` . Njeriu, qenie me zemër - TV-SHENJA

Njeriu, qenie me zemër

Pavarësisht të qenit një mrekulli fizike, njeriu harron të studiojë mbi veten, mbi anatominë fizike. Kjo harresë e shtyn drejt një harrese tjetër edhe më të madhe – njeriu harron që nuk është pronar i trupit të vet. As i shpirtit të vet. Atij i është dhënë trupi që ka për të veshur shpirtin, derisa të vijë çasti kur ky ngërthim i quajtur njeri të pushojë së marri frymë mbi tokë

Shkruan: Nuredin NAZARKO, Korçë

Fizikisht njeriu është qenie mrekulli. Mjafton të kesh durim për të shfletuar literaturë anatomike dhe do të kuptosh se trupi yt është i jashtëzakonshëm për nga mënyra se si është ndërtuar dhe funksionon. Ai është një strukturë solide, ku çdo pjesë është atje ku duhet të jetë për t’i dhënë njeriut pamje fisnike, pamje që ta ka ënda ta kundrosh. Mendoni një ndërhyrje në genome dhe përfytyroni për një çast që nuk mund të kini pamjen që kini. A do të mund ta shihnit veten në pasqyrë? A do të mund të duronit talljet e “të bukurve” apo keqardhjen dhe mëshirën e atyre që kanë harruar se pamjen fizike, racën që i përket dhe vendin ku lind, nuk i zgjedh njeriu?

Pavarësisht të qenit një mrekulli fizike, njeriu harron të studiojë mbi veten, mbi anatominë fizike. Kjo harresë e shtyn drejt një harrese tjetër edhe më të madhe – njeriu harron që nuk është pronar i trupit të vet. As i shpirtit të vet. Atij i është dhënë trupi që ka për të veshur shpirtin, derisa të vijë çasti kur ky ngërthim i quajtur njeri të pushojë së marri frymë mbi tokë.

Kjo harresë e bën të besojë se është pronar i qenies së vet dhe mund ta trajtojë si të ketë dëshirë. Pasojat e kësaj mënyre të të jetuari çdoherë kanë qenë të kobshme. Harruesi i tanishëm nuk do të nxjerrë leksione nga pasojat e së shkuarës. Ai pret ta provojë mbi kurriz peshën e zgjedhjes që bën. Mirëpo, nuk dihet se a është e mundur më pas të ringrihet nga thellësia e humnerës ku është përfundur. Nuk ka siguri kurrnjëherë. Edhe mund të ringrihet, por kur zhytesh kokë e këmbë në kënetën e harresës, vështirë të të kujtohet se nuk je pronar i qenies tënde.

Njeriu duhet të zgjohet nga gjendja e topitjes dhe kllapisë si pasojë e harresës. Sado mizore të duket rutina e përditshme në sigurimin e mjeteve të jetesës, duhet gjetur koha fizike për të medituar mbi botën që përqarkëson qenien njerëzore. Dhe, jo vetëm. Duhet ndarë kohë edhe për anatominë fizike e shpirtërore.

Qenia njerëzore është det i thellë, ku çdoherë që zhytesh në thellësi, nuk ke se si të mos zbulosh perla të fshehura me aq shije e bukuri në koralet shpirtërore. Për t’i nxjerrë këto perla në sipërfaqe nuk mjafton të jesh zhytës i mirë, por mbi të gjitha duhet ta kesh qëllimin e mirë. Mund edhe të zbulosh perla, por nëse qëllimi është tregtia me to për të shtuar numrin e parave në llogari, humbja është e pazëvendësueshme. Nëse ndodh kështu, njeriu ka shitur shumëçka prej thesareve me vlerë për letrat e pavlera, të cilat në një çast të vetëm mund të mos vlejnë as për të ndezur eshkën.

Të gjendurit nën presionin e stuhive që vijnë prej stomakut nuk është gjendje e panjohur për njeriun. Qysh në krye të herës, kur vendosi këmbën për herë të parë në sipërfaqen e tokës, ai u përball me urinë e stomakut. Për ta shuar këtë uri janë djegur e shkatërruar njerëz, fise, popuj, kombe, shtete, mbretëri e perandori. Dhe, prapë pangopësia vazhdon. Uria e stomakut është sfida më e vështirë për njeriun. Është pikërisht kjo uri që nuk ia lë kohën e nevojshme njeriut për meditim. Nuk ia lë kohën e nevojshme për t’i zbuluar perlat brenda vetes, por dhe nëse i zbulon, e detyron t’i shesë në tregon konsumator për një krodhe bukë. Nuk e lë të ngrihet mbi përmasën fizike dhe t’ia nënshtrojë atë anës shpirtërore. Nuk e lë të mbyllë sy, duke e shqetësuar dhe frikësuar vazhdimisht për të ardhmen se si do t’ia bëjë për ta shuar këtë uri. Nuk e lë të çlirohet nga prangat e stërmbushjes me ushqim të stomakut, pranga që e plogështojnë energjinë shpirtërore në favor të shtimit të shtresave dhjamore.

Frika nga varfëria në të ardhmen e detyron njeriun të kthehet në makineri pune. Në këtë gjendje të tjetërsuar e vetmja gjë për të cilën mendja i rreh si çekan është kudhra mbi të cilën pret kartmonedhat e “parajsës tokësore”. Kjo qenie, që ende mbart mistere brenda vetes, pavarësisht pretendimeve për ta zbërthyer shkencërisht, a thua mendon vetëm me tru? A thua beson dhe vepron vetëm përmes trurit? A thua të gjitha vendimet e rëndësishme të jetës i merr vetëm përmes veprimit kimik të neuroneve?

E ç’vend zë zemra në këtë mes? Në humbëtirën e harresës ajo shërben vetëm si furnizuese me gjak. Dhe, kjo ndodh me pafuqinë tonë. Nuk jemi ne që e kontrollojmë punën e saj. Pra, qenia njerëzore paska edhe zemër. Çdokush e di këtë. Është kaq i rëndomtë ky fakt, saqë shumë syresh as nuk e çojnë nëpër mend se si ky organ muskulor rreh jashtë dëshirës së njeriut dhe ndalon së rrahuri kur vjen çasti, edhe pse njeriun nuk e dëshiron këtë çast. Kur njeriu gjendet i përfshirë në mes të shtjellave të harresës, që e lidhin si shpërgënjtë në djep, t’i kujtosh që ka një zemër për të cilën duhet të merakoset jo pak, nuk është më rëndomtësi.

Kujtesa, zhdarravitja e reve të zymta të konsumit stomakor është akt madhor. T’ia kujtosh njeriut që për të jetuar nuk mjafton mbushja e stomakut dhe furnizimi me gjak i muskujve, t’ia vendosësh si pasqyrë modelin e mbizotërimit të anës shpirtërore ndaj përmasës fizike, ky është më shumë se akt heroik. Ky akt merr vlerë shumë më të madhe nga sa mund ta mendojmë, ngaqë antikonformizmi nuk është thjesht një shaka teorike.

Njeriu është qenie me zemër, por për aq kohë sa në qendër të tij është zemra dhe jo stomaku. Në të kundërtën, ai është i destinuar të përfundojë si fosil pa vlerë në muzeun arkeologjik të vlerave të trashëgimisë.