` . Norvegjia mbështet integrimet e Maqedonisë së Veriut (Video) - TV-SHENJA

Norvegjia mbështet integrimet e Maqedonisë së Veriut (Video)

Norvegjia do të vazhdojë të bashkëpunojë me Qeverinë në procesin e përgatitjes së vendit për qasjen drejt NATO-s. Kështu ka porositur sot nga Shkupi, kryediplomatja norvegjeze, Erikson Soreide, e cila tha se është në interes të Evropës që të integrohen të gjitha vendet. Pas takimit të zhvilluar në Shkup me ministrin e Jashtëm të vendit, Nikolla Dimitrov, Soreiden deklaroi se Norvegjia është mike e afërt dhe partnere e Maqedonisë së Veriut dhe se vendi i saj është i përkushtuar në zhvillimin e tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor, për çka siç u shpreh ajo, në dy vitet e fundit është dyfishuar ndihma për këtë rajon.

ERIKSON SOREIDE, MINISTRE E JASHTME E NORVEGJISË
“Kemi biseduar për çështje që kanë të bëjnë me reformat dhe procesin qasës drejt NATO-s, por gjithashtu situatat në rajon dhe përkushtimin për zhvillimin e tij. Fokusi është tek projektet që kanë të bëjnë me sundimin e së drejtës, krijimin e vendeve të punës për të rinj dhe bashkëpunimin rajonal. Sa i përket Maqedonisë së Veriut, veçanërisht jemi të fokusuar në ndihmën për proceset qasëse drejt BE-së dhe NATO-s. Mendoj se është në interes të Evropës që të integroj të gjitha vendet, pavarësisht se çfarë rruge drejt BE-së do të zgjedhin, qoftë si partner apo si anëtare të plotëfuqishme”.

Ndërkohë, ministri Dimitrov, i pyetur se a janë reale kërcënimet nga pala bullgare për bllokim të procesit të marrjes së datës nëse nuk arrihet marrëveshje rreth Goce Dellçevit, ai tha se beson që me Bullgarinë ndajnë qëllime të përbashkëta dhe do të gjejnë mënyrë që me miqësi dhe respekt reciprok të zgjidhin çështjet që kanë të bëjnë me Marrëveshjen me Bullgarinë.

NIKOLLA DIMITROV, MINISTËR I JASHTËM I MV
“Jam i bindur se suksesi i Maqedonisë së Veriut në kuptimin e integrimit evropian është shumë i rëndësishëm edhe për Bullgarinë fqinjësore dhe miqësore dhe do të gjejmë mënyrë që ata jo vetëm që të mos jenë pengesë, por të jenë edhe promotor, siç ishin edhe vitin e kaluar në Këshillin për Punë të Përgjthshme dhe së fundmi në Këshillin e fundit që u mbajt në Luksemburg”.

Ndërkohë, Soreiden gjatë vizitës së saj në Shkup, ka takuar me zëvendëskryeministrin Bujar Osmani dhe kryeministrin Zoran Zaev. Gjatë takimit me Zaevin, u konstatua se me politikat e guximshme dhe politikat e dialogut dhe miqësisë me fqinjët janë hapur perspektivat e bllokuara paraprakisht të integrimeve të Maqedonisë së Veriut. Teuta Buçi /SHENJA/