në këtë peticion theksohet se “muerem vesht prej perfaqsuesve t’onë n’atë Konferencë”, dhe është e natyrshme kur dihet se disa nga klerikët katolik në këtë konferencë ishin aktiv, si Gjergj Fishta e Luigj Bumçi. (Duka, Valentina, “Roli i klerit katolik në Konferencën e Paqës në Paris (1919-1920)”, Krishtërimi ndër shqiptarët, (Simpo­zium), Konferenca Ipeshvore e Shqipërisë, Shkodër, 2000, f. 297-302).

Ky peticion, këtë vit, siç e theksuam edhe më herët, mbush 100 vjet nga viti i dërgimit, por problemet te shqiptarët me çështjen e kufijve akoma po del se nuk kanë marrë fund. Andaj ndoshta ky peticion duhet të jetë një model, edhe për ditët e sotme, i reagimit të përbashkët të krerëve tanë fetarë kur është fjala edhe për çështje madhore të kombit tonë.