` . Njeriu i lirë nuk pret nga askush, ai lufton – TV-SHENJA

Njeriu i lirë nuk pret nga askush, ai lufton

Sipas një projeksioni të INSTAT-it (i vitit 2014), parashikohej që në dy dekadat e ardhshme (2011-2031) emigracioni i shqiptarëve të pësonte ulje. Dekada e parë e projeksionit është thuajse në mbyllje, por prirja e shqiptarëve për të emigruar duket se ka ardhur në rritje në gjysmën e dytë të viteve 2011-2021. Vetëm për katër vjet, 2015-2018, janë bërë afërsisht mbi gjysmë milionë aplikime për lotarinë amerikane.

Shkruan: Çelo HOXHA, Tiranë

Në Shqipëri është krijuar një frymë pakënaqësie, zhgënjimi dhe fryme për t’u larguar nga vendi si kurrë më parë. Ajo që e dallon Shqipërinë e sotme nga ajo viteve 1990 është vetëm mungesa e imazheve të turmave, që sulen drejt ambasadave të huaja në Tiranë ose drejt anijeve në portet shqiptare. Kjo ndodh, sepse metodat e emigrimit tashmë janë bërë më “të civilizuara.” Një pjesë emigrojnë në mënyrë të ligjshme, por dhe ata që emigrojnë në mënyrë të paligjshme largohen pa bujë. Një pjesë e shfrytëzojnë mundësinë e udhëtimit të lirë në vendet e Bashkimit Evropian, shkojnë në një vend të caktuar në mënyrë të ligjshme, e pastaj qëndrojnë aty duke e shkelur të drejtën e qëndrimit, e cila është deri në 3 muaj.

Shifrat e sakta për emigrimin në vitet e fundit mungojnë, por ka një burim të cilit mund t’i referohemi për ta kuptuar prirjen e qytetarëve shqiptarë për t’u larguar nga vendi i tyre. Ky burim është Departamenti i Shtetit të SHBA-së (Ministria e Jashtme është institucioni ekuivalent në shqip), i cili çdo tre vjet boton të dhënat e aplikimeve për lotarinë amerikane. Shqipëria është një ndër vendet prej së cilës SHBA-ja pranon emigrantë përmes lotarisë.

Gjatë vitit 2015 për lotarinë amerikane aplikuan 100 mijë persona. Numri i aplikimeve, një person për çdo aplikim, nuk është numri real i personave që emigrojnë, nëse kërkesa del fituese, sepse aplikuesi ka të drejtë të marrë me vete edhe persona të tjerë, të afërt të tij, kryesisht familjarë. Pra, nëse numri i aplikimeve për 2015-tën ishte 100 mijë, numri i emigrantëve të mundshëm (aplikues + familjarë) ishte 200 mijë persona. Ky numër erdhi duke u rritur, nga viti në vit. Më 2016-të numri i emigrantëve të mundshëm (aplikues + familjarë) ishte 246 mijë persona ose 46 mijë më shumë se viti 2015 (burimi nga i kam marrë të dhënat, një raport i BIRN-it, maj 2018, nuk i kishte të ndarë zërat për këtë vit). Më 2017-të pati 162 mijë aplikime, për rreth 316 mijë emigrantë të mundshëm. Për vitin 2018-të numri i aplikuesve u rrit me 18 mijë aplikime, kundrejt vitit 2017, ndërsa numri i familjarëve u rrit me rreth 44 mijë persona. Për vitin 2018-të, në shifra absolute, statistikat ishin: 180 mijë aplikime për 360 mijë aspirantë për emigrim.

Numri i personave që largohen me anë të lotarisë është shumë i vogël nga numri i atyre që aplikojnë (disa dhjetëra herë më i vogël), por numri i lartë i aplikimeve tregon prirjen e qytetarëve shqiptarë karshi emigrimit.

Emigracioni ka vazhduar përgjatë tre dekadave të fundit, pra nuk është një fenomen i ri. Fluksi i tij ka ardhur me një zbutje të lehtë, duke qenë më i lartë në fillim të viteve 1990-të, e pastaj pëson një rënie të lehtë. Edhe si dhjetëvjeçar, periudha 1990-2000, pati një fluks emigrimi më të madh se dekada pasardhëse, me një diferencë afërsisht 20-25%. Si mesatare, për të dyja dekadat (1990-2010), sipas INSTAT-it (Instituti i Statistikave, institucion shtetëror), nga Shqipëria janë larguar, mesatarisht, 50.000 persona në vit ose 1.4% e popullsisë.

Sipas një projeksioni të INSTAT-it (i vitit 2014), parashikohej që në dy dekadat e ardhshme (2011-2031) emigracioni i shqiptarëve të pësonte ulje. Dekada e parë e projeksionit është thuajse në mbyllje, por prirja e shqiptarëve për të emigruar duket se ka ardhur në rritje në gjysmën e dytë të viteve 2011-2021. Vetëm për katër vjet, 2015-2018, janë bërë afërsisht mbi gjysmë milionë aplikime për lotarinë amerikane. Numri i atyre që janë të gatshëm të largohen me këtë rrugë është edhe më i madh, sepse, siç e kemi thënë, aplikuesit aplikojnë individualisht, por kur fitojnë, marrin me vete dhe familjet. Ndërkohë këtu nuk përfshihen personat që dëshirojnë të emigrojnë, por zgjedhin rrugë të tjera për t’u larguar nga vendi i tyre, kryesisht të paligjshme. Në mars 2018-të në Shqipëri u arrestua një grup prej 39 personash, që merreshin me trafik të paligjshëm të personave drejt vendeve të tjera, duke i pajisur me pasaporta dhe viza fals. Në maj, për të njëjtën veprimtari,  u kap një grup tjetër prej 17 personash, gjë që tregon deri diku infrastrukturën që ekziston në tregun e emigrimit të paligjshëm.

Ajo që është shqetësuese, të paktën në gjykimin tim, është fakti se emigrimi nuk bëhet thjesht për arsye ekonomike. Ata që largohen në SHBA, për shembull, së bashku me familjet e tyre, synojnë të ndërtojnë krejt të ardhmen e tyre në një vend tjetër dhe në shumicë janë njerëz të arsimuar (personat me arsim 8-vjeçar nuk pranohen as të aplikojnë), të cilët mund të jenë në punë në Shqipëri ose mund të kenë dhe ndonjë biznes. Nuk është emigrim si në dekadën e parë pas rënies së komunizmit, kur kryefamiljarët largoheshin për të punuar në vende të tjera për të mbështetur ekonomikisht familjet e tyre, me shpresën që një ditë të ktheheshin. Sigurisht, që një pjesë nga ata që janë larguar ndër vite janë kthyer, por numri i tyre, sipas INSTAT-it, ka qenë i ulët. Emigracioni i viteve të fundit është më tepër një refuzim “intelektual” për të jetuar në Shqipëri, të cilët e vlerësojnë atë si një vend të dështuar, për shkak të pakënaqësive që kanë nga politika, niveli demokracisë, etj.

Politika ka mëkatet e veta, por ajo nuk duhet fajësuar për gjithçka. Në vitet e fundit është vërejtur një depërtim më i madh i krimit në politikë, i kapjes së ekonomisë nga një grusht i vogël njerëzish, i keqmenaxhimit të fondeve publike, abuzimit të institucioneve, por këto gjëra nuk mund të shërbejnë për të nxirë gjithçka, sepse, pavarësisht të metave, nuk jemi në gjendjen e diktaturës komuniste. Diktatura ishte shkalla më lartë e korrupsionit, kapjes së krimit nga shtetit, abuzimit ligjor dhe ekonomik, etj. Nga ajo gjendje ekstreme, me përpjekje, kemi kaluar në një gjendje më pak të keqe ose pak më të mirë. Nëse vazhdojmë përpjekjet, pa dyshim që do të kalojmë në një gjendje disi më të mirë, e kështu në vazhdim, derisa ta kalojmë stafetën te brezi tjetër. Gjërat nuk rregullohen sa hap e mbyll sytë, madje përmirësimi bëhet edhe më i ngadaltë nëse qytetarët e arsimuar dhe vitalë të shoqërisë largohen. Ata vetëm sa e zmadhojnë dëmin ndaj saj, duke u bërë, pa dashje, ortakë me ata (politikanët) që i konsiderojnë përgjegjës për gjendjen e tanishme.

Politika ka në dorë shumë gjëra, por jo gjithçka. Ajo nuk mund ta bëjë dikë të qëndrojë të luftojë nëse personi është dorëzuar pa provuar asnjë betejë. Demokracia nuk është një sistem ku politika mund t’u dhurojë njerëzve gjithçka që duan, kur e duan dhe në cilësinë që e duan ata. Demokracia është një mundësi që njerëzit të mund të zgjedhin drejtuesit e tyre dhe, nëse drejtuesit e zgjedhur kanë qenë jo në nivelin e pritur nga votuesi, dështimi është i votuesit.

Akuza më e madhe që i bëhet politikës është korrupsioni dhe kjo me të drejtë, por kjo nuk do të thotë që nëse dikush vjedh, të tjerët duhet të braktisin vendin. Nëse ikin të gjithë, kush do të mbetet në Shqipëri që ta bëjë atë ashtu siç e duan ata që largohen sot apo diçka më të mirë nga çfarë është?! Shqiptarët nuk janë larguar prej vendit të tyre as në kohë më të vështira ose janë larguar e janë kthyer. Në një krahasim historik, pa dyshim që shqiptarët janë duke jetuar periudhën e tyre më të mirë në historinë e tyre shtetërore, në të gjitha drejtimet.

Padyshim që ka probleme, por probleme do të ketë gjithmonë. Njeriu asnjëherë nuk shpëton prej problemeve. Sa zgjidh një, identifikon një tjetër, i cili e angazhon sërish e kështu vazhdimisht. Kjo është natyra e jetës njerëzore.

Me përhapjen e medieve sociale, që u ka dhënë mundësinë e zërit masës më madhe të njerëzve, janë të shumtë ata që ankohen për gjendjen e Shqipërisë, duke shkuar deri në nihilizëm, me shprehjen “Ky vend s’bëhet”. Ka nga ata që, po të përpiqesh t’u shpjegosh të kundërtën, të konsiderojnë të lajthitur, si një njeri që përpiqet të hedhë poshtë një ligj të natyrës. Ata që zgjedhin të jetojnë “të lumtur” në një vend tjetër dhe jo të luftojnë për ta bërë vendin e tyre një vend më të mirë për fëmijët e tyre, thjesht refuzojnë ta përmbushin pjesën e përgjegjësisë që u takon. Ata e presin gjithçka nga të tjerët, sidomos nga politika që e kritikojnë aq shumë, sepse është pikërisht politika ajo në formën më të keqe të saj, diktatura komuniste, që ua kultivuar mendësinë e pritshmërisë së gjithçkaje prej politikës. Njeriu i lirë nuk pret nga askush, por ai lufton. Nëse të gjithë luftojnë, atëherë arrihet ndryshimi.