` . Një storie e pambaruar me “deficit demokratik” – TV-SHENJA

Një storie e pambaruar me “deficit demokratik”

Largimi i të rinjve dhe të rejave për në Evropë vazhdon duke lënë pas vete një boshllëk intelektual. Gjyqësori, përskaj shumë zotimeve për reformim, mbetet një sfidë serioze. Faktori ndërkombëtar, në mungesë të provave se ky vend ka kapacitete për një gjykim të drejtë dhe të pavarur, këtë deficit mundohet ta kompensojë me themelimin e gjykatave dhe prokurorëve nga jashtë, siç është Gjykata Speciale.

Shkruan: Rizvan SULEJMANI, Shkup

Të gjithë ata që e kanë vizituar Kosovën para pavarësisë dhe sot, pas dhjetë vjetësh pavarësi, lehtë mund të vijnë në konstatimin se ajo është një storie suksesi. Atëherë ishte vendi i vetëm në Evropë që nuk kishte asnjë kilometër autostradë, ndërsa sot ka pothuajse nga gjitha anët që hyhet në këtë shtet, por edhe qendrat urbane janë të lidhura me këso rrugë ose ato janë në përfundim e sipër. Prishtina është një rrëfim në vete. Ajo çdo ditë e më tepër zgjerohet. Përreth saj ngrihen lagje elitare, që ua kanë lakmi edhe metropolet evropiane. Kafenetë e qendrat tregtare janë përplot me të rinj e të reja, që të krijojnë përshtypjen se kosovarët jetojnë në begati e lumturi. Por, a është kjo e tëra? Gjithsesi se jo.

Kosova sot është vendi i vetëm në kontinent, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm. Vetëm për ta vlen regjimi i vizave, pra edhe në kohën kur me qindra e mija emigrantë i kalojnë ilegalisht e gjysmë-ilegalisht kufijtë evropianë për të arritur në qendrat më të zhvilluara të saj. Çfarë absurdi? Vizat, që kanë për qëllim kontrollimin e qarkullimit të popullatës së dyshimtë, nuk kanë kurrfarë efekti karshi emigrantëve, por e ndalojnë lëvizjen e qytetarëve të rëndomtë të këtij vendi.

Kosova, ndoshta, është ndër shtetet e vetme, në mos i vetmi, që ende nuk ka rregulluar deri në fund fondin pensional dhe atë shëndetësor, andaj shumë qytetarë, që me vite kanë paguar në këto fonde, kanë vdekur jo si pensionistë, por si shfrytëzues të ndihmave.

Papunësia mbetet një breng në vete. Largimi i të rinjve dhe të rejave për në Evropë vazhdon duke lënë pas vete një boshllëk intelektual. Gjyqësori, përskaj shumë zotimeve për reformim, mbetet një sfidë serioze. Faktori ndërkombëtar, në mungesë të provave se ky vend ka kapacitete për një gjykim të drejtë dhe të pavarur, këtë deficit mundohet ta kompensojë me themelimin e gjykatave dhe prokurorëve nga jashtë, siç është Gjykata Speciale. Kjo e fundit përsëri i ngre tensione dhe i vë në sprovë marrëdhëniet e shtetit të Kosovës me “miqtë” ndërkombëtarë, veçanërisht me ShBA-në, që shqiptarët atje gojëplotë e deklarojnë si “partnere strategjike” dhe përtej saj, për kumbarë dhe mbrojtës të shtetit të tyre. Vrasja e Oliver Ivanoviqit në Mitrovicën e Veriut do ta testojë sërish këtë gjykatë, por jo vetëm atë. Organet e hetuesisë dhe sigurisë do të duhet ta dëshmojnë kapacitetin për t’u marrë me zbulimin dhe ndëshkimin e krimit ngado që të vijë ai. Në të kundërtën rrezikojnë edhe më tej të kompremetojë punën e tyre para fqinjëve dhe shteteve mike.

Krimi dhe korrupsioni, rregullisht, janë në agjendën e Komisionit Evropian. Përderisa qeveritë kanë bërë pak për zvogëlimin e papunësisë, për pasoj ka avancuar korrupsioni, veprimet ilegale, trafikimi mi me lëndë narkotike dhe prostitucioni.

Të konkludojmëL Kosova sot është një storie e pambaruar. Pse? Një, për arsye se është shtet i pavarur, por pa sovranitet; dhe dy, sepse ka suksese periferike që nuk janë të bazuara mbi një sistem, ku funksionon në tërësi e drejta dhe ekonomia e tregut, por shumë më tepër ajo joformale dhe jashtë institucionale. Cilat janë arsyet e kësaj? Ka shumë faktorë, por ne do të ndalemi vetëm në një, që është qenësor – “deficiti demokratik”.

Si erdhi deri tek kjo? Sigurisht se edhe për këtë ka më shumë arsye, por mua kjo temë më kthen prapa në përfundimin e luftës. Më kujtohet viti 1999, momenti kur forcat e NATO-s futeshin në Kosovë, ndërsa ne në pritje e sipër i komentonim pasojat. Në ato momente euforie të gjithë i nxirrnin në pah anët pozitive të saj, siç janë: çlirimi definitiv i Kosovës prej Serbisë, marrja e njohurive dhe përvojave nga ushtarë dhe administratorë perëndimorë, por askush nuk fliste për ato negative. Asokohe isha deputet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Në një diskutim me kolegët e mi mora guximin të them se ka edhe anë negative çlirimi i vendit nga ushtria e huaj, qoftë ajo edhe nga një aleancë. Por, të gjithë me një zë m’u vërsulën, duke më kërkuar sqarim se çfarë po flisja. E di se kisha përmendur një thënie të Makiavelit, që përafërsisht thotë “ushtri e paguar nuk bën, por më së paku ushtri e huaj”. Desha t’ua bëj me dije se ajo që është thënë para pesëqind vjetësh vlen edhe sot. Ai nuk flet as për ushtri të miqve, siç është ajo e NATO-s, e Amerikës dhe Evropës, por për ushtri të huaj. Askush nuk deshi të dëgjojë. E numërova argumentin e dytë, se “burokracia nuk mund të jetë alternativë e demokracisë”, duke aluduar në administratën ndërkombëtare si fazë kalimtare deri te pavarësia. Një efekt tjetër anësorë që përmenda ishte se “shumë shpejt do të paraqitet prostitucioni dhe narkomania”. Këtë e argumentoja nga një shkrim që më herët e kisha lexuar, që bënte fjalë për shtetet e Lindjes së Largët, se kudo ku ka qëndruar ushtria e huaj, prostitucioni dhe narkomania kanë lulëzuar. E tillë ishte atmosfera atëherë. Por, atëherë nuk deshëm t´ia dimë për këto pasoja, andaj tani e paguajmë çmim.

Sot kur i dëgjoj çdo ditë e më tepër mu ato aktorë politik që me aq entuziazëm flisnin për ndërkombëtarët, që t’i akuzojnë ata për ngecje në procesin e shtetndërtimit, bile edhe për korrupsion dhe pamundësi që shteti i pavarur të transformohet në sovran, kam fjalën për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, thjesht neveritem. Ata që s´donin t’i dëgjonin fjalët e mia dhe, madje, edhe më akuzonin për defetist e pesimist, sot ngrenë çështje që i patën shpall vetë për tabu. E di se do të mund të nxirren me arsyetimin se politika është pragmatike, se politikani e thotë të vërtetën vetëm kur duhet, për dallim prej një intelektuali që atë e shpreh edhe kur duhet edhe kur nuk duhet. Do ta merrja për argument sikur të isha i bindur se janë të sinqertë, të pranojnë se ata këtë as e dinin dhe as donin t´ia dinin sikur edhe sot që nuk e dinë pse i akuzojnë dhe çka do të bëjnë pa ta. Fundja, do t´ua falja edhe sikur ta pranonin se nuk e bëjnë për shtet, por për lëkurë të tyre. Por, kur dija mungon, sinqeriteti edhe më shumë, kurse shtiren se e bëjnë për qëllime të shtetndërtimit, kjo nuk mund t’u falet.

Dallimi ndërmjet të diturit dhe të paditurit është se të parët mësojnë prej gabimeve të huaja, kurse të dytët prej pësimeve të veta. Nëse shqiptarët mësojnë vetëm prej pësimeve dhe jo edhe prej gabimeve të huaja, pyetja është se sa do të zgjasë ky pësim e mësim? Politikanët, në parim, në zgjedhje para votuesve të vetë e shesin vizionin për të ardhmen. Si mund të kenë ose të flasin për vizion ata që fatin e tyre prej fillimit apriori ia kanë dorëzuar dikujt tjetër, faktorit ndërkombëtar. Këtë e bënë këto elita, por edhe vazhdojnë ta bëjnë, përjashtuar rastet kur janë në pyetje interesat e tyre personale, siç është me Gjykatën Speciale. Por, konstatimet sado të argumentuara të jenë, nuk e ndërrojnë gjendjen tonë përderisa nuk japim një zgjidhje.

Ne u përcaktuam të flasim për “deficitin demokratik”. Andaj shtrohet pyetja: nga vjen ai dhe si mund të kompensohet? Të fillojmë nga parlamenti. Kë përfaqëson ai? Me një analizë pak më të kujdesshme na rezulton se Parlamenti i Kosovës është shumë më tepër përfaqësim i komuniteteve, grave, oligarkëve të pasluftës, klaneve e figurave mediale dhe shumë më pak i popullit të rëndomtë. Kur e them këtë, e kam parasysh sistemin zgjedhorë proporcional me lista të hapura, ku janë të garantuara 20 vende për komunitete, 30% femra (pasi me përjashtime të vogla pjesa më e madhe e tyre nuk kanë legjitimitetin e duhur, por mbi parimin e përfaqësimit janë deputete) dhe pjesa më e madhe e të tjerëve që i blejnë votat, oligarkët e luftës dhe opinionbërësit nëpër media dhe organizata joqeveritare. Në një përbërje të tillë shtrohet pyetja se ku janë përfaqësues të popullit? Të përkujtojmë se demos, popull është edhe i papuni, edhe qiraxhiu, edhe ai që punon në tregun e gjelbër, edhe fshatari, edhe taksisti edhe punëtori i fabrikës. Kush i mbron interesat e tyre? Një sistem zgjedhor që prodhon një përbërje elitare të parlamentit nuk mund të jetë zëri i vërtetë i popullit, i demosit. Për më tepër, nuk mund të imponojë për zgjidhje problemet e kësaj kategorie të njerëzve dhe nuk mund të jetë kontrollues efektiv i pushtetit ekzekutiv. Këta shumë më tepër mbrojnë politika klienteliste, janë pragmatikë e oportunist. Përfaqësuesit që zgjidhen me automatizëm ose duke blerë vota nuk kanë kontakt me elektoratin, nuk e ndjejnë presionin e tyre, andaj në vend se të solidarizohen me hallexhinjtë, shumë më tepër i preferojnë sallonet diplomatike, kafenetë që frekuentojnë “biznesmenët” dhe oligarkët. Rrjedhimisht, janë më luajalë ndaj këtyre grupeve të interesit sesa ndaj atyre që i “votojnë”. Me një fjalë, Parlamenti ka “deficit demokratik” dhe përfaqësues jo të denjët të popullit.

Ata e pranojnë prezencën e faktorit ndërkombëtarë si të mirëqenë, bile rolin e tyre e kanë ngritur në mit, ndërsa historinë shqiptare e kanë tkurrur në pavarësinë e cunguar të Kosovës, të fituar në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtarë, andaj pa asnjë ndjenjë përgjegjësie dhe brenge morale kërkesat e tyre i vendosin para atyre të popullit. Kjo oligarki, që i kontrollon paratë dhe mediat, i shpallën për antiperëndimorë, bile pro-rusë e ekstremistë islamikë, edhe ata pak individë e subjekte politike që bëjnë përpjekje ta demitoligjizojnë këtë prezencë.

Trekëndëshi magjik i parave (oligarkët e pasluftës), mediat dhe faktori ndërkombëtar, që para demokracisë vendosën sigurinë, e bënë pothuajse të pamundur demokratizimin e vendit. Në kohë të fundit lidhja bëhet edhe më e fortë për shkak të përpjekjeve të Rusisë për penetrim në regjion dhe opinionit të krijuar me krizën e refugjatëve dhe luftës kundër terrorizmit.

Oligarkët e shfrytëzojnë për mrekulli këtë situatë për ta kamufluar krimin dhe korrupsionin. “Çlirimtarët” e kanë shpallë veten për mbrojtës të Perëndimit, ngase “krahë për krah” me aleancën perëndimore na e sollën “lirinë”, kurse gjithë të tjerët, që bëjnë përpjekje që kërkesat e popullit t’i vendosin para atyre të diplomatëve, i shpallin për armiq të saj, si pro-rusë e radikalë islamikë. Kështu bëjnë strofull për t’u mbrojtur nga përndjekjet, bile edhe nga Gjykata Speciale. Krimi dhe korrupsioni na paraqitet të jenë mbrojtësit më të mirë nga Lindja. Diplomatët, si pragmatikë që janë, në emër të sigurisë, që është interesi primar i shteteve që i përfaqësojnë, e tolerojnë këtë dhe në vend se t’i ndëshkojnë ata, e ndëshkojnë popullin, duke mos ua dhënë liberalizimin e vizave. Por, harrojnë se Amerika Latine,  Italia e Jugut e Greqia në kohën e Luftës së Ftohtë, për t’u mbrojtur nga komunizmi, instaluan mafi dhe hunta, por edhe sot e kësaj dite nuk lirohen dot prej tyre. Këta vende as nuk janë demokratike, as nuk kanë krijuar sistem të drejtësisë dhe as nuk garantojnë zhvillim të qëndrueshëm dhe stabil ekonomik. Perëndimi paguan dhe do të vazhdojë të paguajë çmim të lartë për këtë gabim.

Nëse historia na mëson, është koha të mendojmë nga t´ia fillojmë, që ajo të mos na përsëritet. Përgjigjja ime është e thjeshtë: demokracia. Vetëm një demokraci e mirëfilltë, që e përfaqëson zërin e popullit, sido që të jetë ai, është garanci për një shtet stabil, ku funksionon e drejta, konkurrenca e mirëfilltë ekonomike dhe meritokracia në institucionet shtetërore. As burokracia, as oligarkia, as diplomacia e intelekt-kracia nuk është alternativë e demokracisë. Ta kthejmë demokracinë, që kështu ta ruajmë shtetin dhe, bashkë me të, edhe miqtë që rrezikojmë t’i humbim.