` . Norvegjia mbështet Maqedoninë me 2 milionë euro – TV-SHENJA

Norvegjia mbështet Maqedoninë me 2 milionë euro

 Sekretariati për Çështje Evropiane i Qeverisë së Maqedonisë ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Ambasadën Norvegjeze, me anë të të cilës qeveria norvegjeze jep mbështetje financiare në vlerë prej 2 milionë euro për zhvillmin lokal nëpër komuna, si dhe për përgatitjen e Sekretariatit për Çështje Evropiane në formimin e strukturës për negociata me Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).

Siç bëri të ditur zv/kryeministri i Maqedonisë për çështje evropiane, Bujar Osmani, në një konferencë të përbashkët për media me sekretarin shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashme të Norvegjisë, Audun Halvorsen, projekti i nënshkruar në hapësirat e Sekretariatit për Çështje Evropiane do të realizohet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projektit (UNOPS).

Osmani shprehu mirënjohje ndaj qeverisë norvegjeze, siç tha ai, për mbështetjen politike dhe financiare që jep për Maqedoninë në këto 20 vitet e fundit. Ai theksoi se fondet do të shfrytëzohen për zhvillim lokal nëpër komuna, por se një pjesë e tyre do të shfrytëzohen nga institucioni që drejton ai, në një kohë të cilën e vlerësoi mjaft të duhur dhe të targetuar në institucionin që është përgjegjës për të etabluar skeletin e kësaj strukture negociuese.

“Mendoj se nuk kishte moment më të mirë për të rikonfirmuar edhe njëherë mbështetjen që Mbretëria Norvegjeze jep për Maqedoninë në 20 vitet e fundit sesa në këtë muaj vendimtar. Prandaj, do të thoja edhe njëherë kjo është mënyra më e mirë për të treguar mbështetjen, inkurajimin dhe motivimin për të gjithë qytetarët e Maqedonisë në këtë muaj vendimtar për vendin”, deklaroi zv/kryeministri Osmani.

Ndërkaq, sekretari shtetëror norvegjez, Halvorsen, tha se partneriteti midis Maqedonisë dhe Norvegjisë është i thellë dhe mjaft i gjatë. Ai tha se qëllimi i Norvegjisë është të mbështesin zhvillimin socio-ekonomik të Maqedonisë.

“Ne do të punojmë për të siguruar që procesi i pranimit të Maqedonisë në BE të jetë i shpejtë dhe efikas. Prioritet kyç do të jetë ngritja e kapacitetit të Sekretariatit këtu, mbështetja e negociatorit kryesor dhe përforcimi i eksperiencave të ministrisë përgjegjëse për procesin e pranimit të Maqedonisë”, tha Halvorsen.